Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Të rinjtë mbajnë gjallë traditën e peshkimit në Sarandë

3 Janar 2018

Limani i vjetër i Sarandës qëndron hijerëndë në krah të rrugës së Parë, mbartës i një historie që fillon prej kohës së pushtimit fashist. I ndërtuar nga italianët, sot ai iu shërben peshkatarëve sarandiotë.

Neim Muço është njëri prej tyre. Djali rreth të tridhjetave ka dymbëdhjetë vjet që merret me peshkim. Me sanadhën e tij (lloj varke me motor të vogël) të blerë që kur filloi të merrej me këtë punë, ai përshkon çdo ditë disa milje detare. Sot Neimi peshkon vetëm me grep dhe duke u zhytur.

“Në ditët më të mira mund të kap deri në dhjetë kilogram. Ditët më të këqija janë ato kur dal pa gjë fare. Kurse sot aty tek arka që shikon mund të jenë pesë-gjashtë kile, jo më tepër”, tregon i riu e në fytyrë i dallohet lodhja e përzierë me merakun nëse do të arrijë ta shesë të gjithë peshkun.

“Kur nuk shitet, më shumë shqetësohem që do mbetemi pa lekë, se peshkut ia gjejmë vendin, sidomos kur është pak”, buzëqesh lehtë Neimi. 

Në krah të sanadhës së vogël të Neimit qëndron fluga (varkë peshkimi me motorr, por disa herë më e madhe) e Albertit. Sipër saj, me bojë të kuqe shkruhet “MANAJ S0130”.

Varka e peshkimit Manaj. Foto: Kleodora Elmasllari
Varka e peshkimit Manaj. Foto: Kleodora Elmasllari

“E madhe apo e vogël qoftë, çdo varkë ka sipër emrin ose mbiemrin dhe numrin e shasisë, – më thotë Florian Saliko, miku i Albertit dhe njëkohësisht bashkëpunëtori i tij, – Të voglat janë me emër, të mëdhatë me mbiemër. Detyrimisht kur del në det duhet të kesh me vete edhe licensën bashkë me matrikullin (leje drejtimi e peshkatarit) për të qënë në rregull me rojet bregdetare.”

Ditët e Florit janë të ndryshme nga ato të Neimit. Flori dhe Alberti peshkojnë me rrjeta dhe ndërkohë që bëjmë këtë bisedë ata janë duke i qepur ato në vendet ku i kanë kafshuar delfinët dhe ndonjë peshkaqen.

“Ka me shumicë në zonën e Manastirit”, justifikon Alberti habinë që shpreh fytyra ime. Kurse Flori nxiton të më tregojë një ngjarje të pazakontë.

“Ishim duke pushuar një ditë, gjysmë ore pasi hodhëm rrjetat. Shoh pak metra larg flugës një tufë sardelesh që vinin me shpejtësi drejt nesh. Mbeta për një moment i çuditur dhe mendova ‘Sa e dashkan rrjetën këto!”. Kur pas tyre çfarë të shihje, një alamet singaridhe. Hera e parë që shihja singaridhë aq të madhe dhe aq afër. Pas disa sekondash më humbi nga sytë. I tregova Bertit. Kur mblodhëm rrjetat e gjetëm aty, bashkë me peshqit e tjerë. Mu duk vetja si Niko Dabo i Petro Markos, po në version modern.”

Pyetjes për llojet e peshkut që gjallojnë në Jon dhe që kanë rënë të paktën një herë në rrjetat e tyre, ai i përgjigjet kështu:

“Koca, sardele, gjuhëza, merluc, barbun, lloj-lloj ka. Dy-tre muaj më parë është çarë dhe vaska më e madhe e peshkut në Maqedoni, ndaj koca është me shumicë. Ka edhe kokosh, që njihet si peshk supe dhe ndonjë lopë deti.“

Sasia e kapur në ditët më të mira gjatë peshkimit me rrjeta sipas Florit shkon deri në 120 kilogramë, në ditët më të këqija pesëdhjetë-gjashtëdhjetë. Peshkun e kapur djemtë e çojnë për shitje në markatën e peshkut në qytet dhe në dy restorante me të cilët bashkëpunojnë prej kohësh.

Limani gjatë muajve të verës.
Limani gjatë muajve të verës.

Të njëjtën gjë bëjnë edhe peshkatarët e tjerë të Limanit. Pjesa më e madhe e tyre kanë lidhur marrveshje të pashkruara me restorantet dhe tavernat e qytetit, me dyqanet e vogla të peshkut dhe me markatën e madhe. Një pjesë e vogël shesin direkt aty ku qëndrojnë edhe varkat.

Çmimet për kilogram janë të ndryshme, në varësi të llojit të peshkut, madhësisë, por edhe vendit ku shitet. Kështu një kilogram kocë e madhësisë mesatare shitet 15 mijë lekë të vjetra në Liman dhe 9 mijë lekë të vjetra në një dyqan peshku.

Rreth njëzet e pesë varka të vogla e të mëdha qëndrojnë gati për daljen e rradhës. Çdo vit të gjitha çohen në kantier për kontrollin rutinë dhe gjatë vitit iu bëhen shërbimet e tjera të nevojshme nga vetë peshkatarët.

Djemtë e Jonit dalin në det gjithmonë natën, duke përllogaritur kohën që iu duhet për të arritur në vendin e peshkimit, për të hedhur e më pas hapur plotësisht rrjetat si dhe kohën e kthimit, në mënyrë që të jenë në mëngjes herët në qytet. Ditët e para të vitit të ri edhe peshkatarët i kanë bërë pushim. Kanë dalë vetëm disa me varka të vogla, si Neimi.

Fluga me të cilën peshkojnë Flori dhe Alberti ka motorr furgoni 2800 kuaj fuqi me 12 pistona. Për një rrugë detare vajtje-kthim deri në Himarë konsumon pesëdhjetë mijë lekë të vjetra benzinë (duke e llogaritur me çmimin aktual 174L/litër, diku tek 29 litra). Është blerë nga familja Manaj që para 15 vitesh, kur edhe kanë filluar të merren me peshkim.

Peshkatari Flori dhe autorja e shkrimit Kleodora Elmasllari.
Peshkatari Flori dhe autorja e shkrimit Kleodora Elmasllari.

Konkurrenca e pandershme

Peshkimi është një nga pasuritë e qytetit të Sarandës. Megjithë përpjekjet për zhvillimin e këtij sektori, ende ka problematika me të cilat përballen çdo ditë peshkatarët e rregullt. Problem kryesor kanë qenë dhe mbeten çmimet “e kripura” të karburanteve të cilat shkojnë vit pas viti drejt rritjes. Si rrjedhojë, duke dashur t’i shmangen sa më shumë konsumit të karburantit dhe të sigurojnë sasi sa më të mëdha peshku duke harxhuar sa më pak, një pjesë e atyre që peshkojnë i janë drejtuar peshkimit të paligjshëm, duke përdorur metoda të paligjshme si dinamiti.

“Peshkimi me dinamit sjell jo vetëm ndotje, por edhe largimin e peshkut, sepse peshku trembet. Kjo është dhe konkurrencë e pandershme ndaj nesh që punojmë me rregull, me dokumenta, që paguajmë një mal me taksa e të gjitha. Si këto probleme ka plot dhe deri më sot shumë pak kemi gjetur mbështetje tek shteti, megjithatë se kemi lënë asnjë ditë punën”, shprehet Flori.

Pavarësisht problemeve peshkimi për këta djem të rinj mbetet jo vetëm një mënyrë e ndershme jetese, por edhe një zanat që iu fal përpos të ardhurave edhe kënaqësi. Bashkëjetesa me detin është pjesë e pandashme e ditëve të tyre…

Në anën tjetër të limanit një peshkatar së bashku me të birin, një djalosh truphedhur, jo më shumë se dhjetë-dymbëdhjetë vjeç, kanë hapur rrjetat duke i pastruar nga papastërtitë dhe duke i bërë gati për daljen e rradhës. Kënaqësia e djaloshit janë një tufë pulëbardhash të uritura që krokëllijnë me zë të çjerrë, të cilave ai iu hedh ndonjë peshk që ka mbetur në rrjetë nga dalja e tre ditëve më parë. Ato në shenjë falenderimi japin shfaqje duke bërë rrathë sipër kokës së tij.

4 Janar 2018

Orët e para të mëngjesit janë edhe orët e fatit për ata që shesin direkt në Liman. Pjesa tjetër i çojnë arkat tek tavernat dhe restorantet. Ora nëntë e gjysmë. Limani gjallon nga njerëzit që kanë rrethuar peshkatarët duke iu hedhur vështrime kurioze arkave e duke këmbyer copëza bisedash me djemtë e Jonit.

“-Ç’keni kapur sot djema?

-Çfarë do ti xhaxha? Nga të gjitha ke!”

Sarandiotët nxitojnë për të blerë peshkun e freskët të sapoardhur nga thellësitë e detit  për të pasuruar me të tryezat e ditëve të ftohta. Peshkatarët, të kënaqur që mundi i tyre po shpërblehet, iu ofrojnë banorëve të qytetit të vogël bashkë me peshkun edhe buzëqeshje të përzemërta.

Kështu rrjedh jeta në Liman. Rreth orës dymbëdhjetë e gjysmë varkat janë bosh dhe njerëzit janë shpërndarë. Tek-tuk të kap syri ndonjë peshkatar që pastron arkat pasi ka shitur gjithë ç’ka pasur. Pjesa tjetër, bashkë me ç’ju ka ngelur pa shitur, u janë drejtuar shtëpive për të drekuar e për tu shplodhur.

Të vetmet zhurma që thyejnë qetësinë janë piskamat e çjerra të pulëbardhave dhe dallgët lozonjare të Jonit që përplasen në breg. Largohem duke marrë me vete një kujtim të paharrueshëm dhe nisem sërish drejt kryeqytetit, aty ku gjallon një tjetër lloj jetese dhe ku peshku i freskët është vetëm teori e restoranteve të mëdha e të vogla, të dëgjuara e më pak të dëgjuara, përdorur si një “grep” për të tërhequr kryeqytetasit drejt tyre.

Autor: Kleodora Elmasllari*

Autorja është studente e Shkencave të Komunikimit dhe Gazetarisë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Univeristeti i Tiranës. 

 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *