Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Barriera gjinore në prona, tradita sfidon ligjin

Dëshira M., 58 vjeçare nga Durrësi, tregon se i ati u nda nga jeta kur ajo kishte 15 vite e martuar dhe nuk mund të kërkonte kurrsesi që të ndaheshin pronat, ndërkohë që në mënyrë “automatike”, si një rregull i pashkruar, të gjitha pronat i përfitoi i vëllai.

Si zonja në fjalë ka të shumta në të gjithë Shqipërinë. Ato, ende gjenden në pozita jofavorizuese duke qenë se për arsye familjare nuk duan që të nxisin konflikte. Pavarësisht se është një e drejtë e tyre e plotë, ende tradita dominon mbi ligjin.

Pjesa më e madhe grave nuk përshihen në trashëgiminë e pasurisë familjare, për arsye siç pohojnë vetë ato, një kërkesë e tillë nga motrat karshi vëllezërve ende konsiderohet “turp” dhe në këtë mënyrë mundohen t’i ruajnë raportet familjare.

Tradita sfidon ligjin

Promovimi i aksesit së barabartë në ekonomi për gratë, është një ndër çështjet që organizatat e ndryshme botërore kanë pasur në fokus për të gjithë shtetet në zhvillim, përfshirë edhe Shqipërinë.

Ky akses nuk përfshin vetëm qasjen e njëjtë në tregun e punës dhe biznesit, por edhe garantimin e së drejtës së pronës, trashëgimisë dhe pasurisë. Në shoqëri patriarkale prej vitesh, si e jona, ku pavarësisht përparimeve, ende mund të gjenden zona që të zbatojnë ligje sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit, ku ligji nuk njihet dhe tradita triumfon në shumë raste, vijojmë të shohim familje që pasurinë ta ndajnë vetëm mes meshkujve. Ky diskriminim në familje ka fituar një status “të infiltruar”, të mbartur prej vitesh, ndaj dhe identifikimi i tyre dhe pasojat e veprimeve të tilla mbeten të fshehura.

Rreth viteve të 90-ta gruaja nuk ka qenë e orientuar tek çështjet e trashëgimisë, për shkak se është konsideruar se kur të martohet nuk i përket trashëgimia familjare. Kjo sjellje u mbart prej vitesh dhe ende në ditët e sotme konsiderohet “turp” që vajzat të diskutojnë të drejtat e tyre në pronë, me të atin në jetë ose pasi ndahet nga jeta. Tradita sfidon hapur ligjin, ndonëse ky i fundit ka hapësira mbrojtëse dhe garantues për këto të drejta të grave.

Shqipëria me pranimin e Konventës së CEDAW në vitin 1994 vendosi të drejta të barabarta për sa i përket zotërimit të pronës. Rrjedhimisht sipas Kushtetutës së Shqipërisë dhe Kodit Civil, gratë kanë të njëjtat të drejta si burrat për pronën/tokën. Gjithsesi, prona vazhdon të regjistrohet në emër të burrave.

Edhe pse nuk ka informacion mbi regjistrimet e tokës sipas gjinisë, gratë përllogariten të zotërojnë vetëm 6.47 për qind të fermave nga totali i përgjithshëm i pronarëve/administratorëve të fermave, sipas raportit të FAO (Organizata e OKB për Ushqimin dhe Agrikulturën) në 2016. Kjo shifër kaq e ulët tregon një aspekt të rëndësishëm sa i përket aksesin që kanë gratë ndaj pronës.

Studimet, përparime por me hapa “breshke”

Forumi Ekonomik Ndërkombëtar, në raportin e vitit 2017, tregon se Shqipëria gjendet e 38-a në rang global për hendekun gjinor, e krahasuar me një vit më parë, vendi ynë është përmirësuar me 23 vende, ku renditej e 61 në botë. Përballë shteteve të rajonit, shqiptarët duket se kanë nisur të “trajtojnë” gratë më mirë. Serbia është e renditur në vendin e 40, Maqedonia e 67-a, Mali i Zi në vend të 77, Bosnja dhe Hercegovina e 66.

Ndonëse raporti tregon se ballkanaset janë të diskriminuara nga punëdhënësit dhe shpesh viktima të një kulture me stereotipe, që lejon dhunën në familje, hulumtuesit e raportit pohojnë se barazia gjinore po përmirësohet çdo ditë, pa lënë mënjanë edhe realitetet regresive.

Sipas raportit të fundit të Kombeve të Bashkuara, në programin e saj deri në vitin 2030, synohet të sigurohet se të gjithë gratë, sidomos ato të varfra dhe vulnerabël, kanë të njëjtat të drejta me meshkujt në qasjet ekonomike, aksesin në shërbimet bazë, pronësinë, kontrollin mbi tokën dhe trashëgiminë.

Një tjetër raport i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, në vitin 2014, tregon se femrat në Shqipëri zotërojnë më pak se 25% të pronës. Sipas Institutit të Statistikave, hendeku gjinor i pagave u ngushtua edhe më tej gjatë vitit 2016, ku burrat u paguan mesatarisht 6% më shumë se gratë, teksa ky tregues ishte 6.3 %  me 2015.

Sipas të periudhës 6-vjeçare (2011-2016) të dhënat e regjistrit të kredive të Bankës së  Shqipërisë pasqyrojnë një trend rritës për kredimarrjen për të dyja gjinitë duke ruajtur dhe diferencat pothuajse të njëjta midis tyre. Numri i grave kredimarrëse është pothuajse sa gjysma e burrave, sikurse dhe shuma mesatare e kredisë së marrë nga një grua është sa gjysma e shumës mesatare të marrë nga një burrë.

Ekspertja: Gratë diskriminohen ende në të drejtën e pronësisë

E drejta pronësore është e lidhur ngushtësisht me respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, të drejta këto të garantuara me Kushtetutë. Por kjo e drejtë themelore është nëpërkëmbur gjatë viteve duke mos u respektuar barazia gjinore. Kështu shprehet av. Denisa Daka, anëtare e Këshillit Drejtues të Dhomës Kombëtare të Avokatisë.

“Baballarët, vëllezërit, bashkëshortet e djemtë më pas, cenojnë në shumë raste të drejtat pronesore të grave, duke i cënuar padrejtësisht këto të fundit të gëzojnë dhe disponojnë lirisht sendet apo pronën e tyre, brenda kufijve që u njeh ligji. Të drejtat pronësore fitohen në çdo rast përmes shitjes, dhurimit, trashëgimisë si dhe për shkak të martesës. Nëse gjatë martesës bashkëshortët nuk kanë zgjedhur një regjim pasuror të posaçëm, por regjimin pasuror mes tyre i përket “bashkësisë ligjore”, prezumohet që çdo pasuri e fituar gjatë martesës konsiderohet pasuri e përbashkët apo pasuri bashkëshortore (përfshi këtu dhe rastet kur njëri nga bashkëshortët është i papunë)”,  tregon av. Daka, për Citizens Channel. 

Avokate Denisa Daka. Foto: Private Citizens Channel
Avokate Denisa Daka. Foto: Private

Por, ekspertja tregon më tej edhe raste marrje të të drejtave pronësore, edhe përmes mashtrimit ose dhunës. “Edhe ne rastet kur bashkëshortet, nënat apo gratë figurojnë bashkëpronare të pasurive përkatëse, ne shumë raste shtyhen nga burrat brenda familjes për të hequr dorë nga pasuria e tyre, me mjete presioni të gjithfarshme, qoftë nëpërmjet mashtrimit, dhunës apo frikës. Këtyre të fundit u kërkohet shpesh nga meshkujt brenda familjes së origjinës përgjithësisht, të heqin dore nga trashëgimia (pasuria), për shkak të një kulture zakonore krejtësisht të prapambetur dhe diskriminuese për këtë kategori”, thotë më tej Daka.

Ekspertja thekson se, në shumë raste gjithashtu gratë nuk kanë të qartë çdo të thotë të heqësh dorë nga një prone a pasuri apo si mund t’i ushtrojnë në formën e duhur këto të drejta në favorin e tyre.

“Në zonat rurale përgjithësisht kjo është një tabu e mendësi fikse e meshkujve atje kundra grave të familjes. Në shumë raste, gratë punojnë token por nuk e zotërojnë atë, janë ato që sigurojnë në një masë të konsiderueshme burimet ekonomike por nuk kanë pothuajse fare akses në përdorimin e tyre. Vetë gratë ne shumë raste shpjegojnë se heqin dore vullnetarisht nga trashëgimia apo pasuria, me pretendimin se largimi nga familja e origjinës , nuk u jep të drejta pronësore me pas apo zotërimi i këtyre  të drejtave me pas është “pandershmëri”, shpjegon avokatja Daka.

Ajo tregon se shpesh gratë shpjegojnë se tokën a pasurinë e babait apo kryefamiljaret mund dhe duhet ta trashëgojnë veç vëllezërit apo djemtë që jetojnë aty.  Sipas saj, të tjera sqarojnë se ka qene vullneti i prindërve të vendosin ne këtë forme, duke i përjashtuar këto të fundit nga testamenti a trashëgimia e ne këto kushte atyre s’u mbetet veçse të pranojnë fatin e tyre. Ndërsa të tjera, të ndërgjegjësuara për të drejtat e tyre, nisin përpjekjet në kërkim të pjesës se tyre me mirëkuptim a me proces gjyqësor, ndërsa ndëshkohen menjëherë nga meshkujt brenda familjes, me dëbim a kërcenim, çka sjell shkëputjen definitive të këtyre grave me anëtarët e tjerë meshkujt brenda familjes.

“Në vijim veprimet juridike për të fituar të drejtën e pronësisë (mes anëtareve të familjes së origjinës përkatësisht), pason me një kalvar gjyqesh qe zgjasin me vite, me një kosto të lartë financiare e morale njëkohësisht”, thotë avokatja, e cila shton si domosdoshmëri për t’i dhënë një farë zgjidhje situatës aktuale, ndërgjegjësimit të publikut me ligjet që i garantojnë këto të drejta apo me shtimin e rubrikave të posaçme në media për këto tema.

“Kjo do të rriste ndjeshëm rolin e ndërgjegjësimin e grave ne këtë aspekt, duke u bërë e mundur njëkohësisht fitimi i të drejtave pronësore nga ana e tyre me ligj, duke e konsideruar këtë proces jo veç si të drejtë pasurore, por dhe si një akt që tregon dinjitet e respekt për secilën prej tyre”, përfundon Daka.

Autor: Deada Hyka*

*Autorja është gazetare në redaksinë e revistës Monitor dhe monitor.al.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *