Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar i drejtohet komisionerit Hahn

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit zhvilloi sot një protestë ndryshe nga ato të zakonshmet. Pranë Pallatit të Kongreseve duke pritur Komisionerin për Zgjerim të Bashkimit Evropian Johannes Hahn i cili do të zhvillonte takime me përfaqësues të shtetit dhe të reformës në drejtësi. Protestuesit i kërkuan që të mos heshtë për ligjin për Teatrin Kombëtar. Ata kërkuan gjithashtu që kjo çështje të përfshihet në bisedimet me qeverinë shqiptare.

Aleanca i drejtoi një letër komisionerit në të cilën ndër të tjera dënohet mënyra se si qeveria  e ka trajtuar çështjen e teatrit.

“Është detyra juaj të mbështesni popullin shqiptar dhe jo politikanët, të mbështesni aspiratat dhe dëshirat e tij evropiane dhe jo kapriçot e etjen për pushtet të politikanëve që ngrihen mbi ligjet dhe mbi vullnetin e njerëzve. Nën këto synime, ju kërkuat, promovuat, dhe mbështetët edhe një Reformë në Drejtësi që zhbënte në mënyrë të paprecedentë gjithë sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Sot, Ju ju kërkohet që të qëndroni pro parimeve mbi të cilat e kërkuat dhe mbështetët këtë reformë. Sjellja aktuale e Qeverisë fatkeqësisht tregon së asnjë prej atyre parimeve nuk respektohet sot.”, thuhet në letrën e adresuar ndaj Komisionerit Hahn.

Protesta filloi në orën 13:30 dhe zgjati rreth dy orë, ndryshe nga çdo herë tjetër sot pati një prezencë të lartë të Policisë së Shtetit, megjithatë protesta u zhvillua në mënyrë paqësore dhe nuk pati asnjë incident. Për zhvillimin e kësaj proteste nuk ishte marrë leje paraprake tek Policia e Shtetit, dhe për këtë arsye dy nga organizatorët e saj Kastriot Çipi dhe Robert Budina u shoqëruan në Komisariatin nr.1 pas përfundimit të saj. Organizatorët u liruan pak minuta pasi u thirrën në komisariat për tu pyetur për protestën.

Pse Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ju drejtua sot Eurokomisionerit Hahn?

Të pyetur nga Citizens Channel disa pjesëmarrës në protestë sqaruan se pse e zhvilluan protestën e sotme duke ju drejtuar Eurokomisionerit Hahn. Andi Tepelena, Neritan Liçaj dhe Robert Budina u shprehën se Europa duhet të mbajë një qëndrim më të qartë në lidhje me këtë ligj antikushtetues.

“Ne po i drejtohemi përfaqësuesit të Komisionit për Zgjerim, Eurokomisionerit Hahn dhe i tërheqim vëmendjen që këtu kemi dalë për të protestuar në mbrojtje të teatrit dhe jo vetëm. Kemi muaj me rradhë që dalim për të mbrojtur Kushtetutën, kemi muaj që protestojmë në mbështetje të artistëve, në mbështetje të qytetarëve që kanë dalë në mbrojtje të trashëgimisë kulturore dhe jo vetëm. Mungesa e Gjykatës Kushtetuese po bën atë që Ligji Special i krijuar për prishjen e teatrit të mos meret në konsideratë. Kjo e bën akoma më problematike gjithë situatën, pasi pushteti po abuzon me këtë vakum ligjor.Në këtë mes ne jemi të gjithë në mbrojtje të institucioneve ligjore”, tha aktivisti Andi Tepelena.

Regjisori Budina kur u pyet në lidhje me këtë çështje, u shpreh: “Ne kërkuam nga Hahn që të mos bëhet mburojë e krimit dhe e politikës së korruptuar në Shqipëri”

“Të deklarojë hapur Këshilli i Europës: është në anën e qytetarëve apo në anën e pushtetit. Eshtë në anën e një Shqipërie demokratike, të lirë dhe të zhvilluar dhe që të ketë prosperitet apo është në anën e një qeverie dhe mazhorance të dalë duarsh komplet. Europa duhet ta thotë qartë”, tha Neritan Liçaj, aktori i ka qenë në mbrojtje të kauzës për mosprishjen e Teatrit Kombëtar që në fillim të saj.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit i drejtohet sërish Presidentit

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit i kërkoi prapë sot Presidentit të Republikës që të mos e dekretojë ligjin e ndryshuar por ta kthejë serish në Kuvend. Me anë të një letre të hapur Aleanca i drejtohet Presidentit duke i thënë se ky ligj është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Gjithashtu, Aleanca thekson se ligji i ri nuk merr parasysh asnjë nga shkeljet që Presidenti kishte nënvizuar gjatë arsyetimit në dekretin e tij.

Ligji për teatrin i amenduar nga Partia Socialiste ka shkuar për herë të dytë në Presidencë, nëntë ditë më parë. Ky ligj ka shkuar për herë të parë në Presidencë pak kohë para se të mbyllej sezoni parlamentar dhe është kthyer në Kuvend nga Meta për shkak se përmbante 9 shkelje ligjore dhe të marrëveshjeve ndërkombëtare që Shqipëria ka nënshkruar.

Citizens Channel / F.S

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *