Studimi: Ligji për importin e mbetjeve nuk duhet të miratohet

Djegia e mbeturinave në vend-hedhjen e Porto-Romanos. Foto: Geri Emiri / Citizens Channel Djegia e mbeturinave në vend-hedhjen e Porto-Romanos. Foto: Geri Emiri / Citizens Channel

Në fillim të këtij viti Parlamenti shqiptar ka në plan të marrë vendimin përfundimtar për projektligjin e shumë debatuar për importin e mbetjeve, i cili ka si qëllim të lejojë importin e disa lloje mbetjesh në Shqipëri.

Por a duhet ta miratojë Kuvendi i Republikës së Shqiprisë këtë projektligj? Studiuesi shqiptar i cili jeton në Gjermani, Lulzim Baumann, në bashkëpunim me ekspertë nga Gjermania, Italia dhe Shqipëria, ka realizuar së fundmi studimin “Pro dhe kundra importit të mbetjeve në Shqipëri sipas projektligjit Nr. 92/2016”.

Në studimin e vënë në dispozicion për Citizens Channel, autori ka marrë në analizë nenet e tij dhe ka intervistuar një numër të madh ekspertësh nga institucione shqiptare dhe ndërkombëtare.

Bazuar në përmbledhjen e konkluzioneve të studimit të Lulzim Baumann nuk është e rekomandueshme që ky projektligj të miratohet.

Një ndër arsyet kundër në studim është “se ekziston rreziku i lartë që leja për importimin e llojeve të caktuara të mbetjeve jo të rrezikshme, siç parashikohet në ligjin nr. 92/2016, do të rrisë në të njëjtën kohë importimin e paligjshëm të mbetjeve të rrezikshme në Shqipëri pasi mekanizmat e kontrollit dhe monitorimit mund të anashkalohen relativisht lehtë”.  Sipas studimit “skaneri në portin e Durrësit nuk mund të zbulojë lidhjet shumë helmuese, komponimet kimike, drogat ose azbestet, por vetëm eksplozivë dhe mbetjet bërthamore dhe mund të manipulohet lehtë nga ‘zyrtarët e korruptuar'”.

Për shkak të fitimit të madh të përfshirë, trajtimi i paligjshëm i mbetjeve të rrezikshme është një fushë kryesore e veprimtarisë së krimit të organizuar në shumë vende. “Duke pasur parasysh faktin se Shqipëria është ende shumë e ndjeshme ndaj krimit të organizuar, ajo duhet të shmangë marrjen e këtyre rreziqeve”, theksohet në përfundimet e studimit.

Studiuesi Baumann sugjeron se më parë duhet të bëhen përparime të kënaqshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe në implementimin e një infrastrukture kombëtare të menaxhimit të integruar të mbetjeve për t’i bërë ballë rreziqeve.

Në studimin e projektligjit janë vënë re dy dobësi të një rëndësie të veçantë: gjobat për importet ilegale janë shumë të ulëta për të dekurajuar krimin e organizuar dhe shumë autoritet përqendrohet në duart e Ministrit të Mjedisit (dhe Ministrit të Financave).

Sipas studimit një tjetër arsye se pse projektligji për importin e mbetjeve nuk duhet të miratohet është se “importet ilegale të mbetjeve të rrezikshme do të kenë pasoja të rënda për mjedisin, shëndetin publik dhe për ekonominë (bujqësia, turizmi) dhe mund të ngarkojë buxhetin kombëtar me kosto të larta të pastrimit dhe rehabilitimit”.

Projektligji ndalon importin e mbetjeve vetëm për qëllimet e “depozitimit, eleminimit apo djegies (Incenerim)”, por jo për qëllime të djegies për prodhim të energjisë çka është e ndryshme nga incenerimi. Kjo, në bazë të përfundimeve të studimit, përbën një mangësi të mëtejshme të rëndë për shkak të rreziqeve të larta shëndetësore dhe mjedisore të djegies së mbetjeve, veçanërisht kur kryhet në një mënyrë jo të modernizuar.

Pavarësisht nga fakti se disa kompani ricikluese mund të krijojnë vende të reja pune si rezultat i importit të mbetjeve, kjo sipas studimit ka shume gjasa të çojë në një ulje të shkallës së përgjithshme të punësimit. “Ndërsa lëndet dytësore të huaja janë për momentin më konkurruese se materialet shqiptare, stimujt për kompanitë si dhe 30,000 punonjës joformalë për mbledhjen e mbeturinave do të ulen ndjeshëm (së bashku me një rënie në të ardhurat e tyre)” thuhet në analizën e projektligjit nga Lulzim Baumman.

Vetë Bashkimi Europian së bashku me një numër ekspertësh ndërkombëtarë rekomandon që Shqipëria para legalizimit të importeve të mbetjeve duhet të përmirësojë menaxhimin e integruar të mbetjeve në vend. “Lejimi i importit të mbetjeve në këtë pikë ka të ngjarë të dëmtojë ambiciet e Shqipërisë per antaresimin në BE pasi do ta bëjë më të vështirë që ajo të përmbushë kriteret kryesore të “Luftës kundër Korrupsionit” dhe “Luftës kundër Krimit të Organizuar”, si dhe Standardet e BE-së për mjedisin dhe shëndetin publik” thuhet në përfundimet e studimit. Meqënëse Shqipëria nuk është ende anëtare e BE-se, ajo ende nuk është e detyruar t’i përmbahet politikës “Lëvizja e Lirë e Mallrave”.

Studimi përfundon se ka zgjidhje më të pastra, më pak të rrezikshme, më transparente dhe me kosto më të efektshme sesa importi i mbetjeve për të forcuar industrinë e riciklimit të vendit dhe zhvillimin e Shqipërisë.

Studim i plotë mund të lexohet këtu.

*Shënim i autorit të studimit: 

“Ky studim nuk ka qëllime politike por që të kontribuojë për zhvillimin e Shqipërisë në drejtim të Bashkimit Europian, prandaj përfshin analizat dhe qëndrimin e BE-së. Është bazuar në fakte, analizon situatën aktuale dhe ofron një listë me rekomandime konkrete si duhet të përmirësohet ligji. Do të isha shumë i lumtur nëse në këtë fushë kaq të rëndësishme për Shqipërinë mund të jepja kontributin tim për ta çuar Shqipërinë drejt Bashkimit Europian.” Lulzim Baumann: lulzimbaumann@gmx.de. 

 

Autor: Amarildo Topi

Leave a Reply

%d bloggers like this: