Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“11 arsye pse nuk duhet të ketë incenerator në Tiranë”

20 organizata me fokus mjedisin dhe riciklimin në Shqipëri kanë vendosur të kundërshtojnë kontratën e koncesionit për ndërtimin e inceneratorit në Tiranë me qëllim prodhimin e energjisë elektrike nga mbetjet. Ky vendim konsiderohet nga organizatat si një proces jo transparent, në kundërshtim me ligjet kombëtare dhe evropiane për menaxhimin e mbetjeve.

Në një deklaratë për mediat ato argumentojnë se :

  1.  Për një investim kaq të rëndësishëm për qytetarët e Tiranës, në kuadër të transparencës, e konform detyrimeve ligjore, duhet të ishin bërë publike, të gjitha fazat e procesit. Nga verifikimet e bëra në faqet zyrtare të institucioneve të përfshira në këtë proces dhe të korrespondencës zyrtare, rezulton se këto detyrime janë përmbushur pjesërisht. Në rastin konkret, konsultimi me publikun ka filluar gati dy vjet pas marrjes së Vendimit nga Këshilli i Ministrave për ndërtimin e impiantit të djegies në Sharrë.
  2. Mungojnë argumentet që mbrojnë domosdoshmërinë e kësaj vendimmarrje politike të nxituar dhe të papërgjegjshme. Vendimi nuk mbështetet mbi studime të mirëfillta të gjenerimit total të mbetjeve urbane në bashkitë e vendit, apo në raporte monitorimi të gjendjes aktuale të menaxhimit të mbetjeve. Aq më tepër në një kohë kur nevojat për investime publike në sektor janë të mëdha dhe investimet e ngjashme kanë treguar që janë një dështim (sjellim në vëmendje mos funksionimin me kapacitet të plotë të inceneratorit të Elbasanit)
  3. Studimi i fizibilitetit analizon në mënyrë të njëanshme dhe sipërfaqësore ndikimet dhe përfitimet sociale, ekonomike dhe mjedisore të këtij investimi. Si i tillë ai ngre më shumë pikëpyetje dhe argumenta kundër ndërtimit të impiantit të djegies së mbetjeve në Sharrë se sa në favor të tij:

– Studimi nuk trajton asnjë alternativë tjetër të trajtimit të mbetjeve urbane, që është edhe detyrim ligjor. Si i tillë ai nuk mund të arrijë në përfundimin e faktuar dhe të analizuar që ngritja e impiantit të djegies së mbetjeve urbane është qasja më e qëndrueshme dhe zgjidhja më e mirë.

– Projekti i impiantit fokusohet tek hallka e fundit e hierarkisë së mbetjeve, duke kapërcyer parandalimin, ripërdorimin dhe riciklimin, kjo në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Sasia totale e mbetjeve të trajtuara nga impianti në të katërta linjat do të jetë rreth 920 ton/ditë. Kjo sasi e detyron të gjithë Qarkun e Tiranës të ndalojë veprimtarinë ricikluese për të paktën 30 vitet e ardhshme.

Pse?

a) Sepse Qarku i Tiranës nuk e arrin shifrën prej 920 ton/ditë ndaj do të detyrohet të dërgojë të gjithë sasinë e gjeneruar të mbetjeve në impiantin e djegies.

b) Sepse vetë studimi në mënyrë jo të drejt për drejtë pohon se skemat për aktivitetin riciklues nuk janë konsideruar të mundshme gjatë operimit të impiantit të djegies.

-Tarifa për trajtimin e mbetjeve prej 29 Euro/ton e pa ndryshueshme në zbritje për 30 vite do t’i shpërndahet tarif-paguesve (qytetarëve) sipas një rregulli akoma të paqartë. Barra shtesë financiare do të jetë jo më pak se 7.5 milionë Euro në vit. Kësisoj detyrimi vjetor i Bashkisë Tiranë për të menaxhuar mbetjet do të jetë pothuaj dyfish në vit.

– Tarifa e nxjerrë nga analiza dhe vendosur në kontratë, 29 Eur/ton, është më e ulët se impiantet e ngjashme në Evropë. Kjo tarifë me gjasë nuk mund të mbulojë operimin e impiantit sipas standardeve të BE-së dhe as kostot e mirëmbajtjes dhe të mbylljes së venddepozitimit të Sharrës.

– Projekti do të hapë vetëm 27 vende pune. Kjo shifër është shumë e ulët krahasuar me shifrën që deklaron shoqata e ricikluesve në Shqipëri, sipas së cilës vetëm në rajonin e Tiranës janë të vetë punësuar si grumbullues individual rreth 1.200 familje, shumica e tyre nga komuniteti rom.

– Përmes një anketimi me 300 banorë në zonën e Sharrës, rezultatet tregojnë se edhe në mungesë totale informacioni, banorët nuk kanë besim të plotë në këtë investim. Gati gjysma e tyre nuk mendojnë se impianti do të rrisë nivelin e riciklimit në qytet, dhe se ka metoda të tjera që duhen marrë në konsideratë.

Dhënia e lejes për ndërtimin e inceneratorëve në Shqipëri duhet të shoqërohet me ndryshime në ligjin e koncesioneve sipas organizatave mjedisore, pasi duke shfrytëzuar hapësirën e ligjeve në fuqi po veprohet në kurriz të një mjedisi të shëndetshëm.

Shqipëria dhe proçesi i djegies së mbetjeve 

Foto marrë nga landfilli i Sharrës, Tiranë

Në një shkrim të publikuar më herët nga Citizens Channel, marrë shkas nga të dhënat e Eurostat për Shqipërinë, vumë re se në rajon, Shqipëria është i vetmi vend i cili raporton për incenerimin. Po ashtu vendi ynë është mes 9 vendeve nga 38 të përfshira në raport, të cilat përdorin metodën e incenerimit.

Procesi i incenerimit ka të bëjë me djegien e mbetjeve dhe si pasojë prodhimin e energjisë elektrike. Por ky proces edhe pse fitimprurës për sa i përket përfitimit të energjisë elektrike, sjelle dëme të konsiderueshme për njerëzit. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, gjatë djegies çlirohen elemente kancerogjen për trupin e njeriut.

Ky projekt jo vetëm që bëhet rrezik për shëndetin e banorëve, por eleminon edhe procesin e riciklimit, duke lënë pa të ardhura shumë familje të cilat merren me seleksionimin e mbeturinave.

Inceneratori i Tiranës është I treti në radhë për t’u ndërtuar, pas atij të Elbasanit i cili ka përfunduar tashmë dhe është vënë në punë, dhe atij të Fierit i cili pritet të ndërtohet në vijim.

Inceneratori i trajtimit të mbetjeve Fier (“Integrated Technology waste treatment Fier”) ka një kosto totale prej 3.97 miliardë lekë. Kapaciteti përpunues do të jetë rreth 180-200 ton/ditë.

Zona e projektit të inceneratorit të Tiranës shtrihet në jug – perëndim të qytetit të Tiranës, në jug dhe lindje të vend depozitimit ekzistues në Sharrë, ngjitur me të. Ajo zë një sipërfaqe prej 120 hektarë (1,200,000 m2 ), 39.9 % e së cilës është pronë private dhe 60.1 % pronë shtetërore. Ndërkohë, kostot për inceneratorin e Tiranës pritet të jetë shumëfish më të larta.

I projektuar për të pasur një kapacitet përpunues rreth 900 ton mbetje në ditë, kompania Integrated Energy ka marrë përsipër të investojë më shumë se 128 milionë euro për ndërtimin dhe operimin e tij. Fatura do të shlyhet për 30 vitet e ardhshme nga Bashkia e Tiranës, e cila detyrohet në kontratë që ta paguajë koncesionarin për një sasi mbetjesh të garantuara prej 550 tonësh në ditë, pavarësisht sasisë së mbetjeve që ajo do të mbledhë në kryeqytet. Garancia në kontratë i çon kostot minimale vjetore për taksapaguesit e kryeqytetit në 5.8 milionë euro dhe vlerën totale për 30 vitet e koncesionit në rreth 174 milionë euro.

*Citizens Channel  /E.K/

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *