Studentët e universiteteve publike janë rikthyer në protestë. Muaji dhjetori i vitit të kaluar u shënua nga një sërë protestash studentore që nisën me kundërshtimin e një Vendim të Këshillit të Ministrave që parashikonte një tarifë shtesë për kreditet e provimeve të mbartura. Ditën e dytë të protestës, në 6 dhjetor,  kur studentët dolën masivisht në rrugë, ish -Ministrja e Arsimit dhe Sporteve Lindita Nikolla, deklaroi se tërhiqet nga ky vendim.

Por kjo nuk shënoi një pikë kthese të protestës, përkundrazi ajo pësoi një rritje në numra, mbështetje nga pedagogë dhe kristalizimin e 8 kërkesave nga ana e studentëve. Kryeministri i vendit Edi Rama ndryshoi komplet qëndrimin e tij nga ai i ditës së parë të protestës, kur pretendonte se ky vendim kishte ardhur si kërkesë e universiteteve dhe i quante studentët “ngelës”.

Që nga dita e dytë e protestës Rama kërkoi me insistim të dialogonte me studentët, të cilët e refuzuan disa herë këtë ftesë. Ai nisi një tur studiosh televizive dhe takimesh nëpër universitete publike, por edhe nëpër këto takime hasi një rezistencë nga ana e studentëve për të dialoguar.

Studentët kanë protestuar rregullisht deri në ditët e fundit të dhjetorit, më pas vendosën për një shkëputje rreth një javë nga protesta për shkak të festave të fundvitit dhe deklaruan që protesta do të rifillonte në datën 7 janar.

Sot ata kanë dalë sërish në protestë, duke bërë thirrje për bojkot masiv përmes banderolave të vendosura në godinat e fakulteteve:

Ditët e fundit të dhjetorit Edi Rama bëri një ndryshim masiv në kabinetin qeverisës duke shkarkuar 7 ministra. Ndër ministrat që u shkarkuan ishte edhe Ministrja e Arsimit dhe e Sporteve Lindita Nikolla e cila u zëvendësua nga zëvendësministrja Besa Shahini.


Rama gjithashtu deklaroi se do t’i plotësonte kërkesat e studentëve me anë të një Vendimi të Këshillit të Ministrave të propozuar, megjithatë kjo nuk i bindi studentët që të ndalonin protestën sepse mënyra e plotësimit të kërkesave nuk është ashtu siç është kërkuar nga ata.

Të vendosur, studentët në protestën e sotme deklaruan se plotësimi i kërkesave të tyre duhet të vijë nëpërmjet votimit në Parlament dhe jo nëpërmjet një VKM-je. Ata shprehen se bojkoti i universiteteve do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Citizens Channel
/F.S/