Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Shqipëria po plaket, por a tregon rritja e konsumit të ilaçeve “sëmurjen” e vendit?

*Nga Denis Tahiri
Plakja e popullsisë është një fenomen botëror. Vende të zhvilluara si Norvegjia, Suedia dhe Franca po i kushtojnë gjithmonë e më shumë rëndësi këtij fenomeni duke ndërmarrë politika sociale që krijojnë lehtësi në lejen e lindjes për të dy prindërit, apo garantimi i një shume monetare fëmijëve të sapolindur dhe mbështetja e tyre deri në moshën 18-vjeçare.

Edhe Shqipëria po preket nga ky fenomen. Këtë e tregon mosha mesatare e vendit, e cila edhe ne qarkun e Tiranës, që është qarku me moshën më të re, është 33 vjeç. Megjithatë vendi ynë është ende larg nismave për parandalimin e fenomenit të plakjes.

INSTAT dhe OKB – Popullsia shqiptare po tkurret më shpejt se projeksionet e parashikuara

Sipas hartës moshore  të vitit 2017 të publikuar nga OKB për të gjitha vendet e Evropës, mosha mesatare e Shqipërisë në vitin 2060 pritet të shkojë në 48- vjeç. Nga viti 2008 e deri në vitin 2017 në vendin tonë vihet re një rritje e madhe e shtetasve të grupmoshës mbi 60- vjeç. Nga ana tjetër popullsia e vendit ka nisur të tkurret në 10-vjeçarin e fundit, duke humbur mesatarisht 8.794 banorë.

Mosha mesatare e popullsisë së Shqipërisë aktualisht është rreth 37 vjeç, ndërkohë të dhënat e OKB tregojnë se ajo pritet të arrijë në 38 vjeç gjatë dy viteve të ardhshme. Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2008 numri  i personave në   grupmoshën  60-64 vjeç ishte 110 mijë, ndërsa në vitin 2017 ky numër u rrit në 168 mijë. Rritje ka pasur edhe grup mosha 65- 69 vjeç si dhe ajo nga 70- 74 vjeç.

Ndër faktorët që ndikojnë në rritjen e moshës së popullsisë mund të përmenden dy kryesorë:

  1. Gjatë tremujorit të parë të vitit 2018, numri i vdekjeve e kaloi me 285 numrin e lindjeve. Të gjitha qarqet shënuan ulje të numrit të lindjeve krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rënien më të madhe të numrit të lindjeve gjatë kësaj periudhe e shënon qarku i Gjirokastrës me 34,2 % dhe qarku i Vlorës me 29,8 %
  2. Të rinjtë po largohen nga Shqipëria. Grupmosha 20-40 vjecc që përbën pjesën më aktive në tregun e punës u ul me 3.777 persona në vitin 2017.

Rritet konsumi i medikamenteve. A po “sëmuret” Shqipëria?

Në dhjetë vitet e fundit, shqiptarët janë duke konsumuar sasi të mëdha ilaçesh. Në vitin 2008 vendi ynë importonte 3351.234 ton medikamente, ndërsa në 2017- ën shifra e medikamenteve ka shkuar në plot 5029,321 tonë. Në 2008 Shqipëria importonte vetëm 93 milionë euro medikamente, ndërsa në 2017- ën kjo shifër ka shkuar në 195 milionë euro.

 “Në gjykimin tim, ky trend rritës në vlerat financiare dhe sasinë e baranave të importuara nuk duhet parë si shqetësues. Ne vazhdojmë të jemi në vendet e fundit lidhur me konsumin e barnave për frymë dhe kemi akoma rrugë për të bërë”, tha për Citizens Channel Leonard Deda, Farmaceolog dhe  profesor në fakultetin e Farmacisë në Univeristetin e Tiranës.

A ka plakja e popullsisë një lidhje të drejtpërdrejtë me rritjen e konsumit të medikamenteve në Shqipëri?

Doktor Leonard Deda thotë se demografia , pra numri, struktura gjinore dhe mosha e popullsisë lidhet drejtpërdrejtë me konsumimin e barnave.

Sipas tij, sa më i madh të jetë numri i popullsisë aq më e madhe është vlera absolute e konsumit të barnave, vetëm nëse faktorët e tjerë mbeten të pandryshuar. Profesori shprehet se raportet tregojnë se popullata jonë mbase është duke u pakësuar nga lëvizjet migratore, të cilat prekin kryesisht moshat e reja dhe përveç se ndryshon numri i popullsisë, ndryshon edhe struktura, sidomos strukturën moshore të saj duke sjellë një “plakje artificiale”.

“Në gjykimin tim, gjatë dhjetë viteve të fundit unë nuk vërej ndryshime demografike të përmasave të atilla që shpjegojnë një shtim me më shumë se 10% në konsumin e barnave”, shprehet  zoti Deda.

A lidhet rritja e importit të barnave me rritjen e sëmundjeve në vendin tonë?

Rritja e importit të barnave lidhet edhe me avancimin e trajtimeve mjekësore që në Shqipëri kanë filluar të implementohen gjatë viteve të fundit.

“Më në fund ne kemi filluar të trajtojmë në mënyrën e duhur sidomos sëmundje të tilla të rënda si infeksionet kronike virale të mëlçisë (hepatiti B dhe C kronik), hemofilinë, disa sëmundje inflamatore kronike dhe sidomos neoplazitë (kancerin).  Nga ana tjetër një pjesë e madhe e barnave oderne nuk janë barna të zakonshme (barna biologjikë). Trajtimi i një të sëmuri me një bar biologjik është 100- 1000 herë ose më me shumë benefite se sa trajnimi i tij me një bar të thjeshtë dhe çdo njeri ka të drejtë që të marrë trajtim më të efektshëm për sëmundjen e tij”, shton Dr.Deda.

Farmacistët: “Ende na kërkojnë antibiotikë pa recetë mjekësore”

Instituti i Shëndetit Publik,mjek dhe specialistë të fushës kanë bërë shpesh herë thirrje  për të pasur kujdes me blerjen dhe konsumin e medikamenteve, duket se qytetarët ende i kërkojnë farmacistëve ilaçe që kanë nevojë për recetë mjekësore.

“Rastet janë të shumta. Ndodh në përgjithësi me shumë medikamente, qofshin antibiotik, ose edhe qetësues. Ka edhe nga ata qytetarë që pasi ju ka thënë komshiu se ka simptoma të njëjta me atë, vinë i kërkojnë ato ilaçe pa recetë mjekësore. Megjithëse ne jemi të kujdesshëm, nuk japim. Ju kërkojmë ti drejtohen mjekëve për të pasur një diagnostikim të saktë dhe të marrin medikamentet e përshkruara në recetë nga mjeku”, shprehet farmacistja Elvira Ndrecka.

Studime të Organizatës Botërore të Shëndetësisë shpesh herë kanë ngritur alarmin për sa i përket përdorimit të antibiotikëve pa recetë mjekësore, për shkak se përdorimi pa kriter i antibiotikëve çon trupin në krijimin e rezistencës, duke e bërë antibiotikun të paefektshëm.

Shtimi i importit të medikamenteve duket se nuk varet vetëm nga “sëmurja” apo rritja e moshës së popullsisë. Rritja e këtij importi tregon shpesh herë se në vendin tonë, pavarësisht mungesës të disa medikamenteve si edhe problemeve të shumta për garantimin e tyre nga ana e shtetit (për medikamente të caktuara), kemi filluar të trajtojmë sëmundje që më herët nuk kemi pasur mundësi t’i trajtojmë.

*Citizens Channel

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *