Edi Rama shpëtoi “Kino Lumbardhin”, shkatërron Teatrin Kombëtar

Pamje nga protesta kundër shembjes së Teatrit Kombëtar/ Foto: Ivana Dervishi

Ishte viti 2014 kur Edi Rama shprehu mbështetjen për mos shkatërrimin e kinemasë së vjetër Kino Lumbardhi në Prizren duke mbajtur këtë qëndrim: “Kryetarët shkojnë e vijnë, po shkoi njëherë DokuFesti, nuk kthehet më, dhe në vend se të bëhet parking duhet të mbesë kinema, dhe shpresoj se të gjitha autoritetet do të bëjnë çka iu takon atyre”.(Kosovo 2.0)

Në korrik të vitit 2014 Agjencia Kosovare e Privatizimit AKP vendosi të mos e konsideronte si pronë publike, por komuniteti kulturor dhe artistik i Prizrenit reagoi fort për ta mbrojtur. Mbështetjen për këtë kauzë e shfaqi hapur edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama duke theksuar se Lumbardhi duhet të mbesë kinema.

Jo më shumë se 4 vite më vonë komuniteti artistik dhe intelektual i Tiranës së bashku me mbështetjen e qytetarëve është duke përjetuar të njëjtën situatë. Teatri Kombëtar konsiderohet si një nga godinat më të vjetra dhe më aktive për sa i përket aktivitetit artistik teatror në Tiranë.

Kino Lumbardhi funksionon tani si hapësirë artistike në të cilën zhvillohen aktivitete kulturore mes të cilave festivali Doku Fest dhe “Hacking Urban Space” i zhilluar një ditë më parë në të cilën pjesëmarrës ishte edhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.

Në të njëjtin vend kur Rama vite më parë mbronte publikisht pronën publike, Veliaj u rikthye për të shpallur prishjen e Teatrit Kombëtar.
“Cili është problemi me Teatrin? Problemi është se njerëzit duan me u sajdisë: ‘pse s’më pyete mua’. Flasim për trashëgimi kulturore. Po çfarë trashegimie kulturore ku kalojnë minjtë, me azbest dhe me shurrë”, ka thënë Veliaj dje gjatë një takimi me tre kryetarë të komunave në Kosovë.

Kjo deklaratë e Veliajt vjen vetëm dy ditë pas dëgjesës me komunitetin e aktorëve publike mbi të cilën u shpreh: “Ndihem i inkurajuar nga dëgjesa me komunitetin e artistëve për Teatrin Kombëtar, si një mënyrë për të shfrytëzuar shansin historik për t’i dhënë Tiranës një teatër të ri dinjitoz, edhe për gjeneratën tjetër. Me dashamirësi mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme!”

Të njëjtin qëndrim mban prej kohësh edhe Kryeministri Rama: “Beteja është komplet pa përmbajtje …dhe teatrin e ri do ta bëjmë dhe atë godinën aty do ta shembim”, ka thënë ai në shkurt të këtij viti.

Video: Fjala e plotë e Kryeministrit Rama mbi çështjen e Teatrit Kombëtar në Parlament
https://youtu.be/1y-ZQZ_KWss

Në 8 qershor u publikua projektligji i cili parashikon procedurën për negocim dhe lidhjen e kontratës me objekt realizimin e projektit të zhvillimit të zonës së Teatrit Kombëtar, duke përfshirë projektimin, ndërtimin dhe dorëzimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar.

Deklaratë kjo e cila u kundërshtua nga komuniteti i artistëve në protestën artistike të ditës së djeshme në Teatrin Kombëtar. Kjo hapësire prej 2 ditësh është kthyer në një hapësirë komunikimi dhe në të njëjtën kohë simbol i protestës dhe qëndresës së artistëve për mos shembjen e Teatrit Kombëtar.

Leave a Reply

%d bloggers like this: