Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit i dorëzon letër dhe peticion Metës – “5000 firma dhe 5 arsye për të kthyer ligjin”

Foto: Pjesë nga video regjistrimi i deklaratës së AMT

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit i është drejtuar Presidentit të Republikës ditën e sotme me një letër të dytë ku i kërkon kthimin për rishqyrtim dhe korrigjim në Parlament të ligjit “Për caktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar.”

Gjithashtu, është kërkuar një takim midis anëtarëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dhe Presidentit të Republikës.
Letrës i është bashkangjitur edhe një peticion me mbi 5000 firma ( llogaritur ato edhe në formatin online), në të cilin qytetarët i kërkojnë Presidentit mosdekretimin e ligjit që parashikon shembjen e Teatrit Kombëtar.

Pikat më të rëndësishme të shprehura në letrën e dërguar janë:

  • Në letër është shprehur shqetësimi për mungesën e Gjykatës Kushtetuese dhe është kërkuar reagimi i Presidentit të Republikës si filtri i fundit në këtë proces.
  • Është shprehur shqetësimi për mënyrën se si ky ligj është hartuar: “në formën e një kontrate komerciale, me fitues të paracaktuar dhe me vlefshmëri për disa mijëra metra katrorë”, shkruhet në letër.
  • Ligji shkele balancën mes pushteteve, pasi Kuvendi kthehet “në një zyrë që miraton me vulë leje ndërtimi, që vijnë me porosi nga qeveria, duke shkelur
    edhe ligjet që ka miratuar vetë, për koncensionet dhe për partneritetin publik-privat, ligjin e prokurimeve e shumë ligje tjera”, thuhet në letër.
  • Ky ligj, gjithashtu bie në kundërshtim me ligjin nr 9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik”, i ndryshuar, i cili parashikon që çdo kontratë publike duhet t’i nënshtrohet procedurave dhe kritereve të ligjit për prokurimin publik.
  • Ligjij bie në kundërshtim me Marrëveshtjen e Stabilizim-Asocimit, e cila është nënshkruar dhe ratifikuar nga Shqipëria, në të cilën thuhet se kontratat publike duhet t’i nënshtrohen konkurrencës së lirë dhe transparencës. ( neni 70 dhe 77).

Në letër është përmendur edhe reagimi i ardhur nga Brukseli, i cili përmbante 15 pyetje drejtuar qeverisë shqiptare në lidhje me ligjin për teatrin. Është theksuar edhe qëndrimi i organizatave europiane të cilat kanë fokus ruajtjen e kulturës dhe trashëgimisë , “Europa Nostra” dhe “Docomomo” të cilat e kanë cilësuar Teatrin Kombëtar dhe Teatrin Kombëtar Eksperimental si objekte të trashëgimisë europiane.

*Citizens Channel /F.S./

Leave a Reply

%d bloggers like this: