Autoriteti i Konkurrencës: Rritja e çmimit të ujit pa argumenta ekonomikë dhe ligjorë

Fatura e janarit e ujit të pijshëm për banorët e Tiranës do të rëndojë më shumë në xhepat e tyre. Klientët familjarë, nga 45 Lekë për m3 do të paguajnë 65 Lekë për m3, pra tarifa rritet me rreth 44%; Për klientët publikë tarifa ndryshon nga 120 Lekë/m3 në 140 Lekë/m3, pra me një rritje rreth 17% dhe për klientët privat, tarifa ndryshon nga 135 Lekë/m3 në 155 Lekë/m3, pra me një rritje rreth 15%.

Përveç ndryshimeve në kategoritë e mësipërme edhe tarifa fikse mujore e shërbimit “Tarifë Fikse” për të gjitha kategoritë do të jetë 200 lekë në muaj nga 100 lekë në muaj që ishte deri më datë 31 dhjetor 2017.

Nisur nga kjo vendimmarrje e Entit Rregullator të Ujit, i cili miratoi kërkesën e Ujësjellës Kanalizme Tiranë dhe Këshillit Bashkiak Tiranë për rritjen me 44% të çmimit të ujit për konsumatorët në Bashkinë e Tiranës, Autoriteti i Konkurrencës në fund të vitit 2017 nisi procedurën e vlerësimit të ndryshimit të tarifave të furnizimin me ujë dhe largimit e përpunimit të ujërave të ndotura.

Në raportin e publikuar më 28 dhjetor 2017 në faqen zyrtare të Autoritetit thuhet se “në faqen zyrtare të UKT, Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe ERRU në të cilat është publikuar Vendimi Nr. 47/2017 i ERRU mbi miratimin e tarifave për periudhën 01/01/2018 e në vazhdim, nuk gjenden bashkëlidhur relacioni me argumentet ekonomike dhe ligjore mbi të cilat është bazuar kjo vendimmarrje”.

Raporti i Autoritetit

Anëtarët e Autoritetit të Konkurrencës që kanë hartuar raportin dalin në përfundimin se “bazuar në relacionin shpjegues të ERRU për miratimin e tarifave të reja për vitin 2018, nuk gjejmë të detajuar strukturën e kostos mbi bazën e së cilës është miratuar tarifa brenda së cilës përfshihen tre elementë:  tarifa e ujit për shitje sipas kategorive të konsumatorëve; tarifa për Shërbimin e Grumbullimit, Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura; dhe tarifa e shërbimit”. Pra, nuk gjendet e detajuar struktura e kostos mbi bazën e së cilës është përcaktuar tarifa përfundimtare e miratuar e ujit të pijshëm.

Raporti del në përfundim se “lidhur me këtë vendimmarrje nuk është marrë vlerësimi paraprak i Autoritetit të Konkurrencës, në zbatim të neneve 69 dhe 70 të ligjit Nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e Konkurrencës”, të ndryshuar, me qëllim vlerësimin e shkallës së kufizimit ose pengimi të konkurrencës”.

Bazuar në përfundimet e raportit, Autoriteti i Konkurrencës i ka rekomanduar Entit Rregullator të Ujit që “rritja e tarifave duhet të jetë graduale dhe në përputhje me kriteret e performancës, në mënyrë të veçantë të orarit të furnizimit me ujë”.

Gjithashtu ky ent duhet “të publikojë dhe bëjë transparente brenda 30 ditëve nga dalja e këtij vendimi të të gjithë informacionit në lidhje me aplikimet për ndryshimin e tarifave, kostot përkatëse mbi të cilat bazohen këto ndryshime, si dhe për vitet 2018 dhe 2019 të publikohen treguesit e parashikuar për “ujin pa të ardhura”, “Kohëzgjatjen e furnizimit” dhe “Efiçencën e stafit” “.

Kërkesa për ndryshimin e tarifave nga Ujësjellës Kanalizime Tiranë, është bërë për të mundësuar realizimin e investimeve gjithëpërfshirëse si në rrjetin e transmetimit ashtu edhe atë të shpërndarjes, investime të cilat sipas UKT nuk mund të realizohen me tarifat aktuale, ndërkohë sipas raportit të Autoritetit të Konkurrencës “nuk janë vlerësuar mënyrat alternative të financimit nëpërmjet kredive dhe/ose obligacioneve të qeverisjes vendore”. Pra, UKT për mbulimin e investimeve është bazuar në rritjen e tarifave dhe jo në gjithë elementët përbërës të kostos së shërbimit.

Duke gjykuar rritjen e çmimeve si mënyrën jo të vetme për kryrjen e investimeve Autoriteti i ka rekomanduar aksionerëve të UKT “të vlerësojnë mënyrat alternative të financimit të nevojave financiare të UKT nëpërmjet kredive të buta/të lehtësuara ose nëpërmjet obligacioneve të qeverisjes vendore”.

UKT parashikon një rritje të të ardhurave në vitin 2018, prej 1,250,000 lekë, e cila do të vijë në masën 96% nga rritja e tarifave, dhe vetëm 4% nga rritja e nivelit të faturimit.

Këto të ardhura sipas UKT do të investohen për rritjen e mbulimit me shërbimin e furnizimit me ujë të popullsisë në Tiranë nga 85% në 95.3%; arritjen e shërbimit të pandërprerë, të vazhdueshëm dhe me presion të furnizimit me ujë (24/7) në pjesën më të madhe të zonës së shërbimit të UKT-së; reduktimin e ujit pa të ardhura nga 67.6% në 40% në vitin 2021; dhe rritjen e normës së arkëtimit të faturave nga 79.9% në 92%.

Autor: Amarildo Topi

Leave a Reply

%d bloggers like this: