Shqipëria ndër vendet me taksat më të larta për të ardhurat personale në rajon

“Kam ardhur në bankë për të paguar tatimin mbi të ardhurat personale që është 15% e shumës që u pagova. Konkretisht, për 500 euro që jam paguar, duhet t’i paguaj 75 euro shtetit. Unë punoj me kohë të plotë në një kompani, por angazhohem edhe me punë part time. Ndonjëherë pagesën 15% e bëjnë organizatat që më kontraktojnë, ndonjëherë e paguaj edhe unë në bazë të faturës që më lëshojnë. Është shumë në fakt”, shprehet Anisa, 36 vjeç nga Tirana.

15% e shumës që fitohet është niveli i taksimit për të ardhurat dytësore që një qytetar fiton. E thënë ndryshe, çdo e ardhur shtesë, përveç pagës, taksohet në këtë nivel. Të tilla mund të jenë të ardhurat nga interesat e depozitave, qiratë e ndryshme, të drejtat e autorësisë, të ardhurat nga punët me kohë të pjesëshme, etj.

Tatimi i këtyre të ardhurave njihet ndryshe si tatimi në burim, pasi tatohet pikërisht aty, ku ato kijohen.

“Të ardhurat që krijojnë individët mund të jenë me burim nga marrëdhëniet e punës ose të ardhura nga përdorimi/tjetërsimi i kapitaleve (asete të luajtshme dhe të paluajtshme). Buxheti e regjistron të ardhurën që hyn si tatim mbi të ardhurën personale në zërin po me këtë emërtim. Tatimi mbi të ardhurat nga punësimi është e vetmja kategori taksapaguesi, mbi të cilën zbatohet tatimi progresiv mbi të ardhurat (0%, 13% dhe 23%). Gjithë kategoritë e tjera që taksohen në burim i nënshtrohen një normë tatimore prej 15%. Ky tatim mbahet në burim nga paguesi i të ardhurës dhe derdhet në buxhet në formatin e përcaktuar nga Ministria e Financave sipas afateve të vendosura për deklarimin e të ardhurës personale”, shpjegojnë për Citizens Channel ekspertët e qendrës studimore të taksave Al-Tax.

Sipas tyre, të ardhurat nga tatimi në burim vlerësohen në rreth 230 milionë euro në vit ose sa 11% e totalit të të ardhurave tatimore.

Taksa pa destinacion 

230 milionë euro që sigurohen nga tatimi mbi të ardhurat personale është një shumë relativisht e konsiderueshme për një buxhet të vogël, si ai i shtetit shqiptar. Por a kanë një destinacion këto para që gjenerohen nga tatimi i punës, por edhe i të ardhurave dytësore që qytetarët sigurojnë? Për çfarë përdoren?

“Të ardhurat nga taksimi i të ardhurave dytësore, janë të ardhura të strukturës për buxhetin e shtetit. Pra, ato nuk kanë një destinacion specifik, por futen në atë thesin e madh të thesarit dhe përdoren për mbulimin e çdo lloji shpenzimi buxhetor, duke filluar që nga pagat e pensionet, e deri tek blerjet e mallrave dhe shërbimeve apo ripagesat e borxhit, pa diferencim. Në pasqyrat e treguesve fiskalë të buxhetit, ky si nën-zë konsolidohet brenda zërit të të ardhurave nga tatimi i të ardhurave personale”, shpjegon për Citizens Channel Panajot Soko, ekspert për çështjet fiskale, ish drejtor i Planifikimit Buxhetor në Ministrinë e Financave.

Ekspertët argumentojnë se këto para dalin nga xhepat e të gjithë atyre që kanë një punë ose pasuri që ju gjeneron fitim, por jo domosdoshmërisht shkojnë si përfitim për këtë kategori. Qeveria është ajo që i shpërndan, sipas nevojave që ka vendi.

“Ndërsa barra tatimore për pagën dhe të ardhurat e tjera të individëve kanë një nivel taksimi të lartë krahasuar me shumë nga vendet e Ballkanit nuk ka një qartësi lidhur me destinimin e këtyre të ardhurave. Në tërësi, buxheti i shtetit ka pak zëra që dedikohen për kontribuesit në buxhet. Ndërkohë, emërtim direkt nga buxheti për shpenzime janë kryesisht për shtresat në nevojë. P.sh. për asistencën për familjet e varfëra, fondet për ndërtime për grupe të pastreha, subvencion për kompensim për energjinë, pagesa për raste fatkeqësish natyrore etj. Ndërkohë, shpenzimet që kryhen për pjesën sociale (kopshte, shkolla, spitale), për pjesën ambientaliste (landfill, pastrimi bregdetit), investimet në produktet bujqësore, investimet në infrastrukturën rrugore dhe detare, si dhe gjithë shpenzimet që kryhen në funksion të ngritjes apo forcimit të kapaciteteve administrative, përfshirë komunikimin nëpërmjet teknologjisë janë shpenzime që në 11% të vlerës së tyre mbartin ‘aksionet’ që zotërohen nga paguesit e tatimit në burim për çdo vit”, shprehen ekspertët e qendrës studimore të taksave Al-Tax.

Sipas tyre, familjet shqiptare dhe individët mund ta ndjejnë kontributin që japin në buxhet vetëm nëse krijohen fonde të dedikuara me financim nga buxheti në funksion të grupeve të caktuara të punëmarrësve, apo të pronarëve të aseteve.

Shqipëria, vendi i dytë në rajon për tatimin më të lartë

Shqipëria është një ndër vendet me barrën më të lartë fiskale për të adhurat personale në rajon. E thënë ndryshe, që takson më shumë qytetarët e saj për të ardhurat që ata arrijnë të sigurojnë. Sipas të dhënave të qendrës Al-Tax, barra mesatare sipas normës tatimore në burim, në vendin tonë është 22.4%. Më lart se ne është vetëm Serbia, me 23.7% dhe disa vende që janë pjesë e Bashkimit Europian, si Bullgaria, Rumania dhe Greqia. Të gjitha vendet e tjera të rajonit e kanë nivelin e tatimit të të ardhurave personale më të ulët.

Taksimi i lartë i të ardhurave personale dhe veçanërisht atyre dytësore, që tek ne është 15% do të thotë se më pak para mbeten në buxhetet e qytetarëve dhe më shumë në arkën e qeverisë. Një politikë që mund të dekurajojë njerëzit që të angazhohen në punë të dyta ose të vënë në shfrytëzim pasuritë e tyre.

Në një reaksion zinxhir efektesh kjo do të përkthehej në më pak konsum e më pak mirëqënie. Prandaj ekonomistët thonë: “Paraja në xhepin e individit është paraja e shpenzuar më mire.”

Tatimi mbi Burim

Autor: Aurora Sulçe*

Autorja e shkrimit është autore dhe moderatore e emisioneve ekonomikë “Ekopolitikë” dhe “Para e pasuri” në TV “Ora News”

Leave a Reply

%d bloggers like this: