Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Infermierët braktisin Shqipërinë / Shoqatat: Paguhen më pak se një sanitare

Ndërsa Ministria e Shëndetësisë prezantoi me shumë bujë portalin “Infermier për Shqipërinë” në fakt spitalet tona po braktisen çdo ditë nga ky personel ndihmës. Vetëm gjatë 2017-ës, zyrtarisht mbi 600 infermierë u larguan drejt Gjermanisë, duke u zëvendësuar në spitalet tona me personel më me pak eksperiencë, shifër kjo që sipas shoqatave është shumë më e lartë.

Elson Jaçaj bën pjesë në atë që mund të konsiderohet armata e re e infermirëve. Por ndryshe nga bashkëmoshatarët e tij që kanë zgjedhur të shikojnë si mundësi punësimi spitalet jashtë, ai në fakt ka zgjedhur jo vetëm të qëndrojë në Shqipëri, por edhe të jetë në pararojë të mbrojtjes së interesave të profesionit të infermierit, që sipas tij “nuk po jeton ditët më të mira”.

Prej më pak se dy vitesh ai drejton Shoqatën e Infermierëve, por kjo nuk e pengon të shohë “të metat” e atyre që e ushtrojnë këtë profesion dhe të vërë gishtin mbi plagë. Duke qenë se prej disa vitesh ushtron profesionin pranë kirurgjisë së QSUT-së, Elsoni ngre pikëpytje të mëdha mbi politikat e ndjekura ndaj kësaj kategorie të rëndësishme në mbarëvajtjen e të gjithë sistemit shendetesor.

“Ne na shqetëson fakti që nuk po ikin vetëm të rinjtë, por edhe profesionistë. Shumë vende pune po lihen bosh dhe ka mangësi në shërbime të ndryshme spitalore, mangësi në shërbim ndaj pacientit. Unë mendoj se vetëm në një vit kanë ikur më shumë se 800 infermierë dhe e dini cilat janë arsyet? E para është paga e ulët! Në disa raste një infermier paguhet më pak se sa një sanitare. Aktualisht një sanitare merr 40 mijë lekë në muaj, ndërsa inferimiri që ka përgjegjësi direkte për kurimin e të sëmurit merr 38 mijë lekë në muaj. Më të paguarit janë infermierët e kirurgjisë dhe reanimacionit, që janë të vetmit edhe që iu rrit paga mujore dhe iu shkon deri në 51 mijë lekë. E dyta janë kushtet e punës. Përveçse ka fluks të jashtëzakonshëm ka shumë mungesa në mjetet spitalore. Gjëja më minimale janë dorezat, që në spitalet tona nuk ekzistojnë. Personalisht unë punoj në urgjencën e QSUT-së dhe në 16 orë punë na duhen 10 palë doreza, të cilat ne i sigurojmë vetë nëpër farmacitë private. Një tjetër gjë janë infeksionet: tek ne akoma punohet me teknika shumë të vjetra. Ta zëmë ne akoma e thyejmë një ampulë më dorë, që ekziston mundësia të vritesh dhe të infektohesh, ndërkohë bota ka kohë që e ka zëvendësuar këtë procedurë me teknika shumë të specializuara. Këto janë vetëm disa nga arsyet që i kanë detyruar infermirët të “braktisin” spitalet tona”, na thotë Jaçaj.

Elson Laçej duke folur për Citzens Channel. Foto: E.K / Citizens Channel
Infermieri Elson Jaçaj duke folur për Citzens Channel. Foto: E.K / Citizens Channel

Edhe Mimoza Kalaja, e cila punon që prej 32 vitesh si infermiere, ka mbajtur postin e kryeinfermieres në QSUT,  ka kryer trajnime të shumta e specializime në Kanda, Francë e Zvicër dhe që prej disa vitesh është e angazhuar me trajnimin e infermirëve në të gjithë vendin nëpërmjet qendrës “T.A.SH” e shikon me skepticizëm situatën aktuale ku gjendet ky profesion.

“Numri i atyre që po ikin është shumë më i madh, pasi shumica nuk e deklarojnë sepse nuk duan të humbasin vendin e punës. Kjo është një këmbanë alarmi. Koha e artë e infermierisë ishte periudha nga 1997-2005, kohë gjatë së cilës infermieria pësoi një evolucion dhe progres të jashtëzakonshëm, falë ndihmës së një projekti zviceran që transformuan infermierët qoftë në mentalitet, qoftë në organizim, qoftë në mësimdhënie. Ndërsa sot unë do a quaja një regres për infermierinë.”

Ajo e sheh me skepticizëm përgatitjen e infermierëve dhe sipas saj është burimi i të gjithë kësaj situate ku ndodhet aktualisht infermieria si profesion.

“Librat e infermierisë janë një katastrofë, të paakredituara dhe pa qenë të studiuara nëse janë për infermiri apo jo. Por ajo që unë e shikoj si një rrezik shumë të madh është mësimdhënia e stafit mjekë për infermierët. Sigurisht që ne kemi nevojë për disa lëndë mjekësore, por aty shumica e lëndëve janë mjekësi. Kjo solli një humbje të madhe të orëve të praktikës. Infermieria ka nevojë për të paktën 60-70% të orëve praktikë dhe vetëm pjesa tjetër teori, ndërkohë që tek ne ndodh krejt e kundërta”, na thotë Kalaja.

Ajo na jep një rast fare të thjeshtë se çfarë ndodh mos mësimi i praktikave infermierore në fakultet. “Po të marr një rast të thjeshtë. Vetëm për të veshur dorezat një infermiere jashtë ka një protokoll strikt dhe radhën, pra se cilën dorezë do të veshë të parën, nuk e ngatërron dot. Për ta mësuar këtë ata bëjnë praktikë me orë të tëra, në atelie dhe në stazh ndërsa këtu tek ne kalon vetëm me një orë”, shpjegon ajo për Citizens Channel.

Edhe Elsoni ndan të njëjtën mendim me kolegen e tij sa i përket përgjegjësisë që edukimi. “Mbarojnë një fakultet, por nuk është i plotë. Pikërisht është kjo arsyeja që i kemi kërkuar fakultetit të shkencave mjekësore që të vendosen disa standarde. Ta zëmë, nëse një student bën lëndën e kirurgjisë këtë semstër, ne kërkojmë që në fund të saj duhet të bëjë praktikën në kirurgji. Ndërkohë që aktualisht studentët e infermierisë bëjnë 5-6 lëndë të ndryshme në një sezon dhe bëjnë ta zëmë 2 javë praktikë në pediatri, që nuk ka lidhje fare me lëndët që ka bërë. Që do të thotë se ky sistem e ç’orienton studentin”, pohon Jaçaj.

Por si përgatiten infermierët e ardhshëm?

Mimoza, e cila ka më shumë se tri dekada përvojë brenda e jashtë Shqipërisë, thotë se nga bankat e shkollës dalin profesionistë të papërgatitur. “Ne kemi nevojë për praktikë: si ta mbajmë shiringën, si ta mbajmë pambukun, kemi nevojë për të mësuar si duhen respektuar rregullat për të vendosur një kateter, ne kemi nevojë të mësojmë se si duhen veshur dorezat dhe të gjitha këta bëhen thuajse aspak në praktikë”, shprehet ajo e revoltuar.

Mimoza Kalaja gjatë një trajnimi me infermierë. Foto: Private QSUT
Mimoza Kalaja gjatë një trajnimi me infermierë. Foto: Private

E në këtë situatë duket se infermierët janë të detyruar ta vjedhin profesionin.  “Po, e vjedhin profesionin, por më shqetëson fakti se edhe atë që po vjedh po e merr gabim. Mua më shqetëson fakti se infermierët disa praktika i kanë përvetësuar gabim dhe nuk e dinë që kjo është e gabuar. Ndaj unë këmbëngul që është krejtësisht e gabuar që studentët e ekselencës të mjekësisë t‘i emërosh pedagogë tek infermieria. Këtu nuk jemi në balet dhe na duhen vajza e djem të rinj, po flasim për një profesion që pak ka lidhje me atë që mund të bëjë një mjek”, shpjegon Mimoza.

Ndryshe nga Mimoza, Elsoni mendon se as infermirët e rinj nuk janë pa faj, kur vjen puna për “të vjedhur” sekretet e profesionit. “Faji është nga të dyja anët. E para faji është edhe i infermierëve “të vjetër” po themi të cilët, për shumë arsye, nuk i ofrohen studentit-praktikant për ta mësuar. Por nuk ka interes as nga studentët e rinj. Ata vijnë, rrinë gjysëm ore, ikin nëpër kafe dhe në fund duan vetëm atë vërtetimin që kanë bërë praktikën”, na shpjegon Jaçaj.

Zgjidhja e situatës

Mimoza e ka të qartë: Ndryshim i politkave sa i përket mësimdhënies, kategorizim të infermirëve dhe mundësi për të bërë karrierë, gjë që aktualisht është e pamundur.

“Një infermier e dallon nga mjeku përkujdesja, dhe ne për këtë kemi nevojë. Shumë afër nesh, Kosova dhe Maqedonia, dekani i infermierisë është infermier. Sistemin e infermierisë e kanë tamam me një hirearki të mirëpërcaktuar, ndërsa tek ne jo vetëm që të gjithë drejtuesit dhe pedagogët janë mjekë, por edhe na stigmatizojnë duke na thënë: infermiere të paafta, infermiere të pazonja, që nuk dimë…ndërkohë që janë vetë ata që na përgatisin. Unë mund të them që ka plot kapacitete në radhët e infermierëve që mund të drejtojnë dhe përgatisin infermrët e rinj. Është kjo arsyeja që ne do të negociojmë fort që të reformohet mënyra e mësimdhënies. Po ashtu shkolla duhet të fillojë të punojë dhe të projektojë kategorizimin e infermierëve, e cila si fillim nis si infermiere e re, pastaj ndihmës infermire që merret me kujdesjet bazë, e shëtit, e lan, i mat parametrat, i jep ilaçet të sëmurit (gjëra që nuk t’i mëson mëson shkolla, por praktika), pastaj infermiere teknike dhe kur ta meritojë ngrihen në kategori, dhe bëhen në infermiere specialist”, na shpjegon Mimoza Kalaja.

Mimoza mendon se për të ndryshuar situatën nuk duhen shumë para, por vetëm vizion. “Infermieria nuk do shumë buxhet, por ka nevojë për vlerësim. Sigurisht që edhe midis infermirëve ka të korruptuar, por duhet të dish t’i menaxhosh. Në infermieri s’ka demokraci mendimi, në infermieri ka vetëm protokoll. Kaq e thjeshtë është”, përfundon ajo.

Ndërsa për Elsonin ka plot mënyra për të ndryshuar. “Që nga mënyra se si vendoset kryeinfermieri, i cili duhet të jetë shembull për të gjithë dhe jo një person që e ka marrë këtë post për shkak të njohjeve dhe jo aftësive. Kemi kërkuar që për kryeinfermirë të hapet konkursi për vendin ne punës dhe të konkurrojnë të gjithë ata që plotësojë kriteret e të fitojë më i miri, por kjo nuk ndodh. Kemi kërkuar që edukimi në vazhdim të mund të ofrohet pa pagesë për infermirët, pasi kjo e rëndon buxhetin e tyre. Pastaj si ka mundësi që kemi disa fakultete infermierie në vend dhe asnjëra nuk e ka kurrikulën njësoj? Njëri ka sistem italian, tjetri anglez, por në fund dalin të gjithë infermierët me të njëjtën diplomë. Tjetra është: si ka mundësi që fitojnë 300 infermierë dhe diplomohen 300 infermierë, ndërkohë që në praktikë nuk janë aq të aftë? Duhet të ketë më shumë filtra, por jo vetëm infermierët por e gjithë shëndetësia”, shpret Jaçaj për Citizens Channel.

Destinacioni Gjermani

E nësenjë pjesë e konsiderueshme po zgjedhin të ikin jashtë, Elsoni na shpjegon se ndonëse jo gjithçka shkon vaj sërish ata preferojnë Gjermaninë në vend të Shqipërisë.

“I gjithë publiciteti që bëhet është thjesht për t’i tërhequr. Ata nuk marrin as pagat që pretendohet, por as punojnë nëpër spitale. Por krahasim me kushtet e punës dhe pagat në Shqipëri ata prapë shprehen se janë më mirë. Përgjithësisht shkojnë nëpër qendra sociale, në spitale për të moshuarit, në kujdesin nëpër familje dhe vetëm ata që mund të kenë një eksperiencë shumë të mirë në vendin tonë, mund të gjejnë punë në spital dhe të punojnë infermierë. Shumica punojnë ndihmës/infermier, derisa sa të plotësojnëe dhe pjesën e mangësisë që kanë nga praktika pasi diploma nuk është se njihet e plotë”, na thotë Elsoni, i cili shton se nuk mungojnë as rastet e mashtrimeve.

“Thuhet që mund të punojnë edhe në profile të tjera, si mami, teknikë, por në të vërtetë ata kërkojnë vetëm infermierë. Nëse këtu tek ne, për shkak edhe të mungesave të shumta, ka edhe që janë teknikë laboratori por mund të punojë infermier, ose je infermier dhe punon tek imazheria, në vendet e BE-së kjo është krejtësisht e pamundur”, pohon Jaçaj, i cili pranon se të gjitha këto në fund fare janë kosto që bien mbi shërbimin ndaj pacientit.

Autor: E.K / Citizens Channel

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *