HEC-et në Valbonë/ Gjykata e Tropojës tejkalon kompetencat, lejon punimet për kompaninë koncesionare

Një vendim i paprecedentë i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë, ka ngritur dyshimet në ligjshmërinë e sistemit të drejtësisë, në një kohë kur procesi i Vetting-ut sapo ka nisur. Bëhet fjalë për një vendim të datës 31 korrik 2018, që përkon me zhvillimin e proceseve gjyqësore kundër ndërtimit të HEC-eve, në Parkun Kombëtar të Valbonës.

Pas një kërkese të kompanisë që po ndërton HEC-et, gjyqtari i Tropojës, Sami Ujkashi, ka vendosur të rrëzojë vendimin e Gjykatës Administrative  të Apelit në Tiranë, për pezullimin e punimeve.

Pala kërkuese (kompania koncesionare Dragobia Energy), në kërkesën e depozituar në Gjykatën e Tropojës deklaron se vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit është i pavlefshëm, pasi i referohet pezullimit të lejes së KKT-së me nr.12, datë 10.11.2017, me një afat prej 5 muajsh. Në datën 21 maj 2018, kjo leje ka skaduar, ndërsa kompania koncesionare ka aplikuar 4 ditë përpara (17 maj) për leje të re zhvillimore.

Në datë 26 korrik 2018, Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) është mbledhur për miratimin e 28 lejeve, por nuk ka miratuar lejen për kompaninë “Dragobia Energy”, kompaninë që po ndërton HEC-et në Valbonë. Në argumentin e saj, drejtuar Gjykatës së Tropojës, “Dragobia Energy”, thotë se ka një miratim në heshtje të lejes së KKT-së dhe se punimet po kryhen në bazë të kontratës koncesionare të datës 23.04.2009. Por, kontrata koncesionare nuk parashikon dhënien e asnjë leje, as atë të ndërtimit, pasi vetëm pas lidhjes së kontratës, “Dragobia Energy” pajiset me  të gjitha lejet, edhe atë të Këshillit Kombëtar të Territorit.

Leja zhvillimore e për ndërtimin e Hidrocentralit Dragobia, e pezulluar nga Gjykata Administrative në qershor 2018/ Foto Citizens Channel

Pra, sot kompania koncesionare jo vetëm që po ndërton HEC-e pa një leje ndërtimi, por nga ana tjetër ka refuzuar të zbatojë vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit në Tiranë, të datës 6 qershor 2018.

Pas vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit, përmbaruesi shtetëror duhet të kryente ekzekutimin  e masës së sigurisë, për pezullimin e punimeve. Pikërisht sot, përmbaruesi Eduard Mrishaj kishte kërkuar mbështetjen e Policisë së Tropojës për të shkuar në zonën ku po ndërtohen HEC-et. Por, ai është përballur dy më parë, me një vendimin e Gjykatës së Tropojës, për pezullimin e punimeve të zyrës përmbarimore.

Kështu, Gjykata e Tropojës ka prevaluar mbi vendimin e Gjykatës Administrative të Tiranës, duke i dhënë kështu  të drejtën kompanisë koncesionare “Dragobia Energy” që të vijojë punimet të paktën deri në 31 janar 2019.

Vetëm Gjykata e Lartë ka për kompetencë që të rrëzojë një vendim të Gjykatës Administrative të Apelit të Tiranës. Por në mungesë të trupës gjykuese të Gjykatës së Lartë, për shkak se 5 prej tyre janë eleminuar nga procesi i VETTING-ut, kompania “Dragobia Energy” i është drejtuar Gjykatës së Tropojës për të gjetur një zgjidhje.

Në vendimin e Gjykates së Tropojës, të cilën një kopje e disponon Citizens Channel, gjykatësi Sami Ujkashi referohet vetëm argumentave të kompanisë koncesionare “Dragobia Energy”, duke anashkaluar kundër-argumentave të përmbaruesit. Gjithashtu palë në këtë proces gjyqësor duhej të ishin edhe pala paditëse që kundërshton ndërtimin e HEC-eve, Shoqata “Toka” dhe banorët e Dragobisë dhe as nuk janë informuar për vendimin e marrë.

Vendimi i Gjykatës së Rrethit Tropojë që rrëzon Gjykatën Administrative

“Kompanite e Hec-eve, Dragobia Energy dhe Gener2, janë duke vazhduar ndërtimet pavarësisht paligjshmërive të shumta te dokumentuara.  Banoret lokal kanë punuar sypatrembur dhe pa pushim për të vënë drejtësi, duke kërkuar vetëm zbatimin e drejtë të ligjit shqiptar. Dhe kjo është përgjigja që marrin si shpërblim nga gjykatat e tyre” – shprehet aktivistja amerikane Catherine Bohe, njëherësh kryetare e Shoqatës “TOKA”.

Banorët lokal të Valbonës si dhe TOKA deklarojnë se do t’i ofrojnë mbështetje zyrës së përmbaruesit, i cili do të apelojë këtë vendim tek Gjykata e Apelit në Shkodër.

“Si per ironi te fatit, ky lajm vjen nje dite pasi gjykata vendosi qe te përkrah vendimin për të anulluar ndërtimin e Hec-eve ne Lumin e Osumit, duke përdorur te njëjtat argumente siç i kemi përdorur edhe ne për kauzën e Valbonës,” – shton më tej Catherine Bohne.

Burime për Citizens Channel, shprehen se banorët e Dragobisë pritet të mblidhen në ditët në vijim në disa protesta masive para Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Tropojës, për të kontestuar vendimin e dyshimtë të dhënë nga gjyqtari Sami Ujkashi.

Pezullimi i punimeve nga Gjykata Administrative

Në datën 6 qershor 2018, Gjykata Administrative e Apelit në Tiranës pezulloi punimet e kompanisë “Dragobia Energy” në Valbonë, duke rrëzuar kështu vendimin e shkallës së parë.

Vendimi i Administratives së Apelit është marrë në bazë të padisë së disa banorëve dhe Shoqatës “TOKA”, dhe kërkoi pezullimin e punimeve, pasi ndërtimi i hidrocentraleve në Dragobi dhe Çerem, nuk përputheshin me interesat e komunitetit.

Gjithashtu, Gjykata çmoi se vendimi i Këshillit Kombëtar të Territorit, i datës 10 nëntor 2017, për leje zhvillimore në Valbonë është i paligjshëm, pasi në një Park Kombëtar ndalohet veprimtaria e ndërtimit të hidrocentraleve.

“Vendimi Nr.12, datë 10.11.2017, i KKT-së është nxjerrë në kundërshtim me ligjin Nr. 81/2017, datë 4.5.2017 “Për Zonat e Mbrojtura”, duke cenuar interesa të rëndësishme kushtetuese dhe ligjore në çështjet mjedisore.” – thuhet në arsyetimin e Administratives së Apelit.

Vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit që pezulloi punimet e kompanisë “Dragobia Energy”

Një tjetër pikë e vendimit të gjykatës, është edhe fakti se “Lugina e Valbonës” përmban habitate dhe specie endemike bimore më të veçantat në Europë.

“Devijimi i ujit nga rrjedha natyrore, për dy HEC-et e projektit Dragobia, do të ndryshojë lagështirën ajrore dhe temperaturat, si pasojë e të cilave do të zhduken apo zvogëlohen ndjeshëm shumë lloje shtazore, ujore dhe bimë të shtratit lumor, të cilat mbrohen nga Konventa e CITES, Direktiva e Habitateve dhe Konventa e Bernës, e ratifikuar nga Shqipëria. “ vijon më tej vendimi i Administratives së Apelit.

Devijimi i rrjedhës së lumit për ndërtimin e HEC-eve, Lugina e Valbonës/ Foto Citizens Channel

Sa më sipër, kjo gjykatë çmon se pezullimi i punimeve deri në shqyrtimin e çështjes në themel, është një kërkesë e drejtë nga banorët e zonës dhe Shoqata “Toka”.

“Çdo herë e më shumë duket sikur Valbona është një rast prove që do të tregojë nëse reforma në drejtësi dhe zbatimi i drejtë i ligjit është duke funksionuar siç duhet në Shqipëri, apo nëse njerëzit do të zgjedhin që disa biznesmenë të pasur të bëjnë si t’ju dojë qejfi, duke përdorur mënyra të ligjshme apo të paligjshme.” – përfundon reagimin e saj, Catherine Bohe.

*Citizens Channel

 

Leave a Reply

%d bloggers like this: