Foto: Tpz.al

Presidenti Ilir Meta ka kthyer sot për rishikim në Kuvend ligjin e shumë debatuar për Teatrin Kombëtar. Pas një miratimi në Kuvend me 75 vota, në darkën e 5 korrikut 2018 dhe pas një maratone protestash që nisën në janar të këtij viti dhe zhvilloheshin çdo të hënë dhe u intensifikuan  çdo ditë kur ligji special u propozua për në Kuvend, Presidenti Meta e tha sot fjalën e tij.

Shoqëria civile, një grup aktorësh dhe qytetarësh, zhvilluan para Presidencës  në 13 korrik, një protestë ku kërkuan mosdekretimin e ligjit. Ndërsa në datën 23 Korrik Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit i dërgoi Presidentit firmat e qytetarëve të cilët nuk dëshirojnë që godina e Teatrit Kombëtar të prishet dhe një letër me arsyet pse ligji për teatrin nuk duhet të dekretohet.

Për ligjin për teatrin reagoi edhe Komisioni Evropian i cili i dërgoi qeverisë shqiptare një listë me 15 pyetje.

Në deklaratën për mediat të Presidentit jepen 9 argumentet pse ligji u kthye për ri-shqyrtim në Kuvend:

  • Së pari, ky ligj shkel parimet e “barazisë para ligjit” dhe lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”, parime këto që gëzojnë një mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta.
  • Së dyti, ligji nr. 37/2018 nuk është në harmoni me parimet themelore kushtetuese të identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kombëtare mbi të cilat qytetarët e Republikës së Shqipërisë kanë vendosur  të ngrenë dhe zhvillojnë shtetin e tyre.
  • Së treti, ligji nr. 37/2018 bie ndesh me parimet e Konventës Europiane të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, miratuar në Paris në vitin 2003, duke bërë kështu që veprimtaria legjislative të bjerë ndesh edhe me të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për zbatim.
  • Së pesti, ligji nr. 37/2018 vjen në kundërshtim me standardet dhe vlerat e Bashkimit Evropian dhe parashikimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit (MSA), është detyrim parësor për Republikën e Shqipërisë.
  • Së gjashti, propozimi i projektligjit, por edhe vetë ligji i miratuar nr.37/2018 nuk mbështetet në një vlerësim gjithëpërfshirës dhe të plotë për tjetërsimin e pronës publike, krahasuar me përfitimet ekonomike të shtetit shqiptar dhe interesin publik.
  • Së shtati, ky ligj nuk është në harmoni me parimet dhe standardet e vendosura tashmë në legjislacionin në fuqi në Republikën e Shqipërisë.
  • Së teti, miratimi i ligjit nr. 37/2018 nuk është bazuar në një verifikim dhe vlerësim të thelluar të statusit të pasurive të paluajtshme që përfshihen në këtë projekt, si dhe dispozitat e këtij ligji krijojnë pasiguri juridike në ushtrimin e të drejtave pronësore, qoftë për pasurinë publike, por edhe mbi të drejtat private të pronësisë.
  • Së fundi, në kushtet aktuale, kur Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë nuk është funksionale për të verifikuar këto konstatime, apo për të zgjidhur çdo mosmarrëveshje kushtetuese që mund të prodhojë hyrja në fuqi e kësaj norme të veçantë ligjore, ftoj Kuvendin të rishqyrtojë në tërësi ligjin nr.37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt: Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit: “Përshëndesim vendimin e Presidentit…nuk dorëzohemi”

Ndërkohë, edhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka reaguar me një deklaratë për Median. Në këtë deklaratë Aleanca përshëndet vendimin e Presidentit, thekson edhe një herë argumentet pse duhet mbrojtur çështja e teatrit, dhe fton qytetarët të mos dorëzohen.

“Duam ti bëjmë thirrje qytetarëve të vazhdojnë ta mbrojnë këtë kauzë. Beteja për Teatrin është beteja për një shtet ligjor, është beteja që mbron shtëpinë, pronat dhe të drejtat e çdo qytetari. Ajo na përket të gjithëve, pavarësisht mendimeve dhe vlerësimeve mbi statusin dhe bukurinë e godinës. Një qeveri që sot grabit pronën e përbashkët publike, është një Qeveri që nesër do të grabisë pronat private të çdo qytetari. Prandaj, sot më shumë se kurrë, rezistenca e përbashkët është një detyrim historik i të tërëve.”, e përfundon deklaratën Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.

Deklarata e plotë e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit:

*Citizens Channel /F.S/

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu