Tirana, qyteti ku denoncohet më shumë dhuna në familje, Tropoja qyteti me më pak denoncime

Grua duke transportuar bar në zonën e Nikaj-Mërturit. Foto: Amarildo Topi / Citizens Channel Grua duke transportuar bar në zonën e Nikaj-Mërturit. Foto: Amarildo Topi / Citizens Channel

Çështjet e dhunës në familje dhe kryesisht ndaj grave mbeten një plagë e shoqërisë shqiptare.

Fenomen i cili ka prodhuar ngjarje tragjike si ai më e fundit ku Ariola Murati u vra pasi refuzoi një lidhje të imponuar nga dhuna apo Suelës e vrarë në Shkodër pasi bashkëshorti kishte frikë se po ta ndante me një proces civil ajo do t’i merrte gjysmën e pasurisë.

E për këtë krim S.Sula urdhëroi që vrasjen ta kryente një prej punëtorëve të mobilierisë që çifti kishte në bashkëpronësi.

Citizens Channel ka siguruar një raport ekskluziv të diskutuar së fundmi në aulën e qeverisjes së gjyqësorit. Pikërisht në sallën e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, aty është raportuar se për më shumë se një vit në Shqipëri janë dërguar para drejtësisë 5179 raste dhune në familje për periudhën Janar 2016-Prill 2017.

E ndarë nëpër qytete rezulton se më shumë denoncime ka në Tiranë dhe më pak Tropojë.

Sipas këtij raporti qyteti ku gratë janë më të guximshme për të denoncuar dhunën në familje nga bashkëshortët, familjarët apo të afërm mbetet Tirana. Kjo edhe për shkak të numrit më të lartë të popullsisë, por sërish dhe në këtë qytet dhuna dhe krimet në familje nuk kanë munguar.

KLD Raport

Nga 1 janari 2016 deri më 30 prill 2017 në Gjykatën e Tiranës janë shqyrtuar plot 1390 çështje, afro 90 të tilla në muaj.

Qyteti i dytë ku denoncimet e përfunduara në gjykatë për të njëjtën periudhë është Durrësi me 628 çështje, ndjekur nga Elbasani me 366 çështje.

Më pas në listë renditen Fieri me 357 çështje, e konsideruar si Parisi Shqiptar Korça me 348 çështje, Vlora me 273, Berati 331 dhe Lushnja me 260 .

E kundërta ndodh me qytetet e pjesës veriore të shqipërisë, ku me vetëm 18 çështje listën me numrin më të pakët të denoncimeve të përfunduara në gjykatë e kryeson Tropoja.

Më pas është Puka me 31 çështje, Kukësi me 42 çështje, Dibra  76 çështje, Kurbini 67 çështje ndjekur më pas nga Kruja me 89 çështje për të njëjtën periudhë Janar 2016-Prill 2017.

Në mesin e këtyre ekstremve nisur nga Tirana me 1390 çështje deri në Tropojë me vetëm 18 çështje, janë dhe qytete si Lezha me 195 çështje, Kavaja me 146 çështje, Saranda me 120, Pogradeci me 95, Gjirokastra me 87 dhe Përmeti me 23 çështje.

Raporti u prezantua në KLD pas kërkesës së kreut të saj, presidentit Ilir Meta, dhe shkas për të parë situatën e gjykimit të rasteve të dhunës u bë ngjarja e vrasjes së gjyqtares Fildez Hafizi nga ish bashkëshorti i saj Fadil Kasemi.

Nga analiza e bërë në lidhje me sjelljen e gjyqësorit me lëshimin e urdhërave të mbrojtjes për dhunën në familje bie në sy dhe një numër i lartë i pushimit të çështjeve.

Në qytetin e Korçës janë plot 171 raste të pushuara e kjo sipas raportit për shkak se e dëmtuara apo kallëzuesi i dhunës është tërhequr gjatë shryqrtimit të urdhërit të mbrojtjes në seancë.

Ky raport nxjerr në pah se i vetmi qytet ku institucionet janë bashkë për të luftuar dhunën në familje është Lezha. Gjyqësori në Lezhë bën takime me komisariatin e policisë, policinë bashkiake dhe zyrën e avokatisë për të monitoruar rastet e dhunës dhe respektimin e urdhërave të mbrojties.

Në bazë të këtij raporti Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka përpiluar dhe 6 rekomandimet, ku thuhet se ‘’kjo situatë duhet të publikohet në çdo gjykatë për të veçuar përvojat pozitive dhe ato negative, brenda sistemit të drejtësisë të ngrihet një bazë të dhënash për dhunën në familje dhe të përmirësohet proçedura e hedhjes së shorteve nëpër gjykata për rastet e dhunës në familje’’.

Ndërkohë në pikat 6 dhe 7 të rekomandimeve KLD në raport me institucionet përgjegjëse për këtë situatë kërkon që Ministria e Brendshme të rrisë cilësinë e veprimtarisë së Policisë së Shtetit në lidhje me dhunën në familje si dhe Prokuroria e Përgjithshme të njihet me këto gjetje.

Prej më shumë se një viti ndryshimet në Kodin Penal, krimet brënda familjes dhe ato për shkak të mardhënieve familjare trajtohen nga Prokuroria dhe Gjykata e Krimeve të Rënda.

Dënimet për këto krime janë maksimale deri më burgim përjetë, ku me anë të kësaj tabele Citizens Channe po ju sjell një pasqyrë të dënimeve dhënë në 2017 mes tyre dhe 5 dënime me burg përjetë.

Tabela e dënimeve të dhënë nga krimet e rënda

Edi M., i dënuar me 7 vite për tentativë vrasje të xhaxhait të tij.

Afrim K., i dënuar me burg përjetë, konvertuar në 35 vite për vrasjen e vëllait të tij.

Shpëtim G., dënuar me burg përjetë për vrasjen e gruas së tij Resmie G..

Mirela B., dënuar me 16 vite për vrasjen e bashkëshortit të saj Shkëlzen B..

Kasem L., i dënuar me burg përjetë për vrasjen e bashkëshortes Afize L. dhe plagosjen e kunatës.

Denis Z., i dënuar me burg përjetë për vrasjen e kushëririt të tij.

Autor: A.R / Citizens Channel

Leave a Reply

%d bloggers like this: