Të moshuarit vuajnë braktisjen nga familja

Pensionist i vetmuar. Foto: Amarildo Topi Citizens Channel Pensionist i vetmuar. Foto: Amarildo Topi Citizens Channel

 

Vangjelica Gjyshi ka 6 fëmijë, pesë vajza dhe një djalë, por që prej një viti jeton në shtëpinë e të moshuarve në Tiranë. Me fëmijët nuk ka asnjë kontakt. “Nuk ma merrte mendja kurrë që një ditë do të përfundoja në azil. Dy vajza i kam të martuara në Berat, ndërsa tre të tjerat dhe djalin i kam në Greqi. Bashkëshorti ka shumë vite që ka më ka vdekur. Me fëmijët e mi prej vitesh nuk e di se çfarë bëhet. As më kanë telefonuar, as u kam numër telefoni. Nuk kam marrë vesh asgjë për ta”, na tregon Vangjelica.

Pasi punoi për vite të tëra si pastruese shtëpish në Greqi, në moshën 80-vjeçare ajo u gjend e vetme dhe e detyruar të kujdesej për shtëpinë e saj në Selenicë të Vlorës.  Në këtë situatë, nipërit e të shoqit, vendosën ta sjellin në shtëpnë e të moshuave në Tiranë.

“Burri im ka ndërruar jetë shumë vite më parë dhe duke qenë se nuk kisha asnjë mbështetje nipi më solli në azil pa më pyetur fare, por megjithatë unë jam e kënaqur nga kushtet që kam këtu”, na thotë Vangjelica që këtë shkurt fryu qiririn e 81-të në tortën e ditëlindjes, që e festoi me shokët e shoqet e rinj që ka gjetur në azilin e pleqve.

Por pavarësisht kënaqësive të reja që ka gjetur në shtëpinë e të moshuarve, mungesa e fëmijëve i pikon në zemër. “U bë një vit që kam ardhur këtu dhe nuk kam pasur asnjë kontakt me asnjë nga fëmijët, nuk e di çfarë bëhet me ta”, tregon jo pa keqardhje Vangjelica, e cila shton se dy vajzat e saj që jetojnë në Berat janë shumë keq ekonomikisht dhe jetojnë në varfëri ekstreme. 

Vangjelica Gjyshi në ambjentet e shtëpisë për të moshuarit. Foto: E.K / Citizens Channel

Vangjelica Gjyshi në ambjentet e shtëpisë për të moshuarit. Foto: E.K / Citizens Channel

“Sigurisht që azili nuk ishte ajo që kisha menduar për pleqërinë time, por këtu kam gjetur miq të rinj. E mbështesim njëri-tjetrin në hallet që kemi, dalim për kafe, shkëmbëjmë biseda me nëjri-tjetrin dmth nuk jemi vetëm. Kemi njëri-tjetrin”, përfundon Vangjelica.

Por Vangjelica nuk është e vetmja e moshuar e braktisur dhe e harruar nga familja.

Ndryshimet socio-demografike që ka pësuar familja shqiptare kanë rënduar më së shumti mbi moshën e tretë. Të braktisur nga familjarët, me kontakte të rralla me fqinjët apo shokët, shpeshherë në kushte të rënda ekonomike, pa para për të blerë ilaçet, të detyruar madje t’i shërbejnë njëri-tjetrit, pa asnjë politike të veçantë, duket se të përballosh pleqërinë në Shqipëri është një sfidë shumë më vështirë. Aq sa ekspertët shtrojnë pyetjen “Po rrisin jetëgjatësinë, por a po japim u japim jetë viteve?”

Studimi

Një studim i publikuar së fundmi nga rrjeti Shqiptar për Personat e Moshuar tregon se rreth 8% e të moshuarve nuk kanë asnjë kontakt javor me asnjë anëtar të familjes së tyre. Sa më i moshuar të jesh, aq më pak kujtohen familjarët. I njëjti studim citon se “kjo situatë ishte veçanërisht e dukshme tek individët shumë të moshuar ku pothuajse një ndër katër subjekte raportoi që nuk të kishte asnjë kontakt javor me persona të familjes”.

Një tjetër e dhënë që tregon se sa e lënë pas dore është kjo moshë nga familjarët është fakti se një ndër pesë të moshuar kanë deklaruar se kujdeseshin për familjarët e tyre të moshuar, të cilët ishin më të plakur ose në gjendje shëndetësore të rënduar.

Situata nuk është aspak optimiste as në lidhje me marrëdhëniet shoqërore të moshës së tretë. Kështu studimi tregon se një ndër tre të moshuar nuk takonin asnjë shok ose shoqe çdo ditë, problem i cili ishte natyrisht shumë më prevalent tek individët shumë të moshuar. Nga ana tjetër, një ndër tre të moshuar nuk takonin asnjë shok ose shoqe çdo ditë, problem i cili ishte natyrisht shumë më prevalent tek individët shumë të moshuar.

Ky studim, i cili është ndër të paktët që realizohet për moshën e tretë  (i dyti pas atij të vitit 2009-ë), u realizua gjatë periudhës Qershor-Shtator të vitit 2017 dhe përfshiu një kampion prej rreth 1000 individësh të moshuar (rreth 52% femra) të moshës 60 vjeç e lart në Tiranë, Shkodër dhe Vlorë.  

Kushtet ekonomike

Sa më i moshuar aq më e rënduar edhe gjendja ekonomike. Studimi ka nxjerrë në pah se një ndër tre të moshuar (rreth 38%) në vendin tonë e konsideron veten si të varfër ose shumë të varfër nga pikëpamja ekonomike. Vetë-perceptimi i varfërisë ishte pothuajse i barabartë në meshkuj dhe në femra, por më i lartë tek individët shumë të moshuar (80 vjeç e lart), ku një ndër dy persona raportuan të ishin të varfër ose shumë të varfër.  

Rreth 96% e të individëve të moshuar në zonat urbane dhe 87% e të moshuarve në zonat periurbane dhe rurale kishin energji elektrike në banesat e tyre.

Megjithatë, rreth një ndër katër të moshuar (22%) raportuan të mos kenë ngrohje të mjaftueshme dhe të përshtatshme në shtëpitë e tyre gjatë stinës së dimrit, shifër e cila në zonat rurale arrinte deri në mbi 35%.

Rreth 97% e të moshuarve në zonat urbane raportuan të kishin ujë të rrjedhshëm në banesat e tyre, kundrejt vetëm 70% të të moshuarve në zonat periurbane dhe rurale të vendit. 

Një ndër katër të moshuar në zonat rurale dhe periurbane nuk kishte tualet brenda në shtëpi, fakt i cili cënon ndjeshëm cilësinë e jetës së individëve shumë të moshuar dhe atyre me mundësi të kufizura lëvizjeje. Në tërësi, 91% e të intervistuarve raportuan të kishin frigorifer dhe 89% raportuan të kishin televizor në banesat e tyre.  

Gjendja shëndetësore

Me rritjen e moshës rritet edhe numri i sëmundjeve që i shoqërojnë të moshuarit. Mbi një ndër tre të moshuar (36%) e konsideronin gjendjen e tyre shëndetësore si të keqe ose shumë të keqe.

Tre ndër pesë të moshuar raportuan probleme të shëndetit mendor (48% e individëve më të rinj në moshë kundrejt 85% e subjekteve shumë të moshuar).    

Ata që kishin marrë recetë nga mjeku, një ndër katër subjekte nuk i kishte marrë medikamentet e përshkruara, ku shkaku kryesor ishte mos-përballueshmëria financiare, sidomos për individët shumë të moshuar.  

Prevalenca e sëmundjeve kronike ishte e lartë, ku një ndër dy të moshuar (48%) të përfshirë në studim raportuan praninë e të paktën një sëmundjeje kronike. Mbi 40% e të moshuarve kishin problem ose humbje të shikimit, ndërsa një ndër katër të moshuar kishte ulje të ndjeshme ose humbje të dëgjimit. Vetëm 5% e të moshuarve të përfshirë në studim ishin në regjim shtrati.

Po ashtu, 16% e individëve të moshuar raportuan të mos kishin qenë në gjendje që të merrnin shërbim shëndetësor gjatë vitit të fundit në ato raste kur vërtetë kishin nevojë për një shërbim të tillë. Shkaku kryesor lidhej me gjendjen e rënduar shëndetësore që nuk i kishte lejuar subjektet e moshuar që të merrnin shërbimet shëndetësore të nevojshme. Një arsye tjetër ishte largësia (distanca) relativisht e madhe e qendrave shëndetësore nga banesa e të moshuarve.

Aktivitetet shoqërore

Pjesëmarrja dhe kontributi shoqëror i të moshuarve në vendin tonë vazhdon të jetë veçanërisht i ulët dhe ky fenomen ngre shqetësime serioze. Ndërkohë që proporcioni i të moshuarve në vendin tonë rritet në mënyrë të pandalshme, edhe kontributi dhe pjesëmarrja e të moshuarve në veprimtarinë dhe aktivitetet shoqërore duhet të rritet në mënyrë të ngjashme.  Por studimi tregon krejt të kundërtën.

Vetëm 18% e të moshuarve raportuan që ishin të angazhuar në organizata të ndryshme shoqërore përfshi partitë politike, shoqatat profesionale, organizata të ndryshme jo-qeveritare, grupime fetare, apo organizata të tjera shoqërore. Po ashtu vetëm 12% e të moshuarve raportuan të kishin punuar në mënyrë vullnetare në komunitetin e tyre gjatë vitit të fundit në kuadrin e ndonjë shoqate apo programi të caktuar.

Po ashtu as aktiviteti fizik nuk është një aktivitet që të moshuarit në vendin tonë i kushtojnë rëndësi. Në tërësi, vetëm 14% e të moshuarve raportuan që të angazhoheshin në ndonjë aktivitet fizik të moderuar. 

Sipas ekspertëve që kanë realizuar këtë studim, numri i individëve të moshuar përbën mbi 11% të popullatës së përgjithshme të vendit tonë, me një tendencë në rritje përgjatë viteve të ardhshme.

Në këtë kontekst, Rrjeti Shqiptar për Personat e Moshuar, që koordinoi studimin shpreson se këto të dhëna do të informonjnë politikë-bërjen dhe vendim-marrjen racionale (të bazuar në evidencë) për ofrimin e shërbimeve të nevojshme dhe përmirësimin e situatës të të moshuarve në vendin tonë.

“Në çdo rast, aktorët kryesorë të përfshirë në problematikën e moshës së tretë në vendin tonë duhet të tregojnë më shumë vëmendje lidhur me nevojat social-ekonomike, problemet shëndetësore dhe sidomos pjesëmarrjen në shoqëri të të moshuarve”, përfundon studimi.

Autor: Esmeralda Keta

 

 

Leave a Reply

%d bloggers like this: