*Nga Arlinda Shehu

Për të gjithë ata që e kanë përjetuar prindërimin, është e kotë të them se çfarë është ajo çka në jetë i çon në “ferr” apo “parajsë”.

Një muaj më parë ime bijë, vetëm 15-muajshe, u shtrua në spitalin pediatrik (QSUT) në repartin e Nefrologjisë. Procedura e shtrimit ishte tërësisht e thjeshtë: Ime bijë me 41 temperaturë, shkuam tek urgjenca e pediatrisë, u bënë analizat, u morën rezultatet, u shtrua.

Në dhomën e caktuar për të qëndruar kishte një lavaman, një tavolinë, një komodinë, një dollap të vogël (që shërbente edhe si “mur” ndarës me dhomën ngjitur), si dhe një krevat.

E kotë të them që qëndrimi ishte i lodhshëm (më shumë mendërisht se fizikisht): antibiotiku që futej me shiringë përmes vigonit, në 6 të mëngjesit, 12, 18, 00 të natës, serumet në 8 të mëngjesit dhe 8 të darkës, ndërsa ime bijë qante teksa shikonte litarin e serumit të lidhur pas dorës së saj dhe lëvizte duart pa pushim duke bërë që serumi të zgjaste dy orë e jo rrallë të duhej të ndërronte vigonin  e të shpohej nga e para.

Të gjitha këto, pjesë normale e të qëndruarit në spital.

Për ata që mund të keqkuptojnë, JO, nuk kam dhënë asnjë ryshfet as për pastrueset, as për infermieret, as për doktorët, as për rojën te dera. Dhe as nuk më kërkoi njeri. Të paktën, jo shprehimisht.

Ajo çka më bëri përshtypje në 6 netë të qëndrimit tim dhe sime bije ishin kushtet dhe rregullat e spitalit:

  • Ishte vetëm një krevat për të rritur ku duhet të flinim unë dhe ime bijë, sepse nuk kishte krevat për fëmijë. Fjetja në një krevat me të voglën që mbante vigonin në dorë ishte i ankthshëm. Frika se mos ndoshta të zinte gjumi dhe ti mund t’i zije dorën me vigonin poshtë teksa ajo rrotullohej në gjumë, të bënte të mos flije (për të mos folur pastaj për rehatinë e krevatit, faktin që mund t’i përplasej koka apo mund të përplaste dorën me vigon pas murit etj).
  • Dhomat nuk kishin ujë të ngrohtë. Megjithëse në një repart ku fëmijët janë të shtruar për shkak të infeksioneve urinare, sa herë që ndërroja time bijë, duhet të shkoja tek infermieria dhe të merrja ujë të ngrohtë në mënyrë që ta laja. Përveç kësaj, duke qenë se edhe atje uji ngrohej me një bolier të vogël poshtë lavamanit, kishte raste që duhej të prisje ca, sepse uji ishte mbaruar nga nënat e tjera që gjithashtu duhet të lanin fëmijët e tyre.
  • Dhomat, sigurisht, nuk kishin banjë më vete, por edhe banja që ndodhej në fund të korridorit ishte banjë, e cila nuk kishte shkarkues uji dhe të duhej të mbushje kova me ujë për ta lënë banjën të pastër. Sigurisht që nuk kishte ujë të ngrohtë. Për më tepër, ishte një banjë për të rritur. Dhe nuk kishte banjë për fëmijë. Jo! Në spitalin e fëmijëve nuk ka banjë për fëmijë!
  •  Nuk lejohej sjellja nga shtëpia e çarçafëve apo jastëkëve, por meqë qëllova në spital në fundjavë, kur ime bijë volli mbi krevat, u desh goxha diskutim për të marrë çarçaf të ri, sepse nuk kishte të tjerë dhe nëse vinin urgjenca të tjera, nuk dinin ç’t’u jepnin pasi ishin pushim ata që sillnin çarçafët.
  • Bashkëshorti im, babai i sime bije, nuk lejohej të qëndronte në spital përveçse në orarin e vizitave (njësoj si një kushëri apo koleg pune). Lejohej të qëndronte vetëm nëna. Një gjë e tillë shkaktoi një lodhje tepër të madhe për mua,  6 ditë 24 orë në spital, dhe një frikë të madhe te ime bijë, së cilës largimi i të atit ia shtoi edhe më shumë frikën e qëndrimit në spital.

Diçka që ishte e vështirë për mua dhe besoj për çdo prind tjetër, përveç kushteve të spitalit, është edhe mënyra e sjelljes e stafit mjekësor me fëmijët: nuk kishte asnjë ndryshim nga mënyra se si sillen me të rriturit, qëndrim i njëjtë, e folur e njëjtë. Është e kotë pastaj të them që kishte raste kur një pjesë e stafit mërzitej pse fëmijët e sëmurë (të mbyllur brenda dhomave) kishin dëshirë të dilnin nëpër korridor për të luajtur me njëri-tjetrin. Sepse nuk kanë një vend për të luajtur në spitalin pediatrik. Dhe janë fëmijë.

Është e vërtetë, në fakt. Pediatria është lyer nga jashtë dhe i kanë bërë ca vizatime. Edhe fotot që bëhen aty te hyrja e spitalit, dalin shumë të bukura në facebook. Por, ndoshta, drejtuesit tanë të shëndetësisë bëjnë mirë të futen edhe brenda pavioneve. U takon atyre që të shohin përtej lyerjeve dhe vizatimeve. Dhe të marrin masa. Dhe meqë janë prindër vetë, të kuptojnë rëndësinë e masave të tilla. Sepse shëndeti*, thotë populli ynë, është mbi gjithçka.

*mendor dhe fizik

*Citizens Channel