Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Marshim-protestë drejt Presidencës në mbrojtje të Teatrit Kombëtar

Pas protestave të përditshme tek sheshi i Teatrit Kombëtar kundër prishjes së tij, shoqëria civile, artistë dhe qytetarë marshuan dje drejt Kryeministrisë dhe Presidencës duke i kërkuar presidentit Ilir Meta të mos e dekretojë ligjin.

Artistët e quajtën ligjin e miratuar nga Parlamenti të turpshëm dhe vendin të kërcënuar nga vendimarrja e kryeministrit Rama.

Aleanca Për Mbrojtjen e Teatrit, e mbështetur nga qytetarë, aktivistë dhe intelektualë, marshuan dje drejt Kryeministrisë dhe Presidencës, për të kërkuar mosdekretimin e ligjit të miratuar në datën 5 korrik.

Ligji i miratuar nga 75 deputetët e pozitës parashikon shembjen e godinës aktuale të Teatrit Kombëtar dhe dhënien e kompetencave për ndërtimin e një teatri të ri subjektit privat Fusha sh.p.k.

Qytetarët, artistët dhe shoqëria civile e kanë kundërshtuar këtë ligj duke protestuar  prej rreth 5 muajsh , në sheshin e Teatrit Kombëtar. Ata i kërkuan Presidentit të mos e dekretojë këtë ligj sepse bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

 

“Shkelja e ligjit për trashëgiminë kulturore është hapi i parë dhe goditja e parë. Hapi i dytë është mungesa e konkurrencës. Është futur një kompani e konkretizuar në një ligj…Ne themi që shkel MSA -në sepse nuk ka konkurrencë të ndershme. Duhet të vijnë dhe kompani të huaja dhe shqiptare të hyjnë në një konkurs dhe të konkuronin jo vetëm për teatrin por për gjithçka” tha avokatja Mirela Cela Jorgo për Citizens Channel.

Gjatë kësaj jave Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit i dërgoi një letër të hapur institucioneve të BE në Tiranë duke shprehur shqetësimi për miratimin e këtij ligji si dhe duke kërkuar mbështetjen e tyre. Me pankartat “Pa Teatër pa MSA s’ka Europë” dhe “Mbro Teatrin”, protestuesit u nisën nga sheshi i Teatrit Kombëtar drejt Kryeministrisë dhe Presidencës.

Fotogaleri: Fjala e artistëve dhe aktivistëve në protestë

“Shoh që këtu përpara Kryeministrisë është një foto e anijes “Vlora”, gusht 1991. Një pjesë e jona, unë dhe Berti kemi qenë në atë anije. Edhe më vjen keq që tani mbas më shumë se një çerek shekulli jemi po në të njëjtën situatë. Shqiptarët e gjejnë vendin e tyre të pashpresë dhe ikin, ikin nga ky burg i madh që quhet Shqipëri. Zoti Kryeministër, zoti profesor vizatimi tërhiqu, tërhiqu, tërhiqu.
Jo me artin, jo me kulturën jo me trashëgiminë kulturore, jo me vlerat historike të kombit tënd. Jo. Kurrë. S’të lejojmë.” tha aktori Neritan Liçaj para Kryeministrisë

Qytetarët dhe aktivistët i kujtuan Presidentit se si mbrojtës i Kushtetutës nuk duhet ta dekretojë këtë ligj. Kastriot Cipi ju drejtua Presidentit me fjalët: “Dëgjojeni zërin e qytetarëve, ju e dini fundin e atyre që nuk e dëgjojnë zërin e qytetarëve.”

Ndërsa aktori Romir Zalla tha: “Teksa qëndroj këtu tani po kuptoj që unë personalisht e kam protestën e dytë në jetën time. Sepse ne artistët ndoshta më mirë dimë të bëjmë profesionin tonë se sa të protestojmë, por ka ardhur dita që duhet protestuar. Protesta e parë në jetën time ka qenë protesta për armët kimike. Ishte një protestë, ndoshta e vetmja e cila fitoi kauzën dhe i ktheu mbrapsht këta që kemi përballë…Epo kjo kauzë, kjo protestë, është edhe më e madhe sepse duke sulmuar kulturën, artin, trashëgiminë do të helmohet shpirti i njerëzve, do të helmohet mëndja e njerëzve”

Regjisori Robert Budina u shpreh: “Ne mendojmë se jemi në pragun e një diktature dhe kjo diktaturë mund të shmanget vetëm nëse të gjitha palët tregojnë dëshirën për të hequr dorë nga një ligj i tillë ogurzi që hap një epokë shumë të shëmtuar për Shqipërinë. Unë kam bindjen se Presidenti jonë do ta kuptojë shumë mirë këtë situatë dhe do reagojë ashtu siç i ka hije një vendi që është mu në zemër të Europës me një kulturë të jashtëzakonshme”.

Aktivistët kishin marrë me vete edhe një peticion të firmosur nga qytetarët të cilët nuk duan që të shembet Teatri Kombëtar.

“Peticioni ka filluar dhe po firmoset nga shumë njerëz. Ka pothuajse dy javë që vijon firmosja e peticionit kundër shembjes së Teatrit Kombëtar. Deri tani janë pothuajse 300- firma dhe 2000 nga peticioni online.
Ky peticion do ti drejtohet Presidentit për ti treguar që këta qytetarë janë kundër shembjes së Teatrit”,
tha aktivistja Edona Haklaj.

Aktori, Gentian Zenelaj i kërkoi Presidentit të dalë nga rreshti sepse historia mban mend njerëzit që dalin nga rreshti: “Tek sheshi i Teatrit duket sikur jemi pak, por sot jemi shumë dhe sot në këtë bulevard është gjithë Shqipëria, sot nga Konispoli deri në Vermosh janë këtu. I dashur President i vendit tim, mos e dekreto këtë ligj. Dil nga rreshti, bëhu burrë. Do të jesh i dyti pas Pandeli Majkos që del nga rreshti. Historia man mënd njerëzit që dalin nga rreshti. Historia nuk mban mënd dele. Historia mban mënd ujqër. Këtu ti ke një tufë me ujqër”.

Ditën e sotme, Kryetari i Bashkisë së Tiranës reagoi në lidhje me protestën e djeshme me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, duke u shprehur : “Kur kujtoj kujën, protestat e përbetimet kundër Pazarit të Ri, më bën të besoj se edhe Teatri i Ri pas kalvarit histerik, do jetë vendi tjetër më i preferuar në Tiranë e si Pazari dhe Sheshi Skënderbej do vlerësohet me çmime”

Artistët, shoqëria civile dhe qytetarët lajmëruan vazhdimin e protestës së përditshme në sheshin e Teatrit, në orën 19:00.

*Citizens Channel

 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *