Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Pedagogët e UT: Asnjë marrëveshje nga takimi me Ministren e Arsimit

Pedagogë të Universitetit të Tiranës kanë zhvilluar sot një takim me ministren e Arsimit dhe Sporteve, Besa Shahini, në ambientet e ministrisë. Ky takim është mbajtur në ditën kur mbaronte edhe ultimatumi i vendosur nga asambletë e fakulteteve për një përgjigje nga ana e ministrisë.

Pas takimit, në një prononcim për mediat, ata u shprehën se mbledhja nuk pati rezultat dhe nuk u arrit asnjë marrëveshje mes pedagogëve dhe ministrisë. Pedagogu Mark Marku u shpreh : “Ne biseduam për gjendjen në universitet dhe i qëndruam bisedave rreth kërkesave që takimi i asambleve të fakulteteve të Tiranës ka parashtruar para ministres. Nuk pati një qëndrim konkret nga ana e ministres së arsimit, nuk u shpreh gjatë takimit për asnjërën nga kërkesat. Tentoi ta çojë diskutimin drejt një diskutimi jo rezultativ në funksion të kërkesave, kështu që ne e konsiderojmë nga ana jonë si një mos përgjigje ndaj kërkesave.”

Duke qenë në këtë situatë, pedagogët u shprehën se do t’i lenë afat ministres së Arsimit dhe Sportit deri në darkë për një qëndrim konkret. Nëse nuk do të ketë një qëndrim, pedagogu Mark Marku u shpreh se do të mblidhen sërish asambletë e fakulteteve për të diskutuar dhe për të marrë vendimin se si do të procedohet më tej.

“Presim deri në darkë nëse ministrja do të ketë një përgjigje konkrete pastaj ne do të mbledhim asambletë dhe do të marrim një qëndrim për këtë mos reagim të ministres. Nëse s’do të ketë një qëndrim nga ministrja, do ta konsiderojmë si një refuzim të kërkesave tona dhe pastaj do t’i drejtohemi trupës akademike për të mbajtur një qëndrim.”

I pyetur për mundësinë e nisjes së një greve, pedagogu Mark Marku tha se ky vendim u takon për t’u marrë nga të gjithë kolegët pedagogë dhe se brenda dy tre ditëve pedagogët do të kenë qëndrimin e tyre zyrtar.

Kujtojmë që data 1 shkurt u vendos në mbledhjen e asambleve të fakulteteve të universitetit të Tiranës si afati i fundit që ministria kishte për t’u përgjigjur kërkesave të pedagogëve. Vendimi i dalë nga mbledhja e asambleve të fakulteteve të Tiranës  shprehu mbështetjen e studentëve, kundër ligjit për arsimin e lartë, rritjen e buxhetit për arsimin dhe shfuqizimin e vendimeve të fundit të miratuara nga Këshilli i Ministrave.

Pas komunikimit me median të përfaqësuesve të Asambleve të Stafit Akademik, ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Besa Shahini ka dalë në një deklaratë për shtyp. Ministrja i ka cilësuar bojkotet dhe ultimatumet e vendosura si të panevojshme në këtë situatë.

“Unë nuk besoj që bojkoti dhe ultimatumet janë mjetet e nevojshme në këtë periudhë  kur e gjithë vëmendja jonë është tek arsimi i lartë dhe kemi filluar një proces të mirëfilltë të dialogut.”

Gjatë fjalës së mbajtur para mediave, ministrja Shahini përgëzoi pedagogët për aktivizimin e asambleve të tyre duke i konsideruar këto asamble si mjaft të rëndësishme për përfshirjen e pedagogëve në diskutime për zgjidhjen e cështjeve të tyre.

“Unë mendoj fuqishëm se në mënyrë që të ecim para fuqizimi i strukturave ekzistuese demokratike nëpër universitete është mënyra më e mirë për përfshirjen e pedagogëve në diskutim dhe zgjidhjen e disa çështjeve që ata me të drejtë nënvizojnë, por adresa e zgjidhjes nuk është gjithmonë këtu, por që është shpeshherë universiteti.”

Për sa i përket marrëveshjes së arritur me pedagogët gjatë takimit të sotëm, ministrja u shpreh se nuk pati një dakordësim mes dy palëve, por kjo është normale.

“Me pedagogët ndamë disa mendime të ndryshme por ama e bindur që kemi një qëllim të përbashkët që është përmirësimi i cilësisë së arsimit të lartë në Shqipëri. Edhe pse nuk u dakortësuam në fund, por unë mendoj që kjo është krejt normale. Ishte një takim që gjithsesi shërbeu për të shuar një sërë keqkuptimesh që disa prej pedagogëve kishin për paktin për universitetin.”

Ndërkohë ministrja Shahini u shpreh e gatshme për të vijuar diskutimet dhe për t’i dëgjuar të gjithë pedagogët, por njëkohësisht edhe do të vazhdojë të udhëheqë. Ajo e konsideroi Paktin për Universitetin një dokument mjaft të rëndësishëm i cili do të shërbejë më vonë si një kontratë mes qeverisë, stafeve akademike dhe studentëve.  Kështu që u bën thirrje të gjithëve studentëve dhe pedagogëve për t’u bërë pjesë e sugjerimeve për ta përmirësuar këtë dokument.

Studentët vazhdojnë bojkotin në disa fakultete

Ndërkohë në Universitetin e Tiranës, disa fakultete vazhdojnë të bojkotojnë mësimin. Fakulteti i Shkencave Sociale dhe Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë kanë ndjekur axhendën e tyre të ligjërimeve dhe diskutimeve në hollin e godinës me të ftuar dhe pedagogë.

Ndërsa në Fakultetin e Drejtësisë studentët që kanë dashur të zhvillojnë mësim i kanë bërë një kërkesë dekanit te fakultetit Artan Hoxha për krijimin e kushteve për të zhvilluar mësimin. Për këtë arsye, studentët që kanë lënë bojkotin janë zhvendosur për të kryer mësimin në ambientet e gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, në oraret e pasdites.

*Citizens Channel /e.k./

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *