Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Valbona” do të dëgjohet në Parlamentin e Bashkimit Evropian

Më 7 mars 2019, nga ora 14:30–18:30, kauza e mbrojtjes së Luginës së Valbonës do të dëgjohet në Parlamentin e Bashkimit Evropian në një konference të organizuar nën titullin “Ruajtja e lumenjve të Ballkanit: Rezistenca e hidrocentraleve në Ballkan dhe Shqipëri”.

Pjesëmarrja e çështjes së Valbonës në këtë konferencë vjen pas vizitës së delegatëve të BE-së në luginën e Parkut Kombëtar, gjatë shfaqjes së dokumentarit të realizuar nga BIRN.

Presidentja e Organizatës “Toka”, Catherine Bohne, gjatë bërjes publike të këtij lajmi pozitiv për banorët e luginës së Valbonës u shpreh: “Jemi shumë të lumtur që çështja jonë është dëgjuar para Parlamentit të BE-së. Por kjo është vetëm një nga disa mënyrat që ne po planifikojmë të sjellim abuzimet flagrante të sistemit shqiptar kundër popullit dhe mjedisit tonë në njoftimin ndërkombëtar, sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Ishte prilli i vitit 2017 i cili shënoi nisjen e punimeve për ndërtimin e një prej dy hidrocentraleve në brendësi të Parkut Kombëtar të Valbonës. Ky projekt planifikon të fusë në tunel 3 kilometra të lumit Valbonë, në një prej pjesëve më të bukura të Shqipërisë.

  Gjatë punimeve të ndërtimit të HEC-eve.

Pas këtij vendimi, banorët e Luginës së Valbonës iu drejtuan me anë të një kërkese Gjykatës Administrative për të pezulluar punimet. Por në qershor të vitit 2017 Gjykata Administrative e rrëzoi kërkesën e 27 banorëve të Luginës së Valbonës dhe Organizatës “Toka” për të pezulluar punimet e HEC-it që nisi të ndërtohej në një nga segmentet më të bukur të Valbonës. Gjyqtarja Elvana Cicolli arsyetoi se pala paditëse nuk ka paraqitur fakte të mjaftueshme që tregojnë se punimet e HEC-it dëmtojnë mjedisin duke u lënë kohë banorëve për të sjellë prova të reja.

                 Catherine Bohne , presidente e organizatës “TOKA” 

Pezullimi i punimeve nga Gjykata Administrative

Më 6 qershor 2018, Gjykata Administrative e Apelit të Tiranës pezulloi punimet e kompanisë “Dragobia Energy” në Valbonë.

Vendimi i Administratives së Apelit është marrë në bazë të padisë së banorëve të Luginës së Valbonës dhe Organizatës “TOKA”, pasi ndërtimi i hidrocentraleve nuk përputheshin me interesat e komunitetit.

Po ashtu Gjykata çmoi se vendimi i Këshillit Kombëtar të Territorit, i datës 10 nëntor 2017, për leje zhvillimore në Valbonë është i paligjshëm, pasi në një Park Kombëtar ndalohet veprimtaria e ndërtimit të hidrocentraleve.

“Vendimi Nr.12, datë 10.11.2017, i KKT-së është nxjerrë në kundërshtim me ligjin Nr. 81/2017, datë 4.5.2017 “Për Zonat e Mbrojtura”, duke cënuar interesa të rëndësishme kushtetuese dhe ligjore në çështjet mjedisore.” – thuhet në arsyetimin e Administratives së Apelit.

Vendimi i Gjykatës së Tropojës 

Më korrik 2018, pas kërkesës së kompanisë që po ndërton HEC-et, gjyqtari i Tropojës, Sami Ujkashi, ka vendosur të rrëzojë vendimin e Gjykatës Administrative  të Apelit në Tiranë, për pezullimin e punimeve.

Pala kërkuese (kompania konçesionare Dragobia Energy), në kërkesën e depozituar në Gjykatën e Tropojës deklaron se vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit është i pavlefshëm, pasi i referohet pezullimit të lejes së KKT-së me nr.12, datë 10.11.2017, me një afat prej 5 muajsh. Në datën 21 maj 2018, kjo leje ka skaduar, ndërsa kompania konçesionare ka aplikuar 4 ditë përpara (17 maj) për leje të re zhvillimore.

Në datë 26 korrik 2018, Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) është mbledhur për miratimin e 28 lejeve, por nuk ka miratuar lejen për kompaninë “Dragobia Energy”, kompaninë që po ndërton HEC-et në Valbonë. Në argumentin e saj, drejtuar Gjykatës së Tropojës, “Dragobia Energy”, thotë se ka një miratim në heshtje të lejes së KKT-së dhe se punimet po kryhen në bazë të kontratës konçesionare të datës 23.04.2009. Por, kontrata konçesionare nuk parashikon dhënien e asnjë leje, as atë të ndërtimit, pasi vetëm pas lidhjes së kontratës, “Dragobia Energy” pajiset me  të gjitha lejet, edhe atë të Këshillit Kombëtar të Territorit.

Pra, sot kompania konçesionare jo vetëm që po ndërton HEC-e pa një leje ndërtimi, por nga ana tjetër ka refuzuar të zbatojë vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit në Tiranë, të datës 6 qershor 2018.

Përmbaruesi Eduard Mrishaj kishte kërkuar mbështetjen e Policisë së Tropojës për të shkuar në zonën ku po ndërtohen HEC-et. Por, ai është përballur, me një vendimin e Gjykatës së Tropojës, për pezullimin e punimeve të zyrës përmbarimore.

Gjykata e Tropojës ka prevaluar mbi vendimin e Gjykatës Administrative të Tiranës, duke i dhënë kështu  të drejtën kompanisë konçesionare “Dragobia Energy” që të vijojë punimet të paktën deri në 31 janar 2019.

Vetëm Gjykata e Lartë ka për kompetencë që të rrëzojë një vendim të Gjykatës Administrative të Apelit të Tiranës. Por në mungesë të trupës gjykuese të Gjykatës së Lartë, për shkak se 5 prej tyre janë eleminuar nga procesi i VETTING-ut, kompania “Dragobia Energy” i është drejtuar Gjykatës së Tropojës për të gjetur një zgjidhje.

Vendimi i Gjykatës së Rrethit Tropojë që rrëzon Gjykatën Administrative

Për vendimet e marra deri më tani nga gjyqësori shqiptar drejtuesja e organizatës “Toka” u shpreh se :

” Pas tre vjet përpjekjesh, me respekt dhe shpresë, për t’u besuar qeverisë shqiptare dhe sistemit gjyqësor, goditjet dhe tmerret e gjysmës së dytë të vitit 2018 dëshmojnë se nuk mundemi. Kur zv.Ministri i Drejtësisë shkon në televizion dhe thotë se veprimet e gjykatës së rrethit të Tropojës janë të paligjshme — dhe pastaj nuk ndodh asgjë — shohim se sistemi nuk funksionon dhe gjykatat janë të lira të veprojnë në mënyrë të paligjshme, pavarësisht nga programi i reformës së drejtësisë. Kur Prokurori publik i Tiranës argumenton se njerëzit e vdekur që nënshkruajnë provën e një takimi nuk do të thotë se takimi nuk ndodhi, shohim se sistemi nuk funksionon.”

Ajo shpreson te dëgjimi i kësaj çështjeje nga institucionet ndërkombëtare:  “Kur Prokurori publik argumenton se nëse një kriminel i akuzuar thotë “asgjë nuk ka qenë e gabuar”, kjo është një dëshmi se asgjë nuk është e gabuar, ne e shohim se sistemi nuk funksionon. Dhe kur gjyqtarët e gjykatës së lartë japin një urdhër pune të ndaluar, për shkaqe urgjente për të mbrojtur dëmtimin e pakthyeshëm ndaj interesit publik dhe kjo provon të pamundur për të zbatuar këtë vendim, shohim qartë se sistemi nuk funksionon. Prandaj ne po marrim luftën në një nivel ndërkombëtar “

Parku Kombëtar i Luginës së Valbonës është një nga zonat me biodiveristetin më të lartë në Europën Jug-Lindore. Është gjithashtu edhe burim të ardhurash për banorët e zonës prej turizmit të qendrueshëm dhe një nga tre destinacionet kryesore të turizmit në Shqipëri. National Geographic në vitin 2017 e shpalli si një nga “9 Best Places in the World to Enjoy the Great Outdoors” (9 vendet më të mira në botë për turizmin në natyrë). Me ndërtimin e hidrocentraleve të gjitha këto mund të shkatërrohen.

*Citizens Channel /E.K/

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *