Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

5 mijë adoleshentë me kartelë klinike; Në vend të mjekut flet fjala e Zotit

Esmeralda Keta / Citizens Channel

Rritja e frikshme e problemeve mendore, 30 mijë shqiptarë te psikiatri
I rritur me një nënë që vuan nga probleme të shëndetit mendor, Ermand Rama nga Fieri nuk e ka pasur kurrë mundësinë të provojë një përkëdhelje apo fjalë të ngrohtë nëne. Tregimet e shokëve për mëngjeset gati, rrobat e hekurosura apo telefonatat e shqetësuara të mamasë për 21 vjeçarin janë thjesht legjenda urbane.  I braktisur nga babai në moshë mjaft të vogël, Ermandit i është dashur që për të ëmën të bëhet kujdestar, mjek dhe psikolog, por nuk ka mundur të bëjë asgjë për vete.

“Edhe shkollën 9-vjeçare nuk kam mundur ta mbaroj, sepse jam fare i vetëm e më duhet të kujdesem për mamanë. Ka pasur raste që kemi ndenjur edhe ditë të tëra pa ngrënë. Na ndihmojnë herë pas herë të afërmit, por kjo gjë nuk mund të vazhdojë përjetësisht kështu. Ndërsa me babin, i cili ka krijuar një jetë të re në Itali, u bënë vite që nuk kam më asnjë kontakt ”, – na tregon Ermandi.

I dënuar padrejtësisht nga fati, Ermandi ndihet i braktisur edhe nga strukturat e pushtetit të cilat jo vetëm që nuk e i janë gjendur pranë, por madje prej tre vitesh i kanë hequr edhe mbështetjen financiare që e ëma merrte për sëmundjen.

“Para 3 vitesh mamasë ia hoqën edhe lekët që merrte si e sëmurë, pasi ndryshuan procedurat. Na thanë se u takonte vetëm atyre që janë kategoria e parë, ndërkohë që mamaja ime është kategoria e dytë. Por kjo nuk ka kuptim. Ajo është e sëmurë dhe që prej 20 vitesh ajo e merrte këtë pagesë modeste, por që të paktën mund t’ia blija ilaçet për të cilat ka nevojë dhe e qetësojnë. Ka raste kur tani bëhet shumë agresive, për shkak se nuk i merr më ilaçet por unë nuk e di se në çfarë dyersh duhet të trokas. Di vetëm që nuk di çfarë të bëj. Ndërkohë që për shkak se nuk ka para për t’i blerë ilaçet mamaja ka raste që është bërë keq duke shqetësuar edhe komshinjtë. Një punë stabël e kam të pamundur të gjej sepse skam bërë shkollë, mbështetje nuk kam. Çfarë mund të bëj unë i vetëm?” –na thotë i dëshpëruar Ermandi.

Ai thotë se pavarësisht jetës së vështirë që i është dashur të bëjë nuk do të hiqte dorë kurrë për përkujdesje ndaj së ëmës, por bën apel për ndihmë. “Unë i vetëm s’mund të bëj asgjë për të. Jo se nuk dua, por nuk kam asnjë mundësi. Unë kërkoj që ajo të shtrohet në një institucion pasi ka nevojë për përkujdesje të specializuar”, – thotë duke pasur pak shpresë tek një zgjidhje përfundimtare.

Foto ilustruese: Spitali Rajonal i Fierit
Burimi: web

Rritje drastike e personave të diagnostifikuar me sëmundje të shëndetit mendor, por infrastruktura ka mbetur në vend

Por Ermandi është vetëm një prej mijërave personave që vuajnë kostot e amullisë së politikave shëndetësore për trajtimin e shëndetit mendor në vendin tonë.

Ndonëse  mungojnë statistikat zyrtare për numrin e të prekurve,  sipas Organizatës Botërore e Shëndetësisë 1 në 4 persona, ose 25% e popullatës, preket së paku një herë në jetë nga problem të shëndetit mendor.

Të dhënat, ndonëse të cungura, paraqesin një situatë aspak optimiste.  Sipas shifrave që gjenden në faqen zyrtare të Institutit ët Shëndetit Publik, vetëm përgjatë 2015-ës iu drejtuan për ndihmë qendrave të shëndetit mendor plot 39 mijë persona në të gjithë vendin (në këto të dhëna nuk janë të përfshirë rastet e shtrimeve në spitalet psikiatrike). Rekordi mbahet nga Tirana, nga ku sipas të dhënave të ISHP-së në tre qendrat komunitare të shëndetit mendor,  në 2015-ën, kërkuan ndihmën e psikiatrit plot 20 mijë persona, nga të cilët 5 mijë ishin raste të reja.

Për kryeqytetin ritmi i personave me problem të shëndetit mendor vijoi të rritej edhe përgjatë 2016-ës.  Kështu në 6 mujorin e parë të 2016-ës, u shënuan rreth 12 mijë vizita.

Rritje drastike pësoi numri i personave që u paraqitën me shqetësime të shëndetit mendor në rrethin e Elbasanit. Kështu nëse në 2015-ën në këtë qytet shkuan për vizitë tek mjeku rreth 4300 persona, vetëm në 6- mujorin e parë të 2016-ës kërkuan ndihmës e specializuar të ekspertit të shëndetit mendor plot 4600 persona.  Situata paraqitet mjaft gri edhe për Vlorën, Shkodrën e Beratin, qytete ku edhe ofrohet shërbimi i kujdesjes për probleme të shëndetit mendor.

Të njëjtën situatë alarmante paraqiti edhe një studim i publikuar në maj të vitit 2018 nga mjekët rajonalë të spitali të Shkodrës. Më konkretisht në këtë spital gjatë periudhës 2005-2015, mjekët gjetën se ishin shtruar 6287 persona, ishin diagnostikuar dhe kishin marrë mjekim të rregullt në spital.  Këto shifra bëhen më alarmante për faktin se ata flasin për një prevalencë me mbi 3700 të sëmurë për 100.000 persona, ndërkohë që sipas të dhënave të OBSH-së në Shqipëri sipas diagnozave ambulatore janë  1000 të sëmurë mendor për 100.000 banorë.

Të dhënat e Instituti të Shëndetit Publik për qytetet Shkodër, Vlorë dhe Elbasan për vizitat dhe rastet e reja në Qendrat Komunitare të Shëndetit Mendor

 * Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përllogaritur se çrregullimet neuropsikiatrike në vendin tonë vlerësohet të kontribuojnë në 19.8% të barrës totale të sëmundjeve.

Mjekja psikiatre: “Ende nuk është thyer akulli për sëmundjet mendore”

Përpara zyrës së psikiatres Valentina Asabella, pranë poliklinikës së specialiteteve nr.3, ka gjithmonë plot njerëz. Disa me receta në duar, disa të tensionuar, disave stresi i sëmundjes iu shkakton padurim, të gjithë presin të gjejnë shpëtim në këshillat e dokotoreshës që nuk ka asnjë minutë të lirë. Mesatarisht në ditë ajo kryen rreth 30 konsulta dhe vizita.

Valentina Asabella

Dikur tabu, dotoreshë Asabella, shpjegon se ndonëse ka një rritje të ndërgjegjësimit, sërish e kanë të vështirë t’i drejtohen mjekut. “Ka akoma njerëz që nuk e pranojnë sëmundjen e tyre. Nuk pranojnë të vijnë as te psikologu dhe jo më te psikiatri”, – na thotë Valentina Asabella, shefe e shërbimit mendor, pranë poliklinikës nr.3.

Ajo tregon se personat me çrregullime të ankthit janë të parët që kërkojnë ndihmë, ndërsa diagnozat e tjera psikiatrike e kanë pak më të vështirë. Arsyet e kësaj rritjeje sipas saj janë të shumta.

“Kohët e fundit janë shtuar shumë çrregullimet e ankthit. Disa nga arsyet janë duke nisur që nga përdorimi i substancave narkotike, nga pasiguria për të gjetur një vend pune,  nga varfëria”, – shpjegon ajo.

Doktoreshë Asabella thotë se shqiptarët ende janë bestytë dhe më parë se të shkojnë tek doktori shkojnë njëherë në vendet e mira. “Akoma nuk është thyer akulli për këto sëmundje. Edhe familjarët e personave me problem të rënda të shëndetit mendor vonojnë të vijnë. Dhe përgjithësisht, të afërmit, prindërit zgjedhin të përdorin metoda të tjera. E fillojnë me kisha e xhami, pastaj njerëzit e mirë, pastaj provojnë kurat popullore, medikamentet bimore e marra vetë në farmaci. Dhe vetëm pasi kanë kaluar nëpër gjithë këtë kalvar, pastaj vijnë tek ne”, – rrëfen doktoresha.

Ndonëse nuk preferon të japë statistika zyrtare, pasi ende ata janë në përpunim e sipër psikiatria Asabella, sqaron për Citizens Channel se “ka një rritje të dukshme të personave që paraqiten për të kërkuar ndihmë”.

Lexo më shumë

Avokatit i Popullit nxjerr në pah probleme shqetësuese të spitaleve psikiatrike

“Raporti i Avokatit të Popullit, tregon gjendjen e vështirë të spitaleve psikiatrik të Vlorës, Shkodrës dhe Elbasanit, mes mungesave dramatike në staf, mbipopullimit dhe infrastrukturës së amortizuar…

Tiranë, 5 mijë adoleshentë me kartelë te psikiatri, shkak problemet sociale dhe narkotikët

Këto diagnoza të rënda të shëndetit mendor nuk kanë kursyer as adoleshentët. Sipas ISHP vetëm në Tiranë përgjatë 2015-ës, u paraqitën për vizitë pranë ekspertëve rreth 4 mijë të rinj, ndërkohë që kanë tashmë një kartelë mjekësore te psikiatri mbi 5 mijë adoleshentë. Kjo vetëm në Tiranë.

Rritja e numrit të adoleshentëve që kanë problem të tilla pranohet edhe nga shefja e shërbimit të shëndetit mendor në poliklinikën nr.3 Valentina Asabella. Teksa rendit arsyet e shfaqjes së këtyre problemeve tek të rinjtë, ajo fajëson divorcin e prindërve dhe substancat narkotike.

“Është shtuar shumë edhe numri i adoleshentëve. Ata paraqiten kryesisht me çrregullime të ankthit nga përdorimi i psikotikëve. Me keqardhje konstatojmë se përdorimi i tyre fillon që në moshën 13 vjeç dhe përgjithësisht janë me prindër të divorcuar. Shumica e fëmijëve vuajnë probleme të çrregullimit të ankthit për shkak të divorcit të prindërve”, – ngre shqetësimin psikiatria Asabella.

Thuajse në të njëjtën linjë është edhe eksperti i Institutit të Shëndetit Publik,  Alban Ylli. Sipas një survejimi që ai ka kryer në tre gjimnaze të Tiranës një në 3 nxënës shfaqte shenja depresioni,  17-33%  e tyre kanë deklaruar se janë ndjerë të pashpresë përgjatë dy javëve të fundit, ndërsa 4-8% e adoleshentëve kanë menduar për vetëvrasje ose e kanë planifikuar atë.

Alban Ylli

Shqipëria “anemike” për specialist të shëndetit mendor

Rritja dramatike e personave që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor nuk është shoqëruar me politika favorizuese në këtë drejtim. Vendi ynë është thuajse krejtësisht anemik sa i përket numrit të specialistëve të shëndetit mendor.

Burimet njerëzore në sektorin e kujdesit të shëndetit në Shqipëri
Burimi: Organizata Botërore e Shëndetësisë

Sipas raportit të gjendjes shëndetësore të popullatës shqiptare, të realizuar më 2015-ën nga ISHP, përllogaritet që vendi ynë ka vetëm dy mjekë psikiatër për 100 mijë banorë, shumë larg standardeve që OBSH ka vendosur në këtë drejtim që është 8.59 mjekë për 100 mijë banorë.

Numri i profesionitëve të shëndetit mendor në Shqipëri dhe Evropë
Burimi: Organizata Botërore e Shëndetësisë

 

Mungesa të theksuara në ofrimin e shërbimit ndaj personave me probleme të shëndetit mendor ka edhe në mjekë, infermierë apo psikologë. E për të parë diferencën mjafton të krahasojmë se në Europë ka një total prej 43.9 profesionistësh të shëndetit mendor për çdo 100 mijë banorë, kundrejt 11.12 që ka në vendin tonë, ndërkohë që në 2013-ën numri total pësoi një rritje të profesionistëve 13.5 profesionistë për 100.000 banorë, por sërish shumë larg standardeve.

Totali i profesionistëve të shëndetit mendor në Shqipëri 
Burimi: Organizata Botërore e Shëndetësisë (2014)

Por edhe këta mjekë të paktë që kemi, i gjen kryesisht të përqendruar në Tiranë, ndërkohë që shumica e rretheve janë krejtësisht të zbuluar.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *