Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Ndotja në zonën e Fushë-Krujës sfidon shtetin (Video)

Fushë- Kruja është një ndër zonat e njohura për nivelin e lartë të ndotjes. Fabrikat e çimentos, aktiviteti i guroreve të paligjshme dhe furrat e gëlqëres që djegin goma, lëkurë nga fabirakt e këpucëve e sende shtëpiake, duken si një mallkim për këtë zonë të varfër. Madje shumë familje janë larguar nga fshatrat Cudhi-Zall, Noje dhe Qerekë për shkak të ndotjes së madhe

Aktualisht në qytetin e Fushë-Krujës zhvillojnë aktivitetin e tyre ekonomik disa biznese private, të cilat janë të bazuara kryesisht në prodhimin e çimentos, gëlqeres dhe prodhimit të ziftit.

“Ndotje shumë e madhe. Ka shumë tym nga makinat e mëdha. Si tek fabrika e çimentos është edhe këtu, Fushë-Kruja ka tym jashtëzakonisht të madh”, tregon Manol Nako, banor i Fushë-Krujës.

Në mëngjes sipas banorëve të kësaj zone, ndotja është më e madhe, ku reja e tymit pëprfshin të gjithë qytetin. Kujtim Musliu jeton në periferi të Fushë-Krujës, ndaj thotë se e ndjen ndotjen çdo ditë në mëngjes. “E ndjej aromën e keqe, madje po të ngjitesh në malin e Krujës e shikon ndotjen me sy të lirë, sidomos në kohë të mirë duket shumë.”

Nga vëzhgimi i Citizens Channel rezultoi se një subjekt që përdor djegien e gomave të përdorura për furrat e prodhimit të gëlqeres ndodhet e lokalizuar në fshatin Halil. Po në këtë fshat ndodhet vendi i grumbullimit të mbeturinave urbane të zonës që depozitohen në mënyrë të pakontrolluar dhe fabrika e prodhimit të ziftit.

“Ndotja në Fushë Krujë është, por sigurisht që vjen aroma e keqë, nga fabrika e çimentos, guroret dhe furrat e gëlqeres, ka kontaminim edhe këtu në qënder të qytetit”, rrëfen Ismail Qemolli, pronar i një biznësi të vogël, në qëndër të qytetit të Fushë-Krujës.

Ndërsa Fatbardha Miri, është 60 vjeçarja e cila për shkak të ndotjes, ka dy vite që vuan nga astma. “Më e ndotur se Fushë-Kruja nuk ka. Në mëngjes e në darkë unë bllokohem komplet. Ta pret mendja që të gjitha këto më kanë bërë gjysmë njeriu, me 3 lloj pompash në çantë. Asnjë nuk e vë ujin në zjarr për ne”, përfundon zonja Fatbardha.

Autoritetet lokale

Kryetari i Bashkisë së Krujës, Artur Bushi, sapo mori drejtimin e këtij institucioni pati premtuar se ndërtimi i një landfilli do të ishte primar dhe që do të kishte një bashkëpunim me fabrikat e çimentos për rehabilitimin e zonave të dëmtuara si dhe për mbylljen e furrave të gëlqëres në Krastë të Krujës.

Ndërkohë, sot, puna e kësaj bashkie ka mbetur vetëm në fazën e konsultimeve për gjetjen e një zgjidhje për të parandaluar ndotjen, dhe topin ia kalon Ministrisë së Mjedisit, duke mos pranuar të japë një intervistë lidhur me këtë çështje.

Por pavarësisht masave shtrënguese të ndërmarra nga Ministria e Mjedisit dhe turit nëpër zonat problematikë të Ministrit Klosi, sërish ka nga ata “guximtarë” që ndotin mjedisin, si në fshatin Krastë, rrugës që të çon në qytetin turistik dhe historik të Krujës.

Ndotja në zonën e Fushë-Krujës sfidon shtetin. Megjithëse janë zhvilluar dhjetëra aksione për mbylljen e furrave, ato vazhdojnë aktivitetin në mënyrë ilegale. Madje burime nga Ministria e Mjedisit, thanë për Citizens Channel se është ngritur një grup pune për të vlerësimin e lejeve mjedisore dhe minerare në gjithë vendin si dhe për të evituar guroret dhe furrat e gëlqereve që veprojnë në mënyrë të jashtëligjshme.

[youtube https://www.youtube.com/watch?v=dewyTwzNiL4&w=560&h=315]

Në 18 mars të vitit 2017, Inspektoriati i Mjedisit dhe Pyjeve organizoi një aksion në zonën e Krujës për mbylljen e 21 furrave të gëlqeres, pasi shkaktonin një ndotje të madhe në mjedis duke djegur gomat e automjeteve.

“Në Fushë-Krujë është gangrenë çështja e ajrit që emeton fabrika e çimentos atje, madje të dy fabrikave, se është fabrika e vjetër por edhe fabrika tjetër e çimentos në Borizanë që është vetëm 4-5 km larg Fushë Krujës. Të dyja bashkë krijojnë një efekt ndotjeje shumë të madhe, dhe e gjithë ajo pasuri mjedisore është me të vërtetë me pasoja nga ky aktivitet që shkakton ndotje”, thotë i shqëtësuar ambientalisti Lavdosh Ferruni.

Sipas ligjit, ndotja e ajrit përmes çlirimit të tymrave, gazrave dhe lëndëve të tjera toksike radioaktive e bërë tej kufirit të normave të lejuara përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet. Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim deri në dhjetë vjet.

Autor: E.Gj / Citizens Channel

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *