Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Organizatat ndërkombëtare dënojnë “paketën antishpifje”

Kohët e fundit Kryeministri Edi Rama ka propozuar një “paketë antishpifje” që sipas tij do të dënojë individët dhe mediat duke çuar para në një fond për arsimin.

Nga diskutimi për Paketën Antishpifje del qartë se urbanizimi i xhunglës online nis nga legalizimi i portaleve. Legalizimi mund të bëhet në pak minuta përmes regjistrimit online në QKB. Duke qenë se janë fantazma pa adresë e pa emër,uroj ta lexojnë këtë mesazh para ditës së hënë.

— Edi Rama (@ediramaal) October 10, 2018

Megjithëse në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë ekziston një ligj i tillë i cili përcaktohet kështu:” Përhapja e qëllimshme e thënieve, si dhe çdo informacion tjetër, duke e ditur se janë të rreme, që cenojnë nderin dhe dinjitetin e personit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në një milion e pesëqind mijë lekë.Po kjo vepër, kur kryhet botërisht, në dëm të disa personave ose më shumë se një herë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në tre milionë lekë.”

Tre ditë më vonë Rama publikoi një tjetër deklaratë në Twitter, ku përdor fjalë të rënda si “ndotje” apo “fëlliqësi” ndaj gazetarëve dhe i kujton se shpifja në 25 vende të BE dënohet me burg, por harron të thotë se asnjë gazetar nuk gjendet pas hekurave aktualisht në Evropë.

Shpifja dënohet me burg në 25 vende të BE!Gjysmagjelat tanë të majmur nga xhepat e nga trutë,që kanë bërë karriera politike e mediatike duke sharë e akuzuar pa prova,s’meritojnë as 1 supë burgu!Ata thjesht do të paguajnë gjobën e ndotjes për çdo fëlliqësi që u jashtënxjerr goja👊

— Edi Rama (@ediramaal) October 13, 2018


Reagimet  në lidhje me deklaratat e Kryeministrit për paketën shpifjen dhe më pas për mbylljen e mediave sociale që nuk janë të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) qenë të shumta. Por ai më i rëndësishmi ishte ai i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare në 15 tetor  i cili shumë pak ditë pas deklaratave të Ramës publikoi një listë me 44 media online dhe një afat prej 72 orësh për regjistrimin e tyre pranë QKB, në të kundërt do të mbylleshin.

“AKEP në përputhje me kuadrin ligjor dhe rregullator në fuqi informon të gjitha subjektet e regjistruara si portale online se duhet të publikojnë brenda 72 orësh niptin përkatës në seksionin Kontakt të faqes  së tyre online,” thuhej në njoftim.

Reagimet e mediave të përfshira në këtë listë ishin të shumta duke e cilësuar këtë njoftim nga AKEP si pa referenca konkrete ligjore.

Sot,  dy nga organizata të rëndësishme ndërkombëtare reaguan në lidhje me këtë çështje

Civil Rights Defenders, një nga organizatat më të mëdha në mbrojtje te të drejtave civile me qendër në Suedi, publikoi një deklaratë për shtyp ku thuhej: “Vendimi i Kryeministri të vendit Edi Rama, se të gjitha portalet e lajmeve në vend duhet të regjistrohen dhe të kenë një NIPT deri në datën 15 Tetor, thyen rëndë lirinë e shprehjes dhe rrit ndërhyrjet qeveritare mbi numrin e kufizuar të mediave të lira ende ekzistente.”

Më tej në deklaratë dënohet vendimi i AKEP në lidhje me ultimatumin për mbylljen e 44 portaleve online dhe  bëhet thirrje autoriteteve shqiptare  të heqin dorë nga çdo veprim që mund të frenojë lirinë e medias dhe të shtypit.

“Në rast se këto propozime do të mund të vihen në praktikë do të kenë efekte të frikshme mbi median e lirë dhe do të rrisin ndjeshëm nivelet e vetë-censurës mes gazetarëve vendas.”, thuhet më tej në deklaratë.

Deklarata e plotë e Civil Rights Defenders

Edhe përfaqësuesi i OSBE për Lirinë e Medias shprehu shqetësimin e tij për kërcënimin për mbylljen e mundshme të portaleve në Shqipëri.

“Shtetet nuk duhet të imponojnë regjistrimin e detyrueshëm për mediat online si parakusht për punën e tyre, gjë që mund të ketë efekt shumë negativ në lirinë e medias. Kjo praktikë, kur vihet në zbatim, mund të kufizojë ndjeshëm aksesin e publikut në burime të larmishme informacioni dhe pluralizmin e zërave, si edhe gërryen të drejtën e lirisë së shprehjes dhe të informimit online”, deklaroi Harlem Désir.

Në një letër drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë për këtë çështje, Përfaqësuesi ofroi edhe asistencën e tij ligjore.

*Citizens Channel

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *