*Nga Fjoralba Sinoruka

Debati publik i muajve të fundit në lidhje me prishjen e godinës aktuale të Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e një të reje, ndahet pikërisht në këtë pikë : godina për disa konsiderohet monumentale , ndërsa për të tjerë me kushte të pamundura për të punuar dhe funksionuar.

Në lidhje me kushtet aktuale të godinës së Teatrit Kombëtar , kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj është shprehur: “një teatër që ka ngrënë jetët e shumë aktorëve të cilët ne nuk i dimë se çfarë shkakton në momentet që është. Një teatër që në vitin ’ 43 është kërkuar që të largohet”

Të pyetur për kushtet në të cilat kanë punuar në Teatrin Kombëtar në periudha të ndryshme, aktorët u shprehën për Citizens Channel :

Klodjana Keco

“Jam ndjerë e rrezikuar, përpara disa vitesh unë   kam marrë pjesë tek “Shtrigat e Salemos”, por jam ndjerë e rrezikuar jo për shkak të mureve dhe të  ndërtesës. Jam ndjerë   e rrezikuar për shkak t ë   mungesës  së   kushteve të   skenografisë  , që   do të   thotë  , fondet ishin minimale dhe skenografi me aq sa kishte mundësi bëri një   skenografi që   nuk i kishte të   gjitha kushtet e sigurta dhe ra një pjesë e madhe e skenografisë   mbrapa.  Por për këtë  nuk e ka fajin Teatri”, tha Klodjana Keco, aktore e re e cila  është   ngjitur disa herë  në   skenën e Teatrit Kombëtar.

 

“Në   jetën time sa kam luajtur nuk kam pasur asnjë   raport që   të   kem qenë   i sëmurë”, tha aktori i mirënjohur  Mehdi Malkaj

“Jo asnjë herë me përjashtim të faktit që nuk është mirëmbajtur për arsye që tashmë kuptohen. Por rrezik nuk ka pasur asnjëherë”, tha për Citizens Channel aktori Neritan Liçaj.

Kastriot Çipi i cili ka qenë  nëndrejtor dhe drejtor i Teatrit Kombëtar në periudha të ndryshme, në  lidhje me këtë çështje u shpreh: “Aksidente  në  punë  ka pasur, por gjithmonë si pasojë e mosrespektimit të  rregullave, sidomos në ndërtimin e dekorit. Më të rëndat kanë qenë fraktura. Me sa mbaj mend unë, në 30 vjet, mund të ketë  pasur 3-4 raste.

 

Aktualisht, Teatri Kombëtar është duke mbyllur sezonin artistik 2017 – 2018 me komedinë satirike “A vdiq ai?” të Mark Twain dhe deri tani asnjë incident nuk është shënuar, pavarësisht kushteve të cilat kanë qenë KUSHT për të prishur këtë godinë dhe për të ndërtuar një Teatër të Ri Kombëtar.

Edhe këtë sezon artistik , si ҫdo sezon tjetër Teatri Komëtar ka vënë në skenë vepra të autorëve shqiptarë dhe të huaj duke mirëpritur publikun kryeqytetas ҫdo të mërrkurë, të enjte, të premte, të shtunë dhe të dielë.

Projektligji i papreçedent për Teatrin Kombëtar:

Në datën 27 qershor 2018 , Këshilli I Ministrave propozoi projektligjin “PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURËS SË VEÇANTË PËR NEGOCIIMIN DHE LIDHJEN E KONTRATËS ME OBJEKT “PROJEKTIMI DHE REALIZIMI I PROJEKTIT URBAN DHE GODINËS SË RE TË TEATRIT KOMBËTAR”

Drejtori aktual I Teatrit Kombëtar Hervin Ҫuli , i zgjedhur për herë të dytë nga Ministria e Kulturës për të drejtuar këtë institucion në vitin 2014 bën një kërkesë për inspektimin e anës së majtë në godinën e Teatrit Kombëtar. Ministria e Kulturës në përgjigje të kësaj shkrese në në dukje se këto ambjente ishin jashtë kushteve teknike.

Kjo është një nga problematikat kryesore të paraqitura në projektligj.

Nga pronë publike në pronë private?

Në projektligjin e paraqitur thuhet se Ministria e Kulturës nuk I disponon fondet për të realizuar një investim në zonën e Teatrit Kombëtar, madje as nuk e ka të parashikuar për vitet 2018 -2020.

Në këto kushte nga Bashkia Tiranë është paraqitur një  kërkesë  në  datë 23.2.2018, pranë Ministrisë së Kulturës, për shprehje interesi për zhvillimin e zonës pranë Teatrit Kombëtar të subjektit “Fusha”, sh.p.k. Në përbërje të kësaj kërkese, subjekti privat angazhohet që, përveç zhvillimit të pronës në pronësi të tij, të realizojë edhe ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar, konform një projekti që do të miratohet nga të gjitha strukturat përkatëse.

Ky projektligj është raportuar nga mediat si një projektligj i paprecedent i cili është në dëm të pronës publike dhe në favor të subjektit privat.

Protestat e përditshme: Agora në sheshin e Teatrit Kombëtar  

Që nga muaji janar artistë, intelektualë dhe qytetarë janë shprehur kundër shkatërrimit të godinës ekzistuese dhe ndëtimit të një Teatri të Ri Kombëtar nga një kompani private.

Javët e fundit këto protesta janë intesifikuar duke u mbajtur ҫdo ditë në hapësirën e Teatrit Kombëtar për ta mbrojtur këtë godinë por edhe për të mos urbanizuar këtë zonë.

Protestës i janë bashkuar intelektualë si : Artan Fuga, Mark Marku, Maks Velo, Edmond Tupja etj, por edhe  figura të gazetarisë si : Sonila Meҫe dhe Elsa Demo të cilat janë shprehur publikisht kundër shembjes së kësaj godine.

Protesta ka pasur 2 kahe : qytetarët që mbështësin artistët, artin dhe teatrin, por edhe kujtesën kulturore….por edhe artistë që mbështësin qytëtarë të cilët nuk duan tju tjetërsohet prona publike.

Prej ditësh po firmoset një peticion nga qytetarë dhe artistë drejtuar Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Ministrisë së Kulturës, Bashkisë së Tiranës.

Ditën e enjte protesta do të zhvendoset para Parlamentit, dhe kjo ditë do të vendosë a do të ulet sipari i kësaj drame që po zgjat me muaj apo fjala e qytetarëve do të dëgjohet…

Pak histori mbi Teatrin Kombëtar

I ndërtuar në vitet  1938 – 1939 nga inxhinieri dhe arkitekti  italian  Giulio Berté, Teatri Kombëtar është një nga institucionet e pakta në Tiranë që prodhon art dhe kulturë në mënyrë aktive për publikun.

Në kohën e regjimit Komunist ky institucion, si pothuaj gjithë institucionet e tjera të asaj periudhe, e veҫanërisht institucionet e artit dhe kulturës, pësoi ndryshime si në përmbajtje por edhe në formë për tu përshtatur me ideologjinë politike të kohës. Në vitin 1945 u quajt Teatër Kombëtar.

Studiuesi I letërsisë dhe kulturës shqipe Robert Elsie, në përmbledhjen e tij studimore “Nje fund dhe një fillim” përmban edhe një artikull të Xhevair Spahiut I cili ndër të tjera shprehej,” Çdo vëllim poetik kalonte para botimit nëpër duart e dhjetë-pesëmbëdhjetë recensorëve politikisht vigjilentë, kurse çdo dramë nëpër duart e të paktëntridhjetë vetëve (çka na ndihmon për të shpjeguar mungesën e një teatri të mirë shqiptar)”.

Megjithatë, të shumtë kanë qenë aktorët dhe artistët që janë ngjitur në atë skenë të cilët për shumë përfaqesojnë një kujtesë kulturorë të rëndësishme dhe një motiv për të mos e lënë artin skenik pa të shkuar…

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu