Kombinati metalurgjik i Elbasanit u ndërtua në periudhën kur Shqipëria Komuniste kishte marrëdhënie të mira me shtetin e Kinës. Kinezët kontribuuan në ndërtimin e këtij kombinati në të cilin kanë pas qenë të punësuar rreth 12.000 punëtorë.
Ky kombinat ka qenë “investimi” më i rëndësishëm gjatë periudhës së regjimit diktatorial, por më pas ka sjellë dhe shumë pasoja në jetën e qytetarëve të Elbasanit. Ai u quajt “Çeliku i partisë”, dhe në të kanë humbur jetën shumë punëtorë për shkak të kushteve të vështira të punës dhe sëmundjeve profesionale, gjithashtu i ka shkaktuar edhe dëme mjedisore, si ndotja e ajrit, qytetit të Elbasanit.
Shenjat e para të kolapsit të Kombinatit Metalurgjik erdhën që në kohën kur regjimi Komunist prishi marrëdhëniet me Kinën, duke vazhduar edhe gjatë periudhës së demokracisë për shkak të keq menaxhimit të qeverive dhe copëtimit të administrimit të tij ndër shumë subjekte private.
Sot, hapësira në të cilën ndodhet metalurgjiku i Elbasanit, të ofron këtë pamje: një pafundësi ndërtesash të zymta dhe të errëta që krijojnë një impakt aq të fuqishëm saqë gati-gati harron që aty vazhdohet të punohet…
Në kontrast me ndërtesat është gjelbërimi i cili hera-herës gërshetohet me këto godina, por edhe gjelbërimi në këtë zonë është i pa kuruar dhe duket se vjen si pasojë e braktisjes.
Metalurgjiku qëndron sot si një simbol i të shkuarës komuniste, si një kujtesë e krenarisë së panevojshme të atij sistemi dhe si një ëndërr që nuk u realizua kurrë për shqiptarët.











*Citizens Channel /Fjoralba Sinoruka