Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

KSHM: 35 media online me shkelje etike

35 nga 40 mediat e monitoruara rezultuan me shkelje në kodin e etikës. Këshilli Shqiptar i Medias ka prezantuar studimin për shkeljet e etikës në median online, pas një monitorimi 6 mujor. Ky proces u realizua në kuadër të projektit Media Observatory II, i cili synon vetërregullimin e medias në Shqipëri nëpërmjet zbatimit të Kodit të Etikës së Gazetarit.

Në shqyrtim janë marrë disa nene nga Kodi i Etikës së Gazetarit, ndër to përfshirë ndershmëria dhe saktësia e informacionit, dallimi i faktit nga opinioni, pavarësia editoriale, raportimi i procedurave gjyqësore, prezumimi i pafajësisë dhe korrektësia në shkrimin e gjuhës shqipe.

Numri i përgjithshëm i shkeljeve në të gjithë procesin për harkun kohor 6 mujor është 1280.

Referuar prezantimit të studimit u vu re se ka një obezitet mediatik, gje e cila ka sjellë edhe jo profesionalizëm në fushën e gazetarisë. Profesionalizmi përballë komercializmit është i pafuqishëm për pronarët e mediave, ndërkohë që informacioni operohet nga jo-profesionistët. Publiku bombardohet me informacion, por që është i pakonfirmuar. Licensimi i mediave nuk i nënshtrohet asnjë kriteri mbi rolin publik duke bërë që media tashmë të konsiderohet si një mjet fitimprurës.

Sipas KSHM-së numri më i madh i shkeljeve vihet re në mediat të cilat prodhojnë më shumë informacion. Mediat të cilat janë të fokusuar më së shumti te analiza dhe nuk riprodhojnë lajmet e të tjerëve kanë më pak shkelje. Mediat të cilat tentojnë më shumë sasi, cedojnë cilësinë dhe mediat të cilat ruajnë cilësinë humbin garën për të kapur sasinë e audiencës.

Shkeljet më të shpeshta të mediave sipas këtij monitorimi janë:

  • raportimi i ngjarjeve policore dhe kronikës gjyqësore
  • mos përmendja e vendit ku ka ndodhur ngjarja
  • saktësia dhe ndershmëria e informacionit
  • dallimi i faktit nga opinioni
  • probleme me shkrimin e gjuhës shqipe dhe përsëritjen e gabimeve gramatikore.

Në 5 mediat me më shumë shkelje (Ballkanweb, Gazeta Tema, Gazeta Shekulli, Newsbomb.al, Jeta osh qejf.al) vihen re në mënyrë të përsëritur këto shkelje:

Mospërputhje e të dhënave të titullit me ato të lajmit në brendësi gje e cila dëshmon për pakujdesi në redaktimin e lajmeve si dhe një prirje të këtyre mediave për të tërhequr publikun drejt lajmit, Raportimi i procedurave gjyqësore, pavarësia editoriale, saktësia dhe ndershmëria e informacionit dhe saktësia në shkrimin e gjuhës shqipe.

Në mediat me më pak shkelje ( 360 gradë.al, Përqasje, Opozita.com, Faktor.al, Exit.al.) gabohet më së shumti në raportimin jo korrekt të procedurave gjyqësore dhe prezumimin e pafajësisë, përdorimin e emrave të huaj në lajm, saktësinë dhe ndershmërinë e informacionit, dallimin e faktit nga opinioni dhe pavarësinë editoriale. Kjo lloj tipologjie dëshmon sipas monitorimit për një qarkullim të lajmeve nga një portal në tjetrin ose për probleme të njëjta të gazetarëve në sektorë të ndryshëm.

Monitorimi i Këshillit Shqiptar të Medias nxjerr në pah disa rreziqe thelbësore të cilat influencojnë punën e medias. Dallimi i opinionit nga fakti paraqitet si një shqetësim përherë e më i pranishëm dhe në rritje.
“Këto lloj raportimesh godasin reputacionin dhe besueshmërinë e medias, po ashtu vihet re një dorëzim i pavarësisë editoriale gjatë raportimit në favor të interesave politikë dhe atyre të biznesit”, thuhet në raportin e monitorimit.

Citizens Channel /E.K/

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *