Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Akrobacitë e maxhorancës me ligjin për Teatrin

Ditën e djeshme në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese  u votua në lidhje me amendimin e Ligjit Special që parashikon shembjen e Teatrit Kombëtar. Vota mbi ligjin e kthyer nga Presidenti Meta në Korrik të këtij viti kaloi mes shumë debatesh midis opozitës dhe maxhorancës.

Vendimi i maxhorancës mbetet i paqartë pasi ajo njëkohësisht edhe e pranon edhe e rrëzon dekretin. Duke renditur 11 argumente, presidenti Meta kërkoi “kthmin për rishqyrtim në tërësi” të ligjit, gjë që nuk është pranuar nga maxhoranca, pasi një ligj i ri nuk po hartohet, por vetëm po bëhen ndryshime mbi ligjin ekzistues.

Si ndryshuan qëndrimet e maxhorancës mbi ligjin për Teatrin?

Më 27 korrik, menjëherë pas dekretit të Presidentit, Kryebashkiaku Veliaj (imazhi kryesor i maxhorancës në “luftën” për teatrin), publikoi “dy fjalë zemre për Teatrin” ku e quajti vendimin “zhgënjim”  duke shtuar se Meta “u bë palë me partitë politike”.  “Do presim dhe 40 ditë që parlamenti ta rivotojë” vijonte më tej komenti i Veliajt.

https://www.facebook.com/ErionVeliaj/posts/10156625306976926?__tn__=-R

Në 6 shtator Komisioni Evropian në një letër drejtuar qeverisë shqiptare ku theksohet se përcaktimi me një ligj special nga parlamenti i fituesit të një projekti publik përbën një shkelje të parimit të konkurrencës së lirë.

Një ditë më pas, në 7 shtator, Kryebashkiaku u tërhoq nga qëndrimi i mëparshëm duke pranuar se “jemi në një diskutim” me Komisionin Evropian.

Kryeministri Rama, deklaroi se qeveria do të pranojë sugjerimet, duke u tërhequr nga qëndrimet e mëparshme se ky është “krejtësisht normal” dhe se mbi këtë projekt “nuk mund të ketë garë”. “Unë prapë mendoj që ne kemi bërë gjënë e duhur, pavarësisht se ne do ta adoptojmë sipas sugjerimit të tyre”, tha Rama një javë më parë në Top Channel. Ai e interpretoi letrën e Komisionit Evropian si një dritë jeshile për të vazhduar projektin, pavarësisht se KE u pyet vetëm për vlefshmërinë e procesit, të cilën e rrëzoi.

Çfarë ndryshoi maxhoranca në ligjin për Teatrin?

Komisioni i Veprimtarive Prodhuese pranoi dekretin e Presidentit dhe miratoi ndryshimet në ligj të propozuara nga relatori Ilir Beqja.

Në variantin e ri të ligjit hapet gara për çdo kompani dhe hiqet emri i kompanisë “Fusha sh.p.k”.  Në nenin 3 të ligjit të amenduar komisioni shpalli procedurën “thirrje e hapur” për të gjitha kompanitë që kanë interes për të ndërtuar një godinë të re për Teatrin Kombëtar duke përfshirë projektimin, ndërtimin dhe dorëzimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar, sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara në këtë ligj.

Gjithashtu në nenet e reja shtohet fjala “vlerësim” dhe hiqet fjala “negocim”, në rastin e mëparshëm fjala “negocim” kishte të bënte me negocimin vetëm me një firmë për ndërtimin e teatrit të ri kombëtar.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit: Kundër çdo veprimi që parashikon shembjen e godinës

Ndërkohë në të njëjtën ditë Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit zhvilloi një takim të hapur me intelektualë, artistë e përfaqësues të shoqërisë civile në ambientet e Teatrit Kombëtar Eksperimental Kujtim Spahivogli. Pjesëmarrësit u shprehën kundër çdo vendimi që parashikon shembjen e godinës ekzistuese të Teatrit Kombëtar.

https://www.facebook.com/citizenschannel/videos/728436934166461/?__xts__

“Ndërkohë që ky ligj është një shkelje e hapur nuk reagoi as Prokuroria që duhet të reagojë. Pra, në mungesë të gjithë këtij reagimi, çfarë ndodh? Një letër që vjen nga Brukseli e kthen atë. Atëherë kjo nuk është thjesht çështje e teatrit, kjo është një test se çfarë sistemi kemi ngritur ne”, tha analisti Fatos Lubonja gjatë takimit.

Për çështjen e Teatrit u shpreh dhe intelektuali Aurel Plasari i cili kishte shkruar më herët disa herë në mbështetje të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit. “Ai arkitekti që thotë Rama, që është ndër më të mëdhenjtë në botë, unë do të them është më i madhi, por kjo nuk ka asnjë lidhje me prishjen e kompleksit të teatrit. Dhe ky është kurthi ku të fut Rama me të tijtë. Kauza këtu është që të mos prishet kjo ndërtesë historike, që mbart kujtesën e shtetit shqiptar”, tha Plasari.

Arkitekti Artan Raca tha dhe njëherë se Teatri Kombëtar mund të rikonstruktohet dhe shembja e godinës nuk është zgjidhje përfundimtare:“E them prerazi që në këtë rast nuk është rasti për t’u prishur. Ky teatër mund të rikonstruktohet. Mund të bëhet edhe sikur të ishte gërmadhë”.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit prej më shumë se 5 muajsh vazhdon protestën e përditshme kundër nismës së qeverisë për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar.

*Citizens Channel /F.S/ /L.K/

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *