Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Një murale në Tiranë në kujtim të rezistencës së Romëve ndaj holokaustit

Një pikturë murale që përkujton rezistencën e Romëve ndaj Holokaustit u inaugurua dje në Tiranë. Studentë dhe aktivistë Rom dhe Egjiptian, përkujtuan dje Ditën e Holokaustit ndaj Romëve duke dhënë mesazhe për paqe dhe njohje të historisë së tyre.

“Sot ne qëndrojmë drejt me kokën lart për të nderuar viktimat, por edhe për të festuar mbijetesën dhe rezistencën 1000 viteve të historisë tonë“, tha Adem Ademi, aktivist për të drejtat e komunitetit Rom dhe Egjiptian.

“Donim që këtë informacion mos ta kishim vetëm ne, por ta përhapnim gjerësisht në shoqërinë shqiptare”, tha aktivistja Klaudia Veizaj, iniciatore e idesë për krijimin e murales me simbolin e rezistencës rome.

Gjatë inaugurimit disa studentë bënë apel për njohjen e kulturës dhe historisë Rome. “Ne rezistojmë ende dhe unë besoj se me të gjithë studentët dhe të diplomuarit rom do e vazhdojmë rezistencën ndaj diskriminimit”, tha aktivistja Behie Kodra.

Historia Rome ka filluar të njihet shumë vonë. Shpresoj që të gjithë të rinjtë ta kujtojnë historinë dhe të ruajnë kulturën, edhe në sistemin arsimore shqiptar”, tha studenti Roxhers Lufta.

Ceremonia u mbyll me hedhjen e disa trëndafilave në lumin Lana, si mënyrë për të përkujtuar personat që kanë humbur jetën gjatë gjenocidit.

Aktivistët thonë se ky projekt ka marrë një kohë të gjatë për t’u realizuar për shkak të burokracive dhe pengesave. Të rinjtë aplikuan në një thirrje të Bashkisë së Tiranës për ide origjinale pikuarash në fasadat e ndërtesave të qytetit. Pas pranimit të aplikimit, u përzgjodh ndërtesa dhe puna duhet të kishte filluar në javën e parë të muajit korrik. Por vetëm dy ditë përpara se piktura të realizohej, bashkia kërkoi ndërrimin e vendndodhjes me arsyetimin se ndërtesa e përzgjedhur do të rikonstruktohej, duke ngritur pretendimin tek aktivistët së ka qenë administratori i ndërtesës ai që ka refuzuar vendosjen e simbolit aty.

Çfarë është Dita e Përkujtimit të Holokaustit ndaj Romëve

Çdo vit në 2 gusht përkujtohet vrasja e mijëra romëve nga nazistët dhe aleatët e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore. Edhe pse nuk ekzistojnë shifra zyrtare, mendohet se 220,000 deri në 500,00 romë nga Evropa Qendrore u vranë gjatë luftës.

Sakrifica  e tyre përkujtohet në 2 gusht, ditë që përkon me vrasjen në kampet e përqendrimit të 2897 burrave, grave dhe fëmijëve Rom.

Në 16 maj 1944, nazistët tentuan të eliminonin të gjithë të burgosurit në të ashtuquajturin “Kampi Familjar i Ciganëve” në Auschwitz. Të burgosurit Rom organizuan një kryengritje që e shtyu mbijetesën e tyre deri në datën 2 gusht të atij viti, ditë që në gjithë Evropën përkujtohen viktimat.

*Citizens Channel /l.k./

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *