Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

4 ditë nga ultimatumi i pedagogëve: Çfarë po ndodh me Universitetin?

Vendimet e nxjerra nga Asambletë e disa fakulteteve të Universitetit të Tiranës, kanë sjellë organizimin për herë të parë të një Asambleje të përgjithshme të Universitetit të Tiranës.

Ishin Asambletë e Fakultetit Histori dhe Filologji, Gjeologjikut, e Shkencave të Natyrës dhe Shkencave Sociale, të cilët dolën me vendime konkrete përsa i përket protestës së studentëve dhe hapave që duhen ndërmarrë më tej. Ata u shprehën për mbrojtje të kauzës së studentëve, shfuqizim të ligjit për Arsimin e Lartë, shfuqizim të vendimeve të Këshillit të Ministrave të miratuara dhe publikuara së fundmi dhe mos denigrim të figurës së pedagogut.

Vendimet e Asamblesë së personelit akademik të Fakulteteve të Universitetit të Tiranës 

Pas këtyre vendimeve pedagogët kërkuan mbajtjen e një tjetër mbledhjeje ku të pranishëm të ishin të gjitha asambletë e Fakulteteve të Universitetit të Tiranës.

Më 25 janar, në orën 10, në godinën Iliria, u mbajt për here të  parë mbledhja e Asambleve akademike të Universitetit të Tiranës. Asambletë dhe stafet akademike të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Drejtësisë, Shkencave të Natyrës, Shkencave Sociale, Gjuhëve të Huaja, si dhe pedagogë të ekonomikut, në mungesë të pranisë së Asamblesë së këtij fakulteti, diskutuan për arsimin e lartë në Shqipëri dhe situatën që solli protesta e studentëve.

Kjo Asamble, ashtu sikundër Asambletë respektive të disa fakulteteve dolën në përfundim me një vendim të përgjithshëm . Sipas këtij vendimi stafet akademike të Universitetit të Tiranës dalin në mbështetje të studentëve, shprehen kundër ligjit të Arsimit të Lartë, kërkojnë rritje të buxhetit për Arsimin dhe shfuqizimin e vendimeve të Këshillit të Ministrave (vkm),  të miratuara së fundmi.

  1.  “Rikonfirmojmë mbështetjen e studentëve për kërkesat e tyre.
  2. Shprehemi kundër Ligjit “Për arsimin e Lartë” 80/2015, si dhe kërkojmë shprehjen e vullnetit të qeverisë për fillimin e procesit legjislativ për hartimin e një ligji të ri për Arsimin e Lartë, në bashkëpunim me studentë, pedagogë dhe aktorë të tjerë të rëndësishëm, në një proces konsultimi të hapur dhe gjithëpërfshirës.
  3. Kërkojmë shfuqizimin e menjëhershëm të VKM-ve të datës 26 dhjetor 2018: Nr.777, Nr.781, Nr. 783, si dhe urdhrat po të datës 26 dhjetor: Nr.183: Nr.184: Nr.185, të cilat bien në kundërshtim me autonominë universitare dhe lirinë akademike.
  4. Kërkojmë rritjen e buxhetit për arsimin e lartë publik, si dhe
  5. Ndalimin e menjëhershëm të fushatës denigruese ndaj pedagogëve dhe miratimin e statusit të pedagogut. “

Pedagogët janë shprehur se presin një përgjigje për të gjitha pikat e kërkuara në këtë vendim dhe i kanë vendosur qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit një afat për kthimin e përgjigjes, në të kundërt ata paralajmërojnë grevë të përgjithshme.

“Presim përgjigje dhe masa konkrete brenda datës 1 shkurt 2019 për pikat e mësipërme. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë do t’i drejtohemi të gjithë trupës akademike të universiteteve publike në nivel kombëtar, për grevë të përgjithshme.“


Deri më tani nuk ka asnjë përgjigje zyrtare nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve për kërkesat e drejtuara nga pedagogët drejt këtij institucioni.

Ndërkohë në një dalje publike, në emisionin “Zonë e Lirë“,  ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Besa Shahini, u shpreh se nuk është identifikuar asgjë konkrete nga kritikët dhe pedagogët që nuk shkon me ligjin.

“Gjatë këtyre 7-8 javëve jam munduar të kuptoj dy gjëra. E para : cilat janë elementet e ligjit apo të vendimit të Këshillit të Ministrave të cilat kanë dalë nga ligji që kanë shkaktuar problemet që kanë sot studentët dhe për të cilat kanë protestuar. Konviktet, tarifat, biblioteka elektronike, plagjiatura etj. Askush nuk arriti të më identifikojë një rresht, një nen. Pyetja e dytë që kam shtruar, është : Cilat nga këto probleme, pas 5 vitesh mund të sjellë ky ligj? Kjo gjë nuk është identifikuar qartë nga kritikët e ligjit. Kritikët e ligjit janë pedagogët që po protestojnë pedagogët që dalin e flasin publikisht kundër edhe janë studentët. Ajo çka duhet të bëhet tani me urgjencë është të identifikohet se cilat janë elementët problematikë të ligjit dhe unë nuk e kam fare problem ta hapim këtë diskutim. Unë jam e hapur që ta fillojmë diskutimin se ku janë këto probleme, Nëse nuk janë problemet ligjore, duhet t’i zgjidhim problemet që ekzistojnë.”

Gjendja në fakultete vazhdon të jetë kaotike. Disa u janë rikthyer mësimit dhe disa të tjera mbajnë flamurin e protestës. Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë dhe ai i Shkencave Sociale kanë vazhduar axhendën e tyre me diskutime dhe ligjërime.

Tashmë, na mbetet të presim se çdo të ndodhë deri më 1 shkurt. Nëse nuk do të ketë një përgjigje zyrtare nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës, a do të përfshihet Universiteti i Tiranës në një grevë të përgjithshme?!

Citizens Channel /E.K/

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *