Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Institucionet dhe bizneset në Durrës, “autorë”  të derdhjes së ujërave të zeza në det

Citizens Channel ka kryer një vëzhgim në bregdetin e Durrësit përgjatë muajit dhjetor 2018, ku në plazhin e Vollgës, Currilave, Kallm, Porto-Romano dhe Plepa, janë konstatuar disa kanale të hapur dhe tubacione që derdhin ujërat e zeza në det.

Investimet ndër vite nuk kanë qenë në raport të drejtë me shtimin e popullsisë. Si pasojë, pas reshjeve të shiut në qytet shpesh herë ujërat e zeza dalin në sipërfaqe nga mungesa e kanalizimeve të ndara për ujërat e shiut dhe ato të zeza. Ndërsa në periferi mungesa e kanalizimeve ka sjellë përdorimin e kanaleve bujqësore të ndërtuara përpara viteve’ 90, që shkarkohen në bregdetin e Durrësit.

Disa të rinj që po dokumentojnë derdhjen e ujërave të zeza në bregdetin e Vollgës me moton “Durrësi aktiv për një bregdet të pastër”, kanë zbuluar se Ujësjellës Kanalizime Durrës derdh në det përgjatë 24 orëve ujëra të zeza të papërpunuara dhe pa ndërprerje.

Kjo gjendje është larg asaj që parashikon ligji “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, ku në nenin 67, shkruhet: “…në brigje, plazhe dhe në zonat e vërshimit ndalohet shkarkimi i ujërave të ndotura urbane e industriale të patrajtuara”.

Projekti më i rëndësishëm që pritet t’i japë zgjidhje situatës, është marrëveshja midis qeverisë shqiptare dhe Bankës Botërore, që ka ofruar një kredi me vlerë 85 milion dollarë, ku përfshihen edhe investime për rrjetin e ujit të pijshëm.

Qeveria shqiptare ndër vite ka premtuar zgjidhjen e problemit të ujërave të zeza në qytetin e Durrësit dhe qytetarët sot nuk kanë informacione të sakta për situatën. Sa herë që kanë vizituar Durrësin, Kryeministri dhe zyrtarë të lartë e kanë konsideruar të përfunduar investimin për ujërat e zeza në bregdet dhe i kanë siguruar qytetarët se nuk ka më derdhje të ujërave të zeza në det, por që nga vëzhgimi ynë në lagjen nr. 1 të qytetit (Vollga), Currila, Porto-Romano dhe Plepa, nuk rezulton e vërtetë.

Tubacioni që shkarkon ujëra të ndotur në hyrje të shëtitores Taulantia, Vollga, Durrës; Foto Geri Emiri

“Shëtitorja Taulantia, aty ku turizmi shkel mbi ujërat e zeza”!

Në shtator 2017 në hyrje të shëtitores “Taulantia”, në vijim të projektit ‘Veliera’, u kryen punime për hapjen e një kanali që do të shërbente si kolektor shkarkues i ujërave të shiut sipas përgjigjes zyrtare të bashkisë Durrës që ne morëm.

“Ky kanal i derdh pjesërisht në det ujërat e zeza të lagjes nr. 1 sipas përgjigjes zyrtare që na ka dhënë Ujësjellës Kanalizime Durrës. Nga monitorimi në plazhin e Vollgës, ku edhe lahen qytetarët, duke nisur që nga fëmijët, ujësjellësi derdh ujëra të zeza pa ndërprerje përgjatë 24 orëve”, tha për Citizens Channel, Klaudio Hyseni, drejtues i projektit “Durrësi aktiv për një bregdet të pastër”.

Pas interesimit të Citizens Channel tek Inspektoriati i Mjedisit Durrës, mësuam zyrtarisht se kjo problematikë është evidentuar prej tyre, duke pranuar edhe se shkarkohen ujëra të ndotur në det.

“Shoqëria Ujësjellës Kanalizime Durrës Sh.a. ka lidhur kontratë me subjektin sipërmarrës 2T sh.p.k për ndërtimin e një kolektori të ri, duke bërë të mundur mbylljen e kanalit derdhës në shëtitoren Taulantia. Pritshmëritë janë që ky projekt të përfundojë brenda tre muajsh”, u përgjigj zyrtarisht Inspektoriati i Mjedisit Durrës, pas një kërkese për informacion.

Kjo problematikë është në fokus të të rinjve në qytetin e Durrësit, që me nismën “Durrësi aktiv për një bregdet të pastër”, po plotësojnë një peticion që do t’i drejtohet bashkisë Durrës, me qëllim ndalimin e derdhjes së ujërave të zeza në këtë pjesë të bregdetit. Përveç mbledhjes deri më tani të mbi 1000 firmave nga qytetarët, të rinjtë po shfaqin në sheshin qendror të qytetit disa video-reportazhe me karakter informues dhe ndërgjegjësues për situatën.

Sipas Klaudio Hysenit, investimi pritet të mbarojë minimumi përpara nisjes së sezonit veror në vitin 2019, prandaj justifikimi se do të mbarojë brenda tre muajsh është i paarritshëm.

“Edhe pretendimi se tubi i ri derdh ujëra (të ndotur) qëndron, pasi ka shumë vite që është bërë investimi dhe popullsia është rritur, ndërkohë që dimensioni i tubave përcjellës ka qenë po i njëjtë. Prandaj po ndërtohet rrjeti i ri që të bëjë diferencimin për ujërat e shiut dhe të zeza”, tha për Citizens Channel, Bledar Metalla, inxhinier i Ujësjellës Kanalizime Durrës (UKD) për kanalizimet.

Klaudio Hyseni, drejtues i projektit “Durrësi aktiv për një bregdet të pastër”; Foto Geri Emiri

Pjesë e ndotësve janë edhe bizneset që operojnë përgjatë shëtitores Taulantia dhe shkarkojnë ujërat e ndotur në det. Sipas Raportit të Gjendjes në Mjedis për vitin 2015, “masë për përmirësim” ishte lënë shkarkimi i tubacionit të UKD-së dhe shkarkimi i ujërave të zeza dhe të ndotura urbane nga lokalet e shërbimit në mjedisin detar tek kjo zonë.

Ndotja e plazhit prek turizmin!

Kanali i shkarkimit të ujërave rurale në Plepa, pranë zonës së Shkëmbit të Kavajës, grumbullon ujërat urbane të gjithë zonës rurale të Rrashbullit dhe të ndërtesave të ndërtuara pas shinave të trenit.

Kanali që shkarkon ujëra të ndotur në Plepa; Foto Geri Emiri

Sipas Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, zona e kanalit në Plepa, rezulton se në vitin 2017 ka cilësi shumë të keqe krahasuar me vitin paraardhës. Pyetur për këtë, inxhinieri i UKD-së, Bledar Metalla, tha: “problemi qëndron tek fshatrat në periferi të qytetit që shkarkojnë ujërat e zeza në këtë kanal”.

Sipas Raportit të Gjendjes në Mjedis për vitin 2015, rezulton se për këtë kanal Ujësjellës Kanalizime Durrës i ishte lënë si masë për tu përmirësuar vendosja e depuratorit për pastrimin e ujërave të ndotura urbane, para se ato të shkarkohen në det, të paktën gjatë sezonit veror.

Më 17 maj 2018, ministri i turizmit Blendi Klosi deklaroi se; “Nga data 1 qershor ne do të veprojmë me të gjithë institucionet që shfrytëzojnë ujin e detit, qofshin ato private apo shtetërore, që nuk kanë depurator për trajtimin e ujërave të zeza”.

Nga vëzhgimi ynë në dhjetor 2018 në kanalin që derdh ujërat e zeza në plazhin e Plepave, pranë Shkëmbit të Kavajës, nuk u evidentua prania e ndonjë depuratori, që të filtronte këto ujëra të ndotur.

“Prandaj edhe pjesa Ishëm-Durrës, sipas raporteve ndër vite të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, nuk rekomandohet për plazh sepse cilësia e ujërave është shumë e keqe, ndërkohë që sipas direktivës së BE-së duhej të ishte ‘e mirë”, tha për Citizens-Channel, Olsi Nika, hidrobiolog dhe drejtues i “Eco Albania”.

Tubacioni që shkarkon ujëra të ndotur përgjatë shëtitores Taulantia; Foto Geri Emiri

Rreziku për shëndetin e qytetarëve dhe biodiversitetin

Bregdeti i “Vollgës”, Currilave, Plepave dhe Porto-Romanos përdoren për plazh nga qytetarët, një pjesë e të cilëve nuk janë të informuar për rrezikun që i kanoset.

“Ne kemi konstatuar se në plazhin e Vollgës nuk ka tabela informuese për rrezikun e larjes sepse aty shkarkohen ujëra të zeza pa ndërprerje. Institucionet ja pasojnë përgjegjësinë njëra-tjetrës, ndërsa kemi mësuar nga Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor se aty nuk janë bërë matje për cilësinë e ujit të larjes dhe po ashtu nuk monitorohet niveli i ndotjes nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit”, tha Klaudio Hyseni, që po dokumenton situatën dhe informon publikun.

Tubacioni që shkarkon ujëra të ndotur në plazhin e Vollgës; Foto Geri Emiri

Lidhur me efektet e kësaj ndotje, për hidrobiologun Olsi Nika ajo; “prish ekuilibrat e funksionimit të një ekosistemi në mënyrë natyrore, që do të thotë se rritet shkalla e ngarkesës mikrobike, por edhe sikur ujërat të jenë vetëm me shkumë, jo toksike dhe jo helmuese, vetëm nga ndryshimi i presionit sipërfaqësor të ujit, gjallesat nuk mund të jetojnë më aty”.

Megjithatë në bregdetin e Vollgës, Porto-Romano dhe në Plepa, peshkatarët amatorë gjuajnë për peshk duke u futur në ujin pranë këtyre kanaleve, që rrezikon edhe shëndetin e tyre. “Përveç problematikave të tjera që ka Durrësi, ka edhe këtë shumë kryesore, ku aty lahen qytetarët dhe është diçka e papranueshme”, tha për Citizens Channel, Griseld Hoxha, banor i Durrësit.

Autor: *Geri Emiri

*Diplomuar për Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka punuar në disa media online dhe televizion. Ai është themelues dhe editor online i blogut jofitimprurës “Amfora.al”, të profilizuar në raportimin mbi arkeologjinë dhe monumentet e kulturës në Shqipëri. Aktualisht punon edhe si gazetar i lirë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *