Nga protesta e ditës së sotme në Tiranë Foto: Citizens Channel

Ora 8:30: Nis protesta në universitetet publike në Tiranë dhe në rrethe siç ishte paralajmëruar. Sot mbushet një javë që nga fillimi i protestës studentore e cila kundërshton tarifat e larta në universitetet publike dhe kërkon një arsim cilësor dhe kushte më të mira jetese për studentët.

Studentët nuk kanë lejuar hyrjen e pedagogëve në Fakultetin e Mjekësisë, Politeknikut dhe Shkencave Sociale duke bllokuar dyert e fakulteteve përkatëse.

Protesta nga univesitetet në Ministrinë e Arsimit janë mbajtur gjatë gjithë javës, por për sot ishte paralajmëruar një protestë masive duke i lënë afat përfundimtar Qeverisë për plotësimin e tetë kushteve që studentët kërkojnë t’iu plotësohen.

Aktualisht po protestohet edhe në Korçë dhe në Elbasan duke iu bashkuar edhe nxënësit e shkollave të mesme të gjimnazeve “Dhaskal Todri” dhe “Kostandin Kristoforidhi”.

Mësohet se studentët nga Korça dhe Elbasani janë nisur për në Tiranë.

Nga protesta e ditës së sotme në Tiranë
Foto: Citizens Channel

 

Ora 9:15: Studentët bllokojnë kryqëzimin e “21 -dhjetorit” duke u ulur këmbëkryq në rrugë.  Protestës i bashkohen edhe studentët e Universitetit të Sporteve.

Ora 9:30 : Studentë dhe nxënës nisin marshimin nëpër rrugët e Tiranës duke thirrur: “E duam arsimin si gjithë Europa”.

Nis protesta edhe nga studentët e qytetit të Vlorës. Me pankarta në duar studentët theksojnë se nuk pranojnë dialog me Kryeministrin.

Ora 10 e 30: Nis marshimi i studentëve nga Korpusi drejt Ministrisë së Arsimit

Ora 10:40 : Studentët e UBT marshojnë në Tiranë

Ora 11:00 : Studentët marshojnë para rrugëve kryesore në Tiranë dhe mblidhen pranë Ministrisë së Arsimit.  Protesta të studentëve janë duke u zhvilluar edhe ne Gjirokastër, Korçë, Vlorë, Elbasan, Durrës dhe Shkodër

Nga protesta e stotme e studentëve në Tiranë pranë Ministrisë së Arsimit

Ora 12:30 : Vazhdon protesta masive studentore në Tiranë pranë Ministrisë së Arsimit. Ata i janë përgjigjur ftesës së tretë të Kryeministrit Rama në Facebook për bisedime duke theksuar se nuk duan negociata por plotësim të kushteve të paraqitura.

Ora 13:20: Studentëve protestues në Tiranë pranë Ministrisë së Arsimit, iu bashkohen edhe studenët e ardhur nga Universiteti i Elbasanit dhe nga Universiteti i Durrësit. Ata janë mirëpritur në shesh

Ora 03:30:

Studentët vazhdojnë të vendosur të protestojnë prej disa orësh pranë Ministrisë së Arsimit, me ta janë bashkuar nxënës, studentë nga qytetet e tjera si dhe qytetarë që i mbështesin.

Ata i kanë lënë afat Qeverisë deri në orën 16:00 për t’i përmbushur kërkesat e tyre. Kanë ngelur vetëm 30 minuta nga afati i vendosur nga studentët dhe ata duken të vendosur për të mos i negociuar kërkesat e tyre.

Citizens Channel/ F.S

 

Raporto

Leave a Reply