Asambleja e Stafit Akademik të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, në mbledhjen e sotme vendosi të vazhdojë bojkotin edhe këtë javë. Ndërsa në javët në vazhdim, një ditë në javë është vendosur të jetë grevë nga ana e pedagogëve deri në plotësimin e kërkesave të tyre, ku më kryesorja është kërkesa për anulimin e ligjit e arsimit të lartë.

Dekani i fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Sabri Laçi u shpreh se :  “Qëllimi i kësaj proteste të vijueshme do të jetë ndërgjegjësimi i të gjithë opinionit për të gjithë problematikën e gjerë që ka arsimi i lartë në republikën e Shqipërisë. Për të gjitha ato tema të cilat janë përmendur, trajtuar nga profesorati dhe pse jo edhe nga ju gazetarët dhe institucionet e tjera. Të gjithë janë të preokupuar për zgjidhje Ne presim zgjidhje nga qeveria për pjesën e vet, dhe shprehim angazhimin tonë për të zgjidhur të gjithë problematikën që gjendet në duart tona. “

Për sa i përket rregullimit të orareve mësimore, greva e pedagogëve do të vazhdojë për një ditë çdo javë.

“Kjo javë është javë proteste në mjediset e fakultetit. Ne do ta përvijojmë këtë formë proteste në javët që vijnë, një ditë në javë, jo në të njëjtën ditë. Të hënën e javës së ardhshme , të martën pas dy javësh e me radhë dhe do të vijojë deri sa të kemi gjetur përgjigje për problemet që kemi shtruar lidhur me autonominë universitare, respektimin e lirive akademike, respektimin e universitetit, me zgjidhjen e të gjtha problemeve të tjera që ngërthen ligji i arsimit të lartë që është në fuqi. Nuk ka një predispozicion të shprehur nga institucionet qeverisëse, për të ndërhyrë për ndryshime thelbësore që kemi kërkuar në ligjin e arsimit të lartë.”

Sot në ambientet e fakultetit të Historisë dhe Filologjisë pati edhe tensione mes studentëve të cilët kërkonin vijimin  mësimit dhe atyre që vazhdojnë bojkotin.

Sipas dekanit Laçi, ky vendim është marrë vetëm për pjesën e stafit akademik, pasi studentët kanë protestën e tyre dhe u takon atyre të vendosin për vijimësinë e saj.

“Studentët kanë protestën e tyre, kjo ishte mbledhja e asamblesë së stafit akademik. Studentët janë të ndarë, ka një pjesë të studentëve që vazhdojnë me këmbëngulje protestën, duke protestuar në forma qytetare, ka dhe një grup studentësh që janë nëpër shtëpija dhe mësa duket nuk munden ta përballojnë jetën në tiranë. Presin një zgjidhje përfundimtare, por zgjidhja për studentët duhet të vijë prej tyre.“

Situata në fakultetet e tjera 

Në fakultetin e Shkencave sociale bojkoti vazhdon i mbështetur edhe nga pedagogët, si rezultat i vendimit të Asamblesë së tyre për të mos vazhduar mësimin deri në plotësimin e kërkesave nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve.

Diskutimet dhe ligjërimet kanë vazhduar me studentë dhe të ftuar. Pjesë e ligjërimeve, disa ditë më parë u bë edhe kreu i Vetëvendosjes së Kosovës, Albin Kurti.


Ndërkohë në këtë fakultet ka pasur dhe demonstrime kundërshtuese nga studentët në drejtim të dekanit të këtij fakultetit Edmond Rapti pasi bëri thirrje për rikthim në mësim.

Edhe në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, një grup studentësh vazhdojnë të bojkotojnë mësimin, ndërkohë që pjesa tjetër ka kërkuar vazhdimin  mësimit. Studentët bojkotues kanë mbyllur derën e universitetit, por ka qenë rektori i universitetit i cili ka bërë të mundur së bashku me punonjësit  sigurisë të fusin brenda studentët që kanë dashur të futen në mësim. Kjo ka sjellë pakënaqësi te studentët protestues të cilët nuk kanë hezituar ti thërrasin rektorit “roje”.

Tryeza e Komisionit për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik 

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi sot një seancë dëgjimore me rektorët e Universiteteve Publike për situatën në të cilën ndodhet sot universiteti publik. Gjatë fjalës së tij në këtë Komision, rektori i Universiteti të Tiranës, Mynyr Koni u shpreh i mbështet të gjitha vendimet e Asambleve të Stafit Pedagogjik të Universitetit të Tiranës.

“Unë personalisht si Rektor i Universitetit të Tiranës, të gjithë qëndrimet e Asambleve i mbështes plotësisht në kërkesat e tyre që kanë, i kemi diskutuar dhe jemi në pritje të vijueshmërisë së situatës së caktuar. Kërkesat e Asambleve të njësive kryesore kanë marrë në analizë situatën konkrete që solli kjo protestë e studentëve dhe janë shprehur me qëndrimet përkatëse. “

Rektori Koni, shprehu edhe shqetësimin e tij për buxhetin e akorduar për universitetet dhe për doktoraturat në veçanti.

“Universiteti i Tiranës ka një buxhet shumë të vogël për pagat që mbulohej me tarifat e studentëve dhe kam kërkuar në këtë komision që të mbulohet 100% nga buxheti i shtetit. Kam kërkuar dhe rritjen e buxhetit për kërkimin shkencor për shkak të hapjes së shkollës së Doktoraturës. Kërkimi shkencor lë për të dëshiruar për shkak të mungesës së një fondi të caktuar. Ajo që është më e rëndësishme po cënohet cikli i tretë i studimeve për shkak se ligji i ri ka përcaktuar që Doktoraturat zhvillohen në kuadër të një projekti kërkimor që duhet të financohet nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Teknologjisë së Informacionit. Aktualisht nuk kemi pasur asnjë lloj thirrje për të aplikuar në këtë projekt, kjo ka bërë të pamundur zhvillimin e ciklit të tretë të Doktoraturës, jemi në emergjencë të plotë të këtij procesi.”

*Citizens Channel /E.K/

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu