Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Guroret në Parkun e Dajtit, vetëm pak kilometra larg shtëpisë së Kryeministrit

Citizens Channel zbulon 2 kompani të licencuara nga Ministria e Mjedisit për nxjerrjen dhe përpunimin e gurit në zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar të Dajtit. Ndërkohë mbi 9 kompani të tjera prej kohësh po zhveshin nga gjelbërimi disa zona në Dajt jashtë kontrollit të Institucioneve shtetërore.

Parku Kombëtar i Dajtit, i shpallur me vendim qeverie që në vitin 2006, si zonë e mbrojtur, po shkatërrohet çdo ditë nga gurore të licencuara në mënyrë të paligjshme që po zhveshin shpatet e malit nga gjelbërimi. Në këtë skandal është e përfshirë Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Energjisë dhe Industrisë, të cilat kanë dhënë lejet për nxjerrjen dhe përpunimin e gurit në Parkun e Dajtit. Ndërkohë që e gjithë kjo veprimtari e paligjshme, ndodh rreth 3-4 kilometra nga shtëpia e Kryeministrit Edi Rama. Pikërisht sapo kalon Qafën e Priskës, eskavatorë dhe buldozierë punojnë me qetësi dhe pa ndërprerje për të nxjerrë copëza të mëdha guri gëlqeror nga Mali i Dajtit.

Shtëpia e Kryeministrit Rama në fshatin Surrel të dajtit
Foto: “Google Maps”

Fotot e siguruara nga Citizens Channel, pranë zonës së Liqenit të Bovillës tregojnë kompani që kanë zhveshur malin nga të dyja anët e rrugës. Në këtë zonë shihen kamionë “fantazëm” që lëvizin pa targa, shpërthime me lëndë plasëse, pluhur që ngrihet kudo. Duket si një biznes që nuk kontrollohet nga askush dhe ku ligji nuk ka fuqi ose vullnet për të ndërhyrë. Edhe nëpërmjet aplikacionit “Google Maps” dallohet lehtësisht që Mali i Dajtit është rrjepur në disa pjesë të tij, për të cilën aktivistët mjedisor shprehen se përbën një nga masakrat ekologjike që vijon pa ndërprerje edhe pse pranë shtëpisë së kreut të qeverisë.

Kamionë pa targa zhveshin malin e Dajtit në kundërshtim me ligjin/ Foto: Citizens Channel

Citizens Channel kërkoi informacion zyrtar nga Ministria e Mjedisit nëse kishin dijeni për aktivitetin e guroreve në Parkun Kombëtar të Dajtit, ku nuk mund të jepet asnjë leje mjedisore. “Nuk ka asnjë subjekt që ushtron veprimtari të tilla në Parkun Kombëtar të Dajtit”, shprehet zyra për shtyp e Ministrisë së Mjedisit, e kontaktuar nëpërmjet telefonit.

Por të dhënat e siguruar nga Citizens kundërshtojnë Ministrinë e Mjedisit, pasi për të paktën 2 kompani janë lëshuar leje mjedisore. Më konkretisht është dhënë leja mjedisore subjektit “LIVELADA” , e cila ushtron aktivitetin e gurthyerjes në fshatin Shkallë. Kjo kompani e ka marrë lejen mjedisore më 16 gusht të vitit 2013, në ikje të qeverisë “Berisha”, ndërkohë që leja parashikonte një prodhim mbi 50 000 metra kub gur gëlqeror. Skandali thellohet edhe më tej, pasi kompania “LIVELADA” e ka marrë lejen mjedisore në vitin 2013, pavarësisht se ajo rezultonte e ç’regjistruar për ushtrimin e aktivitetit minerar nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë (MEI) në vitin 2011.

Leja Mjedisore “Livelada shpk”:

Ndërsa kompania tjetër, po në shkelje të ligjit, ka arritur të marrë leje mjedisore në muajin mars të vitit 2015.  Bëhet fjalë për kompaninë “Mexhi shpk”, e cila nxjerr gurin gëlqeror në qendër të Parkut Kombëtar të Dajtit, në zonën e quajtur Zall. Edhe në lejen mjedisore të lëshuar nga Ministria e Mjedisit, pranohet se subjekti “Mexhi shpk” po ushtron aktivitetin në zonën e mbrojtur “Parku Kombëtar Dajt”, por këshillohet që kompania të ruaj biodiversitetin. Por, kjo këshillë është e pavlefshme, pasi nxjerrja dhe përpunimi i gurit gëlqeror kryhet me anë të shpërthimeve, prerjes së vegjetacionit dhe hapjes së rrugëve të hyrjes, duke asgjësuar kështu çdo pasuri biologjike natyrore.

Leja Mjedisore “Mexhi shpk”:


Përveç dy kompanive që janë të licencuara për të ushtruar aktivitet të paligjshëm, nga një vëzhgim i Citizens Channel rezultojnë se brenda Parkut Kombëtar të Dajtit, janë të paktën edhe 9 kompani të tjera të cilat kryejnë “karrierë të gurit”. Këtyre kompanive u ka skaduar leja mjedisore si dhe leja e shfrytëzimit, por ato kanë vijuar aktivitetin duke zhveshur nga pyjet dhe gjelbërimi disa zona në Malin e Dajtit, që nga Priska e Madhe, Bovilla, Brari, Linza, e deri tek Lanabregasi, Shkalla dhe Pëllumbasi.

Citizens Channel insistoi të kërkonte një shpjegim nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë se përse nuk inspekton kompanitë e nxjerrjes së gurit në Malin e Dajtit, por kjo e fundit e hedh “topin” nga Ministria e Mjedisit. “Në dijeninë tonë nuk ka subjekte që ushtrojnë aktivitet të palicencuar. Ne jemi institucion kontrollues, vlerësues, monitorues i subjekteve që ushtrojnë aktivitet minerar të licencuar. Është Ministria e Mjedisit dhe Prefektura e Qarkut Tiranë që bëjnë bllokimin dhe penalizimin e subjekteve të palicencuara në këtë fushë”, thuhet në një reagimin e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë (MEI), për Citizens Channel.

Por pavarësisht përpjepjekjes për të hequr përgjegjësinë nga vetja, kjo ministri ka një institucion varësie që kryen inspektime në subjekte private dhe publike, vendase dhe të huaja që kryejnë veprimtari minerare në territorin e Republikës së Shqipërisë. Bëhet fjalë për Repartin e Inspektim-Shpëtim Miniera (RISHM), i cili përbëhet nga inspektor që kryejnë në terren verifikimin për aktivitete të paligjshme në fushën minerare.

Sipas ekspertit të mjedisit, Klodian Aliu, është e dukshme se mes institucioneve ka një mungesë koordinimi. “As Ministria e Mjedisit dhe as MEI nuk marrin përgjegjësitë që u ngarkon ligji në lidhje me disiplinimin e aktiviteteve minerare në Parkun Kombëtar të Dajtit. Për vite me radhë është diskutuar për largimin e aktiviteteve minerare nga Parku, por në vend që të reduktoheshin ato janë shtuar. Vonesat e zgjidhjes së këtij problemi i shtojnë dëmet dhe pasojat negative në Parkun e Dajtit, biodiversiteti i të cilit ruhet nga shumë Konventa Ndërkombëtare të nënshkruara nga shteti ynë”, shprehet Aliu për Citizens Channel. Po ashtu, sipas ekspertit, ka një mungesë transparence të publikimit të statusit ligjor të kompanive që kryejnë nxjerrjen dhe përpunimin e gurit dhe përgjegjësive ligjore për kompanitë që janë ç’regjistruar apo hequr lejet minerare.

Një tjetër shqetësim që nxjerrin ekspertët mjedisor është edhe mungesa e një plani menaxhimi për zonat e mbrojtura. “Sot e kësaj dite nuk është miratuar ende një plan menaxhimi për Parkun e Dajtit, detyrim ligjor i Ministrisë së Mjedisit që duhej të ishte përmbushur të paktën që në vitin 2006, kohë kur sipërfaqja e Parkut është zgjeruar për herë të fundit. Mungesa e një plani menaxhimi për Parkun Kombëtar të Dajtit krijon premisa e terren për aktivitete të dëmshme në Park dhe në përputhje me qëllimin e krijimit dhe ruajtjes së tij”, thekson Klodian Aliu.

Harta e zonës së mbrojtur – Parku Kombëtar i Dajtit

Çdo projekt minerar i miratuar nga AKBN ka në përbërje pjesën e menaxhimit të mbetjeve dhe rehabilitimit të mjedisit. Ky proces konsiston në ripyllëzimin dhe rivitalizimin e zonës pas gërryerjes masive dhe zhveshjes së Malit të Dajtit nga gjelbërimi.

Eksperti Klodian Aliu shton se deri në vitin 2011 miratimi i planeve të rehabilitimit kanë qenë kompetencë e Ministrisë së Mjedisit, por më pas kjo kompetencë i  ka kaluar AKBN, pavarësisht se kjo e fundit nuk ka funksion ruajtjen e mjedisit dhe nuk ka struktura apo kapacitete teknike. “Për pasojë, planet e rehabilitimit hartohen në mënyrë fiktive dhe janë të pazbatueshme”, thekson Aliu.

Në të shkuarën, asnjë prej 9 kompanive që ishin të licencuara por sot punojnë pa një leje për shfrytëzimin e guroreve në Parkun e Mbrojtur të Dajtit, nuk ka kryer rehabilitimin e zonës. Dëmi i guroreve në Parkun Kombëtar të Dajtit është kolosal. Makineritë e rënda që gërryejnë skarpatet kanë arritur të fregmentojnë habitatet dhe të largojnë faunën në Parkun Kombëtar. Një pjesë e mirë e guroreve veprojnë me plasje të fuqishme me eksploziv duke tronditur ujin nëntokësor dhe shkaktuar një ndotje mbytëse për shkak të pluhurit që ngrihet.

Për ekspertët mjedisor, lejet e dhëna pa vlerësim të saktë të ndikimit në mjedis dhe me raporte formale që vlejnë vetëm për procedurë, nuk garantojnë ruajtjen e mjedisit.

Një tjetër shqetësim krijohet edhe për banorët e zonës si dhe për investimet turistike. Guroret kanë përfituar lejet nga AKBN dhe Ministria e Mjedisit pa kryer asnjë konsultim paraprak me publikun dhe përfshirjen e këtij të fundit në vendimmarrje. Shpërthimet me eksploziv, bluarja e gurit dhe transporti me mjete të rënda në disa raste kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme duke vënë në rrezik edhe jetën e komunitetit që jetojnë pranë tyre.

Gjithashtu lejet e dhëna për shfrytëzim guror ndër vite nga AKBN bien ndesh me statusin e mbrojtjes si Park Kombëtar të Kategorisë II dhe si atraksioni më i vizituar turistik në vend. Pas përfundimit të aktivitetit të guroreve, këto zona konsiderohen të vdekura, pa interes turistik dhe synohen si vende për depozitimin e mbetjeve. Kjo tashmë ka ndodhur me zonën e ish-gurores së vjetër midis fshatit Linzë dhe Surrel, ku janë depozituar sasi të mëdha mbetjesh ndërtimore. Krahas mbetjeve ndërtimore, Parkut të Dajtit i janë shtuar edhe ato minerare. Kompanitë që bëjnë përpunimin dhe nxjerrjen e gurit duhet të kenë impiant për asgjësimin e sterileve (mbetjeve të gurit). Por realiteti pasqyron një tjetër abuzim me natyrën pasi të gjitha kompanitë përdorin përrenjtë për të shkarkuar inertet e përpunimit të gurit.

* Citizens Channel

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *