Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Nis zbatimi i “Tri lëndë në 6 orë”, mësuesit e nxënësit pro dhe kundra nismës së re

Mësuesit nuk e kanë marrë shumë seriozisht nismën “Tri lëndë në 6 orë”, ndonëse u prezantua dhe u vendos në mënyrë rrufe nga Kryeministri dhe Ministria e Arsimit. Të mësuar me reforma “që bien nga qielli” edhe në mes të vitit shkollor, por që nuk monitorohen asnjëherë, edhe këtë herë ata kanë “shtruar kurrizin” për të pranuar pa asnjë lloj entuziazmi atë që u urdhërohet nga lart.

Nisma “Tri lëndë në 6 orë” ka filluar zbatimin në të gjitha shkollat e vendit më 5 shkurt. Si pasojë të gjitha shkollat e sistemit parauniversitar kanë përmbysur oraret dhe planet mësimore për t’iu përshtatur, asaj që Ministria e Arsimit e konsideron refomën më transformuese.

Por përtej entuziazmit të qeverisë për këtë nismë, ata që e kanë në dorë këtë reformë, pra mësuesit, e kanë marrë si një gjë rutinë dhe pa asnjë lloj impakti.

“Na e dhanë për t’u bërë dhe do e bëjmë. Për ne njësoj është. Do të bënim një orë të hënën dhe një orë të mërkurën, kurse tani do bëjmë dy orë rrjesht të hënën. Por problemi nuk është që të ezaurojmë temat e mësimit, problemi është a na rritet cilësia? A ndryshojmë gjë me këtë? Unë për vete jam shumë skeptike”, na thotë një mësuese fizike në Tiranë, që nuk dëshiron të identifikohet, pasi i druhet një tërheqje vëmendjeje nga drejtuesit e arsimit. Dhe ajo nuk është e vetmja. Kur i pyet të përgjigjen me të qeshur. “Eh sa gjëra kemi bërë ne, sigurisht që edhe këtë do ta bëjmë”.

Ina Kasimati, mësuese bio-kimie tek gjimnazi “Andon Zako Çajupi”, nuk është nga ato që bën kompromise. Ndaj ajo nuk e ka problem të shpjegojë për Citizens Channel rezervat që ka për këtë reformë të ndërmarrë nga Ministria e Arsimit.

“Parimisht mund të jetë një reformë e mirë, pasi i lë më shumë kohë si mësuesit ashtu edhe nxënësit që të kuptojnë temën e re. Duke i bërë dy orë rrjesht, si mësuesi, ashtu edhe nxënësi kanë mundësi që të punojnë më shumë dhe ta kenë më të qartë konceptin e ri, por problemi është qëndron në faktin se kjo reformë nuk është e pilotuar. Ne jemi tashmë në mes të një reforme me kurrikulat e reja dhe pa u mbyllur njëra, na serviret një tjetër reformë që e ndryshon të gjithë strukturën e punës së deritanishme. Konkretisht, unë personalisht po bëja gati planin mësimor për tre-mujorin e dytë, ndërkohë që tashmë mua më ndryshoi komplet kjo strukturë pasi duhet të bashkoj orët. Dhe tani më duhet që gjysmat e temave që i kisha parashikuar teori, pra shpjegim i ri, t’i zëvendësoj me praktikë”, na thotë Kasimati.

Sipas saj e keqja e sistemit tonë arsimor është se nisen reforma dhe asnjëherë nuk ka vlerësime se i kanë shkuar. “Ajo që kemi nevojë ne nuk janë nisma të tilla, por që të vlerësohen reformat që kemi ndërmarrë. Sa efikase kanë qenë ato çfarë ka funksionuar dhe çfarë jo, për çfarë kemi nevojë dhe jo të dalësh një ditë dhe t’u thuash mësuesve se që tani e tutje do ta bëni kështu. Ne do ta bëjmë, por ne që jemi me të vërtetë zbatuesit, nuk na pyet njeri se si duhet bërë dhe cila është më e mira”, sqaron mësuesja nga gjimnazi Çajupi . 

Për të ka njëmoskoherencë jo vetëm në kurrikaluat e arsimit parauniversitar por nuk bëhet as lidhja me universitetin. “Kemi kurrikula të reja në arsimin parauniversitar, ndërsa në shkollën e lartë vazhdojnë po njësoj. Ajo shkon zinxhir. shkolla jonë ka ngecur vetëm tek pjesa teorike dhe kemi harruar se nxënësin duhet ta aftësojmë për jetën”, përfundon Ina Kasimati.

Pro dhe kundra

Esmeralda Cuka, maturante pranë gjimnazit “Sami Frashëri” në Tiranë mendon se kjo nismë nuk do të jetë e lehtë për vetë nxënësit. “Unë mendoj se ajo që duhet të ndryshojë vërtetë është kurrikula dhe jo se sa lëndë bëjmë në ditë. Konkretisht ne kemi 16 lëndë dhe janë shumë. Sa i përket idesë për t’i bashkuar dy orë në një, unë mendoj se jo të gjithë nxënësit do të mund ta përballojnë. Ta zëmë nëse ne në një ditë bëjmë dy orë matematikë, dy orë fizë dhe dy orë kimi ta garantoj unë që është shumë e lodhshme. Por nga ana tjetër, ta zëmë kemi gjuhë të huaj që do ta bëjmë një herë në javë, deri sa të vijë java tjetër e sigurtë që e kemi harruar, ndërsa duke e pasur dy herë në javë me nga një orë t’i ke kontakte më shpesh me librin”, na thotë maturantja Cuka.

Rea Agalliu. Foto: Esmeralda Keta
Rea Agalliu. Foto: Esmeralda Keta

Por ndryshe nga Esmeralda, Rea Agalliu, nxënëse dhe senatore e klasës së VI/A te shkolla “Vasil Shanto”, është entuziaste. Sidomos kur kujton atë çantën e rëndë, që peshon më shumë se 7 kg dhe i duhej ta mbante gjatë gjithë kohës në kurriz dhe si pasojë kishte dhimbje shpine. Por jo vetëm për këtë. “Mendoj se është shumë më mirë tani me 90 minuta, pasi tashmë jo vetëm që do t’u vijë radha të gjithëve të pyeten, por edhe do të testohen njohuritë e të gjithëve. Ne jemi shumë nxënës në klasë dhe me 45 minuta është e vështirë që të kontrollohen njohuritë, shpresoj që me këtë nismë diçka të ndryshojë”, na thotë Rea. 

Arian Peraj, i cili jep lëndën Gjuhë Shqipe që prej 31 vitesh dhe mban edhe titullin “Mësues Mjeshter” e konsideron qesharak këtë vendim dhe për të dështimi është i pritshëm.

“E çfarë mund të presësh nga një nismë e detyruar, të cilën po përpiqen ta mbrojnë me argumentin qesharak ‘lehtësim i peshës së çantës së nxënësit’? Reformat në arsim nuk bëhen me qëllim peshën e çantës, por reformat synojnë të përmirësojnë cilësinë. Unë jam i bindur se ky është vetëm një eksperiment i radhës dhe  deshtimi është i pritshëm”, na thotë Peraj, i cili është njëkohësisht edhe kryetar i Sindikates së Arsimit për Rajonin e Shkodrës.

Arian Peraj. Foto: Private arsimi citizens Channel
Arian Peraj. Foto: Private

Matilda Bega, kryetare e bordit të prindërve të shkollës “Vasil Shanto”, na thotë “se për fëmijët e vegjël është shumë mirë, sepse ata që mësojnë kanë kohë edhe t’i mësojnë, ndërsa për ata 9-vjeçares më duket pak problematike”.

“Marrim rastin e lëndëve që kanë një herë në javë, me këtë sistemin e ri i bie që ta bëjnë njëherë në dy javë, dhe duke pasur këtë distancë të gjatë kohore, mund të ndodhë që në vend që të ndihmojë në fakt të kthehet në të kundërtën e saj, pasi pas dy javësh ata e kanë harruar fare se çfarë kanë bërë. Ndërsa për gjuhën e matematikën është më ndryshe pasi ata janë thuajse përditë. Ne si prindër mund të hasim vështirësi në kontrollin e fëmijëve pasi sasia e dijeve që ata kanë marrë në 90 minuta është më e madhe se sa kanë marrë deri më tani. E mira e madhe për fëmijët sigurisht që është pesha e çantës që do të përgjysmohet”, shprehet Bega për Citizens Channel.  

Për mësuesin dhe sindikalistin Arian Peraj, asnjë shkollë nuk është e gatshme të eksperimentojë në gjysmë të procesit mësimor dhe duke qenë se kjo është një nismë që u është servirur mësuesve ta zbatojnë me dhunë dhe pa asnjë altereativë do të sjellë një sërë problemesh.

“Ka probleme me planet mësimore, me hartimin e objektivave, me infrastrukturën, me probleme të ngarkesave mësimore, e shumë e shumë të tjera. Pa hyrë në analiza shkencore, por me pak logjikë pedagogjike mund të rreshtoj disa nga problemet që shkakton kjo nismë: Mbingarkesë tek nxënësit si në klasë si në shtëpi me përthithjen dyfish të lëndës së re dhe me atë të punëve me shkrim; Diferenca kohore e lëndës nga dita në ditë, gjë që shkakton edhe mungesë të marrjes së dijeve; Mungesa e larmisë së lëndëve do të ketë efekte edhe psikosociale moshore tek fëmijët; Monotonia dhe mungesa e interesit tek nxënësit”, thotë Peraj.

Ai na rendit edhe arsyet se përse është skeptik ndaj kësaj nisme. “Së pari kjo nismë do një studim pas pilotimit dhe implementimit në një vit shkollor. Edhe ky veprim aventuresk, siç ishte kurrikula e re arsimore do jetë dështim me pasoja në formimin dhe mësimnxënien e një brezi të tërë. Së dyti,pesha e çantës ka një zgjidhje shumë të thjeshtë. Tashmë të gjithë e dimë se viti shkollor është ndarë në tre tremujorë të barazvlefshëm, gjë e cila mund të kthehet edhe në ndarjen e teksteve në tre pjesë dhe njëkohësisht edhe kërkesa për cilësi letre më të lehtë dhe pa probleme kimike që janë delikate për shëndetin e nxënësve janë të zgjidhshme”, shpjegon Peraj, i cili është i bindur se “edhe kjo fatkeqësisht do ndjekë fatin e deshtimeve të njëpasnjëshme kohët e fundit në performancen e shkollës shqiptare”.

Përkundër skepticizmit të disave, Teuta Braçaj, drejtoresha e gjimnazit “Petro Nini Luarasi” është entuziaste. Ata e kanë bërë gati tashmë orarin e ri, ndërsa shpjegon se prej disa vitesh e aplikojnë këtë sistem për disa lëndë të caktuara.

Teuta Braçaj duke folur për Citizens Channel. Foto: Esmeralda Keta
Drejtoresha e gjimnazit Petro Nini Luarasi, Teuta Braçaj, duke folur për Citizens Channel. Foto: Esmeralda Keta

“Unë mendoj se kjo nismë nuk ka nevojë për testim. Në shkollën tonë ne bëjmë Edukimin Fizik dhe modulin Junior dy orë në të njëtën ditë. Po ashtu e aplikojmë këtë sistem edhe për Teknologjinë e Informacionit, pasi nxënësit duhet të shkojnë në laborator dhe ne kemi zgjedhur që të zhvillojmë dy orë në të njëtën ditë. Por në Tiranë ka edhe plot shkolla të tjera, që e aplikojnë këtë sistem siç janë gjimnazet dygjuhësh. Është kjo arsyeja se përse kjo nismë nuk kishte nevojë për testim, pasi kjo është një nismë e provuar tashmë. Dhe e dyta nuk është e shkruajtur asgjëkundi se nëse një lëndë është dy herë në javë, atë një orë sot dhe një orë pas dy ditësh. Ne vetë i kemi ndarë. E treta jemi në një tremujor të ri, dhe ky ishte momenti të dorëzonim një plan tremujori të ri dhe janë bashkuar temat bashkë. Është treguar kujdes që të bashkohen ato tema që shkojnë me njëra-tjetrën dhe ndihmojnë njëra-tjetrën dhe jemi kujdesur që në të dy orët të mos jenë njohuri të reja, por njëra të jetë njohuri e re dhe tjetra përforcim, ushtrime, etj. Sa për cilësinë e orës së mësimit jam shumë e sigurtë se kjo do të jetë shumë më efikase, pasi ajo ora 45 minutëshe nuk na dilte asnjëherë. Kurse tani jo vetëm do të kemi mundësi të japim një temë të re, ndërsa në orën e dytë do të kemi mundësi ta përforcojmë këtë njohuri, të punojmë me pyetjet apo  ushtrimet për lëndën e re dhe në shtëpi duhet të bëjë vetëm një përsëritje”, na thotë Braçaj.  

Autor: Esmeralda Keta

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *