Kryeministri Rama u takua sot me studentë dhe pedagogë të universiteteve ku prezantoi heqjen e tarifës së studimit dhe bursa për studentët ekselent që zgjedhin mësuesinë. Fjala e tij u ndërpre nga një aksion proteste i Lëvizjes “Për Universitetin”, ku aktivistët bënë thirrje për ulje të tarifave deri në arsim publik falas.

Ne shkuam aty dhe përmes një kontrolli të rrepte dhe absurd për një takim me studentët nga ana e rojeve dhe organizatorëve, arritëm të futeshim në sallë”, tregon për Citizens Channel një prej aktivisteve të Lëvizjes e Për Universitetin, “aty pritëm deri sa të fliste Kryeministri dhe të hapnim banderolën ku kishim shkruar ‘Boll i zhvatet studentët'”.

Aktivistët tregojnë se banderola iu është shqyer forcërisht nga disa të rinj dhe se janë nxjerrë menjëherë jashtë nga punonjësit e gardës.

“Jashtë na nxorën gardistet që merren me ruajtjen e Kryeministrit. Ishin rreth katër vetë. Pas takimit, një nga studentët aktivistë u shoqërua në polici nga civilë pa asnjë dokument, ku iu fshinë edhe fotot dhe filmimet dhe më pas u lirua”, u shpreh aktivistja Albina Ruko.

Banderola që u tentua të shpalosej gjatë aktivitetit. Foto: Për Universitetin

Aktivistët tregojnë më tej arsyet përse vendosën të ndërmerrnin aksionin e sotëm:

“Ky aksion vjen në saj të një rezistence të gjatë katër vjeçare kundër politikave në arsim, si ligji për arsimin e lartë me të cilin Kryeministri favorizon me para publike universitetet private, kundër tarifave që janë më të lartat në rajon dhe më gjerë, kundër shtypjes së demokracisë në universitet dhe kundër spektaklit të Kryeministrit me studentët. Ky aksion është paralajmërues i një vjeshte aspak të qetë studentore. Tarifat e larta dhe rritja e çmimeve të jetesës po e bëjnë çdo ditë e më të vështirë jetesën dhe shkollimin tonë. Por kjo nuk i intereson Kryeministrit që u fal para bizneseve të mëdha dhe u merr shpirtin studentëve”.

Si u transmetua ngjarja në ERTV?

Aktiviteti i zhvilluar pa praninë e medias, u transmetua live vetëm në ERTV, televizionin online të Kryeministrit Rama.
Siç shihet nga postimet në faqen zyrtare të Kryeministrit në “Facebook”, ERTV nuk fokusoi në asnjë moment këtë ngjarje, duke ndërprerë madje transmetimet në kohën kur aktivistja po drejtonte akuza direkte ndaj Kryeministrit.
Video: Lidhja e parë live e ERTV e publikuar në faqen zyrtare të Kryeministrit ndërpritet gjatë aksionit të studentëve

Pasi ishin ndërprerë transmetimet, Rama i drejtohet punonjësve të gardës me fjalët: “merreni përcilleni pak vajzën…përcilleni pak”.

Pasi studentja largohet forcërisht nga salla, ERTV rifillon transmetimin me batutat ironike të Ramës mbi aktivisten: “Me siguri ngelëse, po s’ka rëndësi janë shfaqje të kudondodhura në botën e internetit”.

Video: ERTV rifillon transmetmin


Në videon më poshtë të përgatitur nga Citizens Channel tregohet ngjarja ashtu si ka ndodhur. Në krahun e majtë është vendosur video e filmuar me celular nga një pjesëmarrës në aktivitet dhe djathtas ajo çka është treguar në ERTV.

“Për Universitetin është një lëvizje studentore që prej kohësh zhvillon protesta të vazhdueshme mbi problematika universitare si: tarifat e studimit, kushtet në konvikte, ndryshimet ligjore pas reformës në arsimin e lartë dhe kërkesën për arsim publik falas.
*Citizens Channel /l.k./