Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Pedagogët e Filologjikut në grevë : “Të shfuqizohet ligji për Arsimin e Lartë”

Pedagogët e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë (FHF) sikundër kanë paralajmëruar, janë futur sot në grevë një-ditore në mbështetje të bojkotit studentor. Ata kërkojnë plotësimin e kërkesave të studentëve dhe rrëzimin e Ligjit për Arsimin e Lartë.

Në vendimin e Asamblesë së Fakultetit pedagogët shprehen se Ligji për Arsimin e Lartë duhet të abrogohet si dhe të anulohen disa Vendime të Këshillit të Ministrave (VKM) që sipas tyre shkelin autonominë universitare.

“Asambleja shpreh kundërshtinë me aktet nënligjore :

-VKM-të e datës 26 dhjetor 2018 Nr. 777, Nr. 781, Nr. 783 si dhe

-urdhrat e Kryeministrit të datës 26 qershor 2018; Nr. 781, Nr. 184, Nr. 185, dhe Nr. 186. Këto akte dhe urdhra cënojnë rëndë autonominë e IAL-ve dhe liritë akademike të profesoratit në këto pika:

  1. Autonominë në vlerësimin e punës shkencore dhe të karrieres akademike.
  2. Liritë akademike të profesoratit në përcaktimin e përmbajtjes së njohurive që jepen në auditor.
  3. Shkelin plotësisht konventat europiane për autonominë universitare dhe liritë akademike. “
Vendimi i Asamblesë së FHF-së

Të mbledhur në oborrin e fakultetit në një prononcim për mediat profesor Mark Marku u shpreh se vendimet e fundit të Këshillit të Ministrave janë në kundërshtim të plotë me autonominë universitare dhe jo në përputhje me frymën evropiane.

“Është mbledhur asambleja e Fakultetit. Asambleja është tërësia e pedagogëve. Ndaj është vendosur që të shpallet një grevë një ditore. Është pjesë e autonomisë, pavarësia në kërkimin shkencor dhe punët shkencore. Pavarësish në përmbajtjen e mësimdhënies. Janë 3 gjera elementare. VKM i cenojnë të trija këto. Në një VKM thuhet se qeveria do të prodhojë një statut-tip dhe mbi këtë bazë do ndërtohen statutet e tjerë. Çdo universitet ka statutin e vet. Ky është cënim direkt i autonomisë. Ne jemi me vettingun, por kush do ta bëjë kontrollin e gradave. Ministria bën një VKM për bibliografinë. I bie që ministria do bëjë librat për universitetit, si në shkollat fillore. Ne do caktojmë një ditë se kur do të mblidhemi bashkë me asambletë e tjera të fakulteteve dhe do të dalim me një qëndrim”

Ndër të tjera profesor Mark Marku shprehet se kjo ditë greve nga ana e Fakultetit Histori-Filologji është një mundësi edhe për fakultetet e tjera, për të reflektuar dhe për të diskutuar së bashku se si duhet ta përmirësojnë ligjin për Arsimin e Lartë.

Oborri i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë

Zëvendës Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Agron Gjekmarkaj është shprehur se veprimi i ditës së sotme është një vendim unanim i marrë në Asamble dhe kërkesa drejtuar qeverisë për të rrëzuar ligjin e Arsimit të lartë nuk është një tekë, por një shërbim ndaj universitetit publik në Shqipëri.

“Ne jemi për ti mbështetur dhe jemi pas një vendimi unanim të marrë nga asambleja për të shprehur indinjatën tonë të përsëritur dhe thirrjen për arsye që i drejtohet qeverisë për të rrëzuar ligjin e arsimit të lartë, jo pse duam ne për tekë por për ti bërë një shërbim universitetit publik në Shqipëri, kemi harxhuar letër të bardhë pafund, por kjo u hodh poshtë nga qeveria. Nëse ai ligj nuk bie universiteti nuk do të ketë paqe. I bëjmë thirrje qeverisë të mos harxhojë kohë me retorikë, por të flasë për kërkesat e studentëve. Kërkesat i janë drejtuar qeverisë, ne jemi thjesht solidarë me studentët në këtë çështje. Na shqetëson se studentët janë jashtë auditorëve, jemi këtu të kapim mësim dhe dije për sa kohë ata janë jashtë, nuk funksionon”, tha ai.

Zëvendës dekani Gjekmarkaj shtoi më tej se nëse këto çështje nuk zgjidhen universiteti do t’i drejtohet Gjykatës Administrative.

“UT do i drejtohet Gjykatës Administratave për të rrëzuar VKM-të se cenohet autonomia, pasi nuk lejojmë që universiteti te merret ne patronazh nga ministrat e Ramës si bëri në show-in e radhës tek Turbina.”

Me anë të një postimi në facebook , ka deklaruar se është pjesë e grevës për të kundërshtuar ligjin për Arsimin e Lartë edhe pedagogu Artan Fuga. Ai thekson se e njeh nga historia se sa e rrezikshme është kur pushteti bën sikur merr anën e të dobëtëve dhe si zgjidhje propozon cënimin e lirisë. Profesor Fuga shprehet se refuzon të të bëjë mësim në një në një universitet që kthehet në një regjim kazerme, pasi VKM-të e fundit janë krejtësisht në kundërshtim me frymën demokratike të një universiteti të lirë.

“Unë sot jam në grevë, si anëtar i thjeshtë, i barabartë, përtej ndarjeve departamentale, i asamblesë të fakultetit Histori – Filologji të Universitetit të Tiranës. Sepse unë refuzoj të bëj mësim në një universitet që kthehet në një regjim kazerme. Sepse vkm e fundit janë krejtësisht në kundërshtim me frymën demokratike të një universiteti të lirë! Sepse unë jam për një model të ri universitar shqiptar, por jo që kriza e protestave studentore të hidhet mbi demokracinë universitare. Unë e njoh nga historia sesa sa e rrezikshme është kur pushteti bën sikur merr anën e të dobëtëve dhe si zgjidhje propozon cënimin e lirisë! As feja, as shkenca, as arti, as dija, nuk bëhet në kushte detyrimi! Prej shekujsh Martin Luteri e ka zbuluar këtë edhe për shqiptarët ! Sot në oborrin e fakultetit histori – filologji luhet fati i intelektualizmit shqiptar për të paktën dekadat e ardhshme.”

Postimi i plotë i pedagogut Artan Fuga në facebook

Ndërkohë dita e sotme ka filluar sërish me bojkot të studentëve në fakultetet e tjera të Universitetit të Tiranës.

Në Fakultetin e Shkencave Sociale, janë duke u zhvilluar ligjërime dhe diskutime me pedagogë dhe studentë, aktivitete dhe performancë artistike.

Në Fakultetin e Shkencave të Natyrës bojkoti vazhdon. Studentët kanë artikuluar arsyet se pse protesta dhe bojkoti duhet të vazhdojë. Ndërkohë, ecuria e protestës do të vendoset sot nga studentët me anë të votimit.

Në fakultetin e Historisë dhe Filologjisë krahas bojkotit nga ana e studentëve dhe pedagogëve janë vendosur shirita që simbolizojnë mbylljen e institucionit arsimor.

Fakulteti i Gjuhëve të Huaja vazhdon bojkotin duke bllokuar edhe dyert e fakultetit me karrige dhe banka.

Studentët e Fakultetit të Ekonomisë vazhdojnë të qëndrojnë të grumbulluar në hollin e Fakultetit në mënyrë demonstrative.

*Citizens Channel  /E.K./

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *