Sigurime në shtet, shërbime tek privati, si paguajmë dy herë për shëndetin

Anilën, 43 vjeçe nga Tirana e takova në sallën e pritjes në një spitalet private. Ashtu si unë kishte ardhur për të kryer disa ekzaminime. Punon në administratë, në një ministri në pozicionin e specialistes prej 8 vitesh tashmë. I duhet të viziohet herë pas herë, për shkak të problemeve me stomakun dhe gjithmonë shkon në privat. “Nuk kam kohë të pres në rradhë në shtetëror. Plus që asnjëherë nuk mbaroj punë. E di që do të harxhoj ca para, por të paktën nuk do të më duhet të marr raport me ditë për t’u vizituar. Unë vuaj nga stomaku dhe këtë punë kam me doktorët”, thotë ajo.

I paguan rregullisht sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, por i duhet të paguajë dyfish për t’u vizituar. Në shtet nuk merr shërbim për shkak të kushteve dhe rradhëve të gjata. Rruga e vetme, mbeten klinikat dhe spitalet private. Ky nuk është një problem vetëm i Anilës, por i shumicës së atyre që sot i paguajnë sigurimet shëndetësore, por që hallin e zgjidhin, të detyruar tek privati.

 Ku shkojnë sigurimet që paguajmë?

Në bazë të legjslacionit në fuqi, çdo i punësuar është i detyruar të paguajë sigurime shoqërore dhe shëndetësore, në bazë të pagës që merr.

“Sigurimi shoqëror është baza e sistemit të mbrojtjes sociale. Ai përfshin sigurimin e pensioneve dhe kujdesin shëndetësor. Nëpërmjet legjislacionit, gjithë shtetasit në Shqipëri për të përfituar nga skema aktuale janë të detyruar të paguajnë kontribute shoqërore dhe shëndetësore duke u garantuar nga shteti me të ardhmen e plotësimit të nevojave jetike bazë për vete dhe për pjestarë të familjes. Fondet kryesore për fondet e mbrojtjes prej skemës së sigurimeve garantohen nga fondet e derdhura në buxhet nga kontribuesit. Pjesa që plotëson gjithë fondin e nevojshëm për zbatimin e skemës së përfitimeve në vend mbulohet nga qeveria nëpërmjet financimit nga buxheti për çdo vit”, shpjegojnë ekspertët e qendrës studimore Altax.

Ligji ia ka ngarkuar menaxhimin e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore dy agjensive shtetërore: Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor.

Ekspertët shtojnë se për të gjithë shtetasit shqiptarë, të cilët sot janë kontribuesë, si dhe ata që janë përfituesë, apo edhe për ata që porsa kanë hyrë në këtë skemë është me rëndësi që të marrin atë përfitim që ata kontribuojnë. Por sot kjo nuk ndodh. Ata që kontribuojnë nuk marrin shërbim. Përse? Arsyeja kryesore është deficiti i madh i skemës, ku numri i kontribuesve është i vogël dhe i përfituesve i madh.

“Problem mbetet menaxhimi. Është e rëndësishme të kuptohet që nuk mund të paguajë vetëm një pakicë dhe të përfitojë shumica. Duhet të rritet numri i atyre që paguajnë, me qëllim që të përmirësohet shërbimi”, shprehet për Citizens Channel Kastriot Sulka, drejtor i Institutit për Studime Ekonomike dhe Sociale.

Ai shpjegon se pikërisht nga kjo arsye e parë rrjedhin problemet e tjera me skemën e sigurimeve shëndetësore, ku ata që paguajnë rregullisht, duhet të paguajnë dyfish, duke shkuar tek spitalet private për të marrë shërbim.

Sipas Sulkës, ndaj një problem të tillë sot nuk ka vëmendje, që të përmirësohen kushtet. Por zgjidhet rruga më e shkurtër dhe më “e thjeshtë” që është delegimi i shërbimeve shëndetësore tek privati, një skemë që konsiderohet e gabuar.

“Paguesit e rregullt të sigurimeve shëndetësore paguajnë dy herë: një herë sigurimet dhe nuk marrin shërbime shëndetësore siç duhet për shkak të gjendjes së spitaleve që të gjithë e dimë si janë dhe paguajnë sërish, se duhet të shkojnë në spitale dhe klinika private. I gjithë menaxhimi aktual është duke fokusuar ose në përfitime në duart e privatëve, sic eshte rasti i PPP-ve pa përfitime për pacientët ose në ‘mballoma’, siç është rasti i menaxhimit të mungesës së doktorëve, të cilët po inkurajohen për tu larguar nga vendi”, deklaron Sulka.

KLSH: Shpenzimet për shërbimet spitalore më të mëdha se kostot

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar në raportin për vitin 2017 situatën lidhur me shërbimin shëndetësor, që marrin sot qytetarët shqiptarë. KLSH konstaton se shpenzimet për shërbimet spitalore janë më të larta sesa kostot e tyre.

“Sistemi aktual i vlerësimit të kostove për shërbimet spitalore është një vlerësim që mbart shpenzime të tepërta dhe nuk reflekton kostot e vërteta, duke orientuar kërkesat e institucioneve shëndetësore spitalore drejt vlerësimit të shpenzimeve dhe jo sipas kostove të tyre. Mungesa e specialiteteve pranë shërbimeve në spitalet rajonale dhe bashkiake, si dhe mungesa e performancës së shërbimit parësor ka krijuar rritjen e kostove dhe përqendrimin e pacienteve në qendrën më të madhe universitare QSUT. Implementimi i paketave shëndetësore përbën një nismë të mirë për miratimin e protokolleve për këto paketa, por mënyra e vlerësimit financiar të tyre bie ndesh me ligjin e prokurimeve publike, duke rritur kostot e këtyre shërbimeve shëndetësore” theksohet në raportin e KLSH-së. 

Më tej, Kontrolli i Lartë i Shtetit rekomandon Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale së bashku me Fondin edhe QSUT që të angazhohen në hartimin dhe implementimin e protokolleve klinike për të gjitha shërbimet spitalore, duke pasur si orientim modelin DRG dhe klasifikimin më të fundit ndërkombëtar të sëmundjeve ICD-10. “Riorganizimi i hartës së spitaleve mbi bazën e treguesve të performancës së shërbimit spitalor përbën një kusht të nevojshëm dhe të domosdoshëm për uljen e kostove të tepërta për sistemin shëndetësor. Premisat e krijimit të një tregu shëndetësor do të çonte në ekuilibrin e kërkesë – ofertës, duke rritur eficiencën, cilësinë e shërbimeve nga ofruesit e kujdesit shëndetësor për pacientë”, vë në dukje KLSH.

Në finale, ajo që duket se mungon nuk janë paratë, por menaxhimi dhe mungesa e një vizioni dhe filozofie të qartë: kush paguan, duhet të shërbehet. Në të kundërt, rrezikohemi nga kultura e mospagimit. Në fund të fundit, tek privati do të përfundojmë!

Aurora Sulçe

Autorja e artikullit është autore dhe moderatore e emisioneve ekonomikë “Ekopolitikë” dhe ‘Para e pasuri” në TV “Ora News”.

Leave a Reply

%d bloggers like this: