Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Fondet publike derdhen në llogaritë e kompanive të dënuara për krim dhe korrupsion

Fondet publike derdhen në llogaritë e kompanive të dënuara për krim dhe korrupsion

Nëse për politikën dhe sistemin e drejtësisë ishte domosdoshmëri ligji i dekriminalizimit apo i Vettingut, një proces i tillë duhet të nisë edhe me fondet publike, që krijohen nga taksat e qytetarëve shqiptarë. Të dhënat e siguruara nga Citizens Channel, nëpërmjet një hulumtimi të tenderave në Agjencinë e Prokurorimit Publik, nxjerrin në pah një skandal të madh. Kompani të dënuara për korrupsion ose të akuzuara për shpërdorim detyre, vijojnë të jenë fituese kryesore të tenderave shtetëror, duke marrë miliarda lekë nga buxheti i shtetit.

Citizens Channel mori spunto nga skandali i qarkulluar së fundmi pas arrestimit të një prej ish anëtarëve të Bandës së Lushnjes, Mondi Bega, i cili disponon edhe disa emra të tjerë si Manoli Bega, Edmond Bego, Belul Gjahtari apo Saimir Sina.

Mondi Bega, i cili gjithashtu është dënuar për trafik droge me 21 vite burg në Itali, është fituesi i disa tenderave, që nga viti 2014 e deri më sot, nëpërmjet kompanisë së tij, “INERTE EXPRESS” Sh.p.k.

  • 10 milionë euro të përfituar nga punimet në rrugën Tiranë Elbasan.
    • 1 miliard lekët për ndërtimin e nënstacionit të Librazhdit.
    • 3 miliardë lekët në disa punë të tjera publike kryesisht në zonën elektorale të Taulant Ballës, në Elbasan.

Ligji për prokurimin publik, i miratuar në vitin 2006, parashikon qartë se organet shtetërore duhet të përjashtojnë nga një procedurë prokurimi çdo ofertues, kur ka të dhëna se ka qenë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për pjesëmarrje në organizata kriminale. Sipas këtij ligji, është detyrë e autoritetit shtetëror kontraktor që të marrë informacionet e nevojshme për integritetin dhe gjendjen personale të një ofertuesi.

Ky denoncim është përsëritur disa herë edhe nga Partia Demokratike, por pavarësisht kësaj, kompania “INERTE EXPRESS” Sh.p.k vijon sot e kësaj dite punën e qetë, si kontraktuese e shtetit dhe përfituese e fondeve publike.

Të tjera kompani të akuzuara

Në prill të vitit 2018, Kontrolli i Lartë i Shtetit, zbuloi pas një auditimi të kryer tek Ministria e Brendshme, një seri shkeljesh me rikonstruksionin e kësaj godine. Raporti prej 18 faqesh ngrinte shqetësimin se kompania Fusha Sh.P.K, e cila ka kryer rikonstruksionin me një vlerë prej 2.5 milion dollarësh, ka shpërdoruar fondet publike.

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, kur kanë kaluar jo më shumë se 1 vit, tarraca e Ministrisë së Brendshme, ka nisur të çahet. Kjo pasi, kompania Fusha Sh.p.k duhej të kryente sipas kontratës një investim shtesë për përforcimin e soletës. Investimi i munguar kap shifrën e 14.8 milionë lekëve të reja, që në terma ligjor përkthehet shpërdorim detyre nga ana e kompanisë Fusha Sh.p.k.

Kontrolli i Lartë i Shtetit evidentoi një tjetër shkelje tek godina e Ministrisë së Brendshme. Gjatë zbatimit të një kontrate për një ambient prej 170 m2, Fusha Sh.p.k ndër të tjera kishte marrë përsipër, edhe shtrimin me parket. Pak javë më vonë, Ministria e Brendshme zhvillon sërish një tjetër tender për mobilim, ku çuditërisht përfshin edhe parketin për të njëjtin ambient. Dhe ky tender fitohet nga një kompani tjetër. Pra, Fusha Sh.p.k është paguar për të vendosur parketin prej 170 m2, por në fakt këtë e kryer një kompani tjetër, me anë të një tenderi të ri, duke i shkaktuar kështu një dëm buxhetit të shtetit.

Pas këtij tenderi, Fusha Sh.p.k ka qenë sërish fituese e shumë fondeve publike, ku më i fundit është tenderi i muajt gusht 2018k, ku kompania do të kryejë asfaltimin e disa rrugëve, për llogari të Ujësjellës-Kanalizime Tiranë.

Për kompaninë Fusha Sh.P.K, kryeministri Edi Rama po mendon të kalojë në Kuvend një ligj të veçantë, nëpërmjet të cilit do t’i japë tokë nga 13 mijë metrat katrorë të Teatrit Kombëtar, për të ndërtuar disa godina shumëkatëshe, me kushtin që të ndërtojë një teatër të ri. Por nëse Fusha Sh.P.K është denoncuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për shpërdorim të fondeve publike nëpërmjet moskryerjes së investimeve, a do të kishte vlerë që një kompani e tillë të ndërtonte Teatrin Kombëtar, më të madhin në Shqipëri?

Citizens Channel tentoi të komunikonte me përfaqësues të kompanisë Fusha Sh.P.K, për t’i pyetur rreth gjetjeve të raportit të KLSH-së, por e kishte të pamundur të merrte një përgjigje.

“Vëllezërit Hysa”, edhe nga burgu i ndjekin tenderat!

Kompania “Vëllezërit Hysa”, e përbërë nga dy vëllezërit Agron dhe Kujtim Hysa, janë arrestuar për veprën penale të vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën. Ata ndodhen pas hekurave për abuzimin me fondet publike, me realizimin e segmentin Gjinar, në rrugën Tiranë – Elbasan, një rrugë që u pagua shtrenjtë por nuk u ndërtua kurrë.

Shuma totale e fondeve publike të dhëna nga buxheti i shtetit për realizimin e punimeve për rrugën Gjinar, ishte 499,525,926 lekë, ku 111,468,727 kishin kaluar direkt në llogarinë e kompanisë “Vëllezërit Hysa”. Rruga nuk është përfunduar sot e kësaj dite, por dy vëllezërit Hysa dhe dy ish drejtuesit e ARRSH-së, Andi Toma dhe Dashamir Xhika, sot ndodhen pas hekurave.

Edhe pse pronarët e kompanisë “Vëllezërit Hysa” janë në burg për shpërdorim detyre, ata sërish përfitojnë fonde publike. Dokumentat e siguruara nga Citizens Channel, zbulojnë se Bashkia e Tiranës ka zhvilluar një tender për ndërtimin e një rruge dytësore në kryeqytet, dhe ku fitues ka shpallur “Vëllezërit Hysa”.

Tenderi është zhvilluar në datën 15 janar 2018, për rrugën “Migjeni” dhe rrugën “Kadri Rroshi”, në zonën e Kasharit. Afati i realizimit të këtyre punimeve, ishte 8 muaj. Burime për Citizens Channel brenda Bashkisë së Tiranës, shprehen se këto dy rrugët ende nuk kanë përfunduar, pasi punimet kanë nisur në muajin korrik.

Ndërkohë mbetet e paqartë sesi “Vëllezërit Hysa”, të arrestuar për shpërdorim detyre, ndjekin punimet për këto dy akse rrugore.

“Vëllezërit Hysa” kanë edhe një tjetër histori në të kaluarën, me shpërdorimin e fondeve publike. Një raport i KLSH-së ka zbuluar gjetjet se disa nga projektet e rilindjes urbane të qytetit të Belshit, janë jashtë standardeve, madje kompania që i ka ndërtuar (“Vëllezërit Hysa”), ka përdorur materiale ndërtimi të skaduara. Sipas auditit të kryer, projekti për realizimin e dy pedonaleve “Ndërtimi i pedonaleve dhe korsive të biçikletave, Liqeni Belsh”, të realizuara nga firma “Vëllezërit Hysa”, janë ndërtuar me pllaka gëlqerore dhe jo pllaka troktolit siç ishte e parashikuar në kontratë. Kjo i ka sjellë një tjetër dëm buxhetit të shtetit, e për rrjedhojë fondeve publike.

Uniformat e policisë, tek “Gjergjefi”

Përgjatë 15 viteve të fundit, çdo Ministër i Brendshëm ka bërë të paktën 1 tender për uniforma, dhe në shumicën e rasteve nuk kanë munguar akuzat për shpërdorim të fondeve. Një nga kompanitë më të përfolura për këtë objekt tenderash është “Gjergjefi” Sh.P.K, e cila është hetuar disa herë për korrupsion nga Prokuroria e Tiranës.

Hetimet e para ndaj kësaj kompanie, nisën në vitin 2011 dhe u iniciuan pas denoncimit të deputetëve të Partisë Socialiste, të cilët mbi bazën e denoncimeve publike gjetën një dëm ekonomik 1.5 miliardë lekë të reja, ku ishin përfituar padrejtësisht nga kompania “Gjergjefi” Sh.p.k. Fillimisht u sekuestrua procedura e tenderimit, garuesit dhe pretendimet e firmave të skualifikuara. Në fokusin e grupit hetimor ishin edhe punonjës të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe Agjencisë së Prokurimit Publik, të cilët kishin kryer të gjithë procedurën e nevojshme.

Një tjetër parregullsi e pretenduar në kallëzimin e PS-së të asaj kohe, ishin se firma ” Gjergjefi Sh.p.k ” ishte paracaktuar për të fituar tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit. Megjithatë, sot kohët kanë ndryshuar. Nëse dje Partia Socialiste denonconte kompaninë “Gjergjefi Sh.p.k” për abuzimet me tenderët e uniformave, sot kjo forcë politike po i jep sërish tendera kësaj kompanie.

Së fundmi, Ministria e Brendshme, nën drejtimin e Fatmir Xhafajt, ka përzgjedhur kompaninë “Gjergjefi” Sh.p.k për tenderin e uniformave verore të Policisë së Shtetit, me vlerë 1.6 miliardë lekë të vjetra. Pra, kompania e akuzuar pikërisht për korrupsionin e uniformave të policisë, shpallet sërish fitues nga vetë akuzuesit.

Këto ishin një pjesë e tenderave të përfituar nga kompani me të shkuar kriminale, të akuzuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Citizens Channel pyeti Agjencinë e Prokurimit Publik, nëse kanë një database me kompanitë që nuk duhet të merrnin pjesë në garë, për shkak të problemeve në të kaluarën. Përfaqësues të këtij institucioni u përgjigjën duke thënë se nuk kanë një “black liste” të kompanive, por ato problemet zakonisht evidentohen tek ankesat në Komisionin e Prokurimit Publik.

“Nëse një kompani është e akuzuar për korrupsion, kjo mund të ankimohet tek Komisioni i Prokurimit Publik nga një tjetër kompani garuese. Ky është rregulli i konkurrencës, të denoncosh në garë shkelësit dhe abuzuesit e tenderave.” – u shpreh Agjencia e Prokurimit Publik, për Citizens Channel.

*Citizens Channel /E.H./

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *