Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Shënim: Një Zv. Ministër i akuzuar për plagjiaturë dhe disa politika të Ministrisë së tij

Zëvendësministri i Arsimit dhe i Sportit i akuzuar për plagjiaturë.

Zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit Ervin Demo, këtë javë është akuzuar për plagjiaturë nga studiuesi Taulant Muka.

I kontaktuar nga Citizens Channel, studiuesi që denoncoi rastin tha se e kishte zbuluar rreth muajit maj\qershor, mirëpo vendosi ta bënte publike pikërisht tani për arsye se donte të ishte plotësisht i sigurt.

“S’është e vështirë të gjesh materiale të tjera plagjiature të shumë personave publik në Shqipëri dhe me pushtet është një fenomen shumë i përhapur”, tha Muka duke shtuar se rasti i zv. Ministrit Demo duhet të shërbejë për të filluar një proces të pastrimit të institucioneve arsimore nga të gjithë individët që e kanë ndërtuar karrierën e tyre jo bazuar në aftësitë akademike dhe profesionale por bazuar në lidhjet nepotike dhe politike.

“Ka shumë të tillë, dhe në të gjithë duhet të luftojmë të fillojë ky proces “pastrimi” për të ndryshuar realitetin universitar në vend”,  shprehet më tej Muka, “raste të ngjashme kanë ndodhur edhe në shtete të cilat janë pjesë e Bashkimit Evropian, megjithatë masat që janë marrë kanë qenë direkte”.

“Bota perëndimore ku duam të aderojmë ka treguar shembullin që duhet ndjekur në të tilla raste. Dy ministra gjerman dhe një ministër spanjoll kanë dhënë dorëheqjen për raste të ngjashme. Zv. Ministri i Arsimit patjetër duhet të ndjekë këto modele, edhe për të dhënë një shembull qytetarie që reflekton ndërgjegje dhe të mos presë vetëm ligjin dhe reagimin qytetar të vendosë mbi të ardhmen e tij”, u shpreh Muka.

Megjithëse kanë kaluar disa ditë publikimi i këtij rasti, në faqen e Ministrisë së Arsimit vazhdojnë të publikohen materiale promovuese nën sloganin #eGjithëVëmendjapërJU, por ende nuk ka asnjë reagim zyrtar për akuzat ndaj Zv. Ministrit Demo.


Ministria e Arsimit, pjesë e së cilës prej vitit 2016 është edhe Zv. Ministri i akuzuar për plagjiaturë, ka ndërmarrë një sërë nismash që kanë hasur kontestime në publikun e gjerë por edhe tek grupet e interesit të prekura.

Më poshtë do të pasqyrohen disa nga politikat dhe reformat e kësaj Ministrie:

  • Nisma “librat falas” për vitin shkollor 2018 -2019: Në korrik të vitit 2018 Qeveria miratoi vendimin  për  të shpërndarë “librat falas” për arsimin fillor, nga klasa e parë deri në klasën e katërt. Vetë Kryeministri Rama së bashku me Ministren Nikolla shpërndanë librat e parë në fillim të shtatorit në qytetin e Vlorës. “Librat falas” si vendim vlen vetëm për procesin e marrjes së librave, pasi nxënësve do iu duhet t’i rikthejnë në fund të vitit shkollor sepse përdorimi i librave është parashikuar për tre breza. Megjithatë, librat e fëmijëve janë konceptuar dhe përpiluar për t’u përdorur masivisht (si psh. ngjyrosje, plotësime, vizatime etj). Ishte vetë Kryeministri Rama i cili i porositi fëmijët që ti përdorin librat me kujdes, ndërkohë plani i qeverisë është që ta realizojë ketë politikë deri në fund të këtij mandati deri tek nxënësit e klasës së nëntë. Mbeten për t’u parë në fund të këtij viti shkollor pasojat dhe benefitet e kësaj nisme.

    Lexo më shumë: Nisma për libra “falas” nervozon fëmijët dhe prindërit


  • Nisma “3 lëndë në 6 orë”: Në janar të këtij viti, në mes të sezonit shkollor, Ministria e Arsimit dhe e Sportit, ndërmori nismën e re për të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar, e cila filloi të aplikohej në datën 1 shkurt. Kjo nismë erdhi pas një tradite të gjatë ku nxënësit shqiptarë e zhvillonin procesin e mësimit me anë të praktikës: 1 lëndë në një orë. Një nga argumentet e Ministrisë për këtë nismë ishte se fëmijëve iu mbusheshin çantat me libra dhe për këtë kishte pasur ankesa nga ata dhe prindërit.

Për vetë faktin se kjo nismë filloi në mes të sezonit shkollor, pati shumë “pro” dhe “kundra”, pasi nxënësit dhe mësuesit u gjendën të papërgatitur për një ndryshim thelbësor në kulturën shqiptare të zhvillimit të arsimit parauniversitar.

  • Matura shtetërore: Jo pak debate publike ndër vite ka pasur dhe për mënyrën dhe formulën me të cilën zhvillohet procesi i maturës shtetërore. Ndryshimi i shpeshtë i formulës së saj ka krijuar pasiguri dhe panik tek maturantët e rinj duke e bërë këtë si politikë të diskutueshme dhe jo të suksesshme.

Një Ministri gjithmonë e gatshme për të mbrojtur nismat të cilësuara shpesh si kontroversiale që jo pak herë kanë përhapur panik dhe kundërshti mes studentëve dhe publikut, sot mbrohet me heshtje ndaj akuzave për vjedhje të pronës intelektuale nga një prej përfaqësuesve më të lartë të saj.

*Citizens Channel \ F.S

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *