Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Të rinj, të edukuar dhe pa punë – Rinia kërkon të ardhmen larg Shqipërisë

Nga Deada Hyka*

Raporti ofertë-kërkesë në tregun e punësimit, shkollimi dhe trokitja në dyert e call center-ave tashmë në krizë, krijimi i eksperiencës dhe problematikat e tregut të punës. Gjenerata e të papunëve lëngon në një treg të vështirë…

Papa Francesku ka thënë “Një gjeneratë pa punë është një disfatë e së ardhmes së një vendi”. Në fakt, problematika e papunësisë është një temë e nxehtë kudo në botë dhe një gjemb në thembër për shumicën e shoqërive. Po në vendin tonë?

Problemi i papunësisë së të rinjve në vendin tonë ka ardhur duke u përkeqësuar dhe çudit korrelacioni. Por, cilat mund të jenë arsyet për shpresë? INSTAT raporton  shkallën më të lartë të papunësisë e kanë grupmosha e të rinjve, deri 29 vjeç, e që në tremujorin e tretë të 2017 ishte 26 %. Nismat e qeverisë për të rregulluar mospërputhjet mes edukimit dhe tregut të punës, kthimi i syrit nga profesionet, kompanitë të marrin më tepër përgjegjësi për të investuar tek të rinjtë, në vend që t’i kërkojnë “eksperiencën”. Si dhe, teknologjia: ajo shihet nga të gjithë ekspertët e punësimit si ndihma e edukimit, trajnimit dhe shtimit të njohurive.  

Kriza call center

Call Center ka qenë oaz shpëtimi për shumë vite të të rinjve, të cilën ndonëse diplomoheshin, nuk arrinin që të punësoheshin në fushën e tyre të edukimit. Por, fati nuk po u buzëqesh më call center-ave në Shqipëri. Si nisi kriza? Në Itali, në datën 1 prill 2017, hyri në fuqi ligji “Për delokalizimin” e call center, i cili shtrëngoi rregullat për zhvendosjen e aktivitetit nga Italia drejt shteteve joanëtare të BE-së.

I miratuar në dhjetor të vitit 2016, ligjit iu la një periudhë tranzitore për të hyrë në fuqi me qëllim që kompanitë të njiheshin me rregullat e reja, zbatimin e standardeve, raportimin e numrit të punonjësve, adresave të selive, mbrojtjes së të dhënave etj. Efektet e para nisën që vitin e shkuar, gjatë të cilit raportohet mbyllja e së paku 30 call center-ave në fushën e telemarketingut. Sipas të dhënave të INSTAT, sektori punësonte rreth 25 mijë persona.

Alma Kuçi, 29 vjeçe tregon se call center-i ishte alternativa më e mirë e punësimit për të, sapo mbaroi studimet për Financë, pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës. “Pas një sërë përpjekjesh për të gjetur një punë në fushën time, u dorëzova. Fillimisht gjeta punë në Durrës në një call center, më pas me ardhjen time në Tiranë, kërkova këtu. Tashmë kam më shumë se gjashtë muaj pa punë. Vërtet nuk bëja një punë karrieriste, megjithatë kisha të ardhura të qëndrueshme. Tani jam sërish në kërkim”, tregon Alma për Citizens Channel.

 Joshja” matanë detit 

Hoteleria duket si një ndër mundësitë më të mira për të rinjtë që duan të ikin jashtë. Vende të tilla pune janë të përqendruara kryesisht në shtetet arabe, por edhe shtete oqeanike. Ermal Jauri administrator i “Europa Agency” tregon se të rinjtë interesohen për punë të tilla, të joshur nga rroga të majme, si dhe kontratat 2-3 vjeçare të leverdishme. Në kushtet ku nuk u kërkohet eksperiencë pune të sapodiplomuarve, krashasuar me vende pune profesionale, ata interesohen për punë në hoteleri, duke qenë se edhe trajnimi ofrohet nga vetë kompanitë, tregon z. Jauri.

Një ndër plus-et e të rinjve shqiptarë, sipas administratorit të agjencisë së rekrutimit, është edhe njohuria e mirë e anglishtes dhe që janë lëhtësisht të përshtatur në situata pune të ndryshme. Jauri shton se të rinjtë kërkojnë për mundësi jashtë, të pakënaqur me nivelin e pagave në Shqipëri.

Erlin Duqi, i shkolluar në fushën e veterinarisë në Tiranë, me një eksperiencë 6 vjeçare punësimi në një spital privat në periferi të kryeqytetit, sërish mendoi të ikte jashtë. Ai aktualisht punon prej më shumë se sa një vit, në një spital veterinar në Oman, si veteriner kirurg. I pyetur se pse u largua, duke pasur të njëjtin pozicion profesional, ai tregon se rroga e majme dhe eksperienca ishin dy faktorët kryesorë.

“Në Shqipëri e kisha të mundur të punoja dhe të lija mënjanë të ardhura për të siguruar jetën. Pagat janë të ulëta, jetesa e shtrenjtë. Ndërsa eksperienca që po marr këtu, është e pakrahasueshme, po ashtu edhe të ardhurat”, përfundon Duqi.

Në kërkim të alternativave

Esmir Hoxha, në përfundim të studimeve master në Universitetin e Tiranës, dega Juridik se ka dy vite që kërkon punë në profesionin e tij dhe ende nuk ka gjetur. “Sipas meje, janë tre arsyet se pse ende jam i papunë. E para, punëdhënesit na kërkojnë eksperiencë të cilën, në rast se ata nuk vendosin të jenë më mendjehapur, nuk kemi se ku ta ndërtojmë. Së dyti, ka një problematikë aktualisht lidhur me formulën e famshme kërkesë-ofertë, sidomos në fushën për të cilën unë kam studiuar. Tregu është i mbingopur me juristë. E së treti, mendoj që një tjetër problematikë e tregut të punësimit në Shqipëri është klientelizmi në sektorin publik”, përfundon Esmiri.

Ai po sheh momentalisht mundësinë e hapjes së një biznesi të tijin, që t’i ofrojë të ardhurat e munguara, mirëpo edhe në këtë drejtim, sipas tij, të rinjtë nuk kanë mbështetjen e duhur. “ Do të më duhet të marr një kredi patjetër, gjë që do të jetë e vështirë në kushtet aktuale ku jetojmë. Ndërsa jashtë iniciativat e të rinjve janë më të përkrahura nga shteti”, përfundon ai.

“Ikja e trurit”

Heqja e vizave me vendet e Bashkimit Europian në 2011 mendohet se ka nxitur ikjen, sidomos e të rinjve të kualifikuar, të cilët nuk arrijnë që të kenë në vendin tonë, punën e duhur ose më keq akoma, që janë të papunë.

Ende pa bërë 24 vjeç, Fatjon H. nga Durrësi, mori një e-mail që i ndryshoi jetën. I kualifikuar në fushën e Teknologjisë së Informacionit, Fatjoni punonte aktualisht prej 1 viti e gjysmë në një kompani të së njëjtës fushë në Tiranë, por nuk ishte i kënaqur me pagën, kushtet, kundrejt natyrës së punës dhe kostove të larta të jetesës. Ditët e para të janarit për të ishin oguri më i mirë, duke qenë se një punë shumë e mirë nga ana profesionale, e pagës, kushteve, eksperiencës e priti në Shtutgart të Gjermanisë.

“Ishte vendim i më i mirë i jetës sime, jam shumë i kënaqur që gjeta atë që kërkoja dhe vendi im nuk ma ofronte. Ndonëse kisha një punë në fushën time, gjë e cila mungon tek shumë nga bashkëmoshatarët e mi, të cilët ose janë pa punë, ose punojnë në fusha për të cilat skanë lidhje me profesionin, përsëri doja të largohesha. Nuk e shihja të ardhmen time profesionale në Shqipëri, paga nuk lejonte që të mbuloja kostot e jetesës, aq më pak të ruaja para apo të dëfrehesha siç duhet”, tregon Fatjoni për Citizens Channel.

Punësimi online 

Regjistrimi në zyrat e punësimit dhe dërgimi i CV-ve nëpër zyra e kompani, kanë qene për vite me radhe, mënyra e vetme e kërkimit të një vendi pune. Vitet e fundit agjenci të ndryshme ofrojnë dhe formën e aplikimit online, ku në mesin e vendeve vakante të kategorizuara në çdo sektor pune, ti mund të aplikosh.

Por, sa efikase janë këto platforma? Drejtuesit e kompanive të tilla tregojnë, se, për të rinjtë është një ndër format më të zgjedhura të aplikimit për pune, duke qenë se janë më të predispozuar të përqafojnë teknologjinë. Nga ana tjetër, kompanitë janë shumë të hapura që të marrin staf, kryesisht të rinj, përmes siteve online, duke qenë se pjesa më e madhe e tyre përdorin agjenci të tilla si formën numër një të kërkimit të punonjësve.

Studimi i tregut të punës 

Tregun e Punës për të Rinjtë në Shqipëri 2015, një studim i kryer nga Friedrich Ebert Stiftung, Shërbimi Kombëtar i Punësimit dhe Shteti Web, tregon se tranzicioni më i frytshëm drejt tregut të punës për të rinjtë ndodh në vendet që kombinojnë një ekonomi dinamike, një treg pune funksional, si dhe politikat e duhura publike.

Raporti tregon se, për shkak të një situate të zymtë makroekonomike, të tregjeve dytësore të punës e të një sistemi arsimor dhe trajnues të cilit i mungojnë elementet e përfshirjes të punëdhënësit dhe përvoja e punës gjatë studimeve, të rinjtë shqiptare shpesh përballen me një periudhë të zgjatur të jostabilitetit në karrierë.

Nuk është vetëm niveli i arritjeve arsimore, por edhe cilësia e arsimit dhe lidhjet e ngushta me tregun e punës që çojnë në përvoja të ndryshme të tranzicionit nga shkolla në punë. Në përgjithësi vendet me një integrim më të lartë mes shkollës dhe punës, shfaqin një tranzicion më të butë dhe më të shpejtë për të rinjtë. 

Ndër mënyrat më efektive për të gjetur punë për të rinjtë është përdorimi i rrjeteve jo-formale, kryesisht familje dhe shoqëri. Të dhënat e INSTAT, si dhe të dhënat nga studimi në fjalë tregojnë se 87,5% e individëve tregojnë se kërkojnë punë kryesisht përmes marrëdhënieve të tyre familjare, 62% e ndërmarrjeve të anketuara tregojnë se punësojnë përmes rekomandimeve që vijnë nga familja dhe nga miqtë.

Kjo shkakton një ndarje të fortë mes atyre që kanë lidhje dhe atyre që nuk kanë të njohur ose kontakte. Raporti thotë se kjo vë në pah tiparet e një infrastrukture të pazhvilluar të tregut të punës dhe se evidentohet nevoja për të rritur dukshmërinë dhe efikasitetin e agjencive të punësimit publike dhe private. 

*Autorja është gazetare në redaksinë e revistës Monitor dhe monitor.al.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *