Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

HEC-et në Valbonë: Shoqata TOKA padit AKZM dhe Ministrinë e Mjedisit

Është mbajtur sot në Gjykatën Administrative seanca gjyqësore ndërmjet shoqatës TOKA , Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM) dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për çështjen e hidrocentraleve në Luginën e Valbonës. Të dy institucionet shtetërore nuk u përfaqësuan me mbrojtje në seancë. E pranishme ishte vetëm kompania private që po ndërton HEC-et,  e cila kërkoi të përfshihej në çështje në rolin e ndërhyrësit dytësor.

TOKA ka ngritur padi kundër institucioneve publike me arsyetimin se ato nuk kanë vepruar për çështjen e Valbonës, sipas ligjit të Zonave të Mbrojtura të miratuar në vitin 2017, duke lejuar vazhdimin e punimeve për ndërtimin e dy hidrocentraleve

Ligji nr. 81/2017 ka hyrë në fuqi më datë 4/5/2017 për Zonat e Mbrojtura dhe ndalon disa lloje ndërtimesh në parqet kombëtare. Në nenin 16 të  ligjit,  thuhet:

  • Park kombëtar shpallen shpallen territoret e gjera, zakonisht jo më të vogla se 1 000 ha, unike për nga vlerat kombëtare dhe ndërkombëtare, që ruhen dhe menaxhohen për mbrojtjen e ekosistemeve, llojeve, për edukim dhe rekreacion (çlodhje e argëtim), që rregullojnë përdorimin e qëndrueshëm nga ana e njeriut të burimeve natyrore.
  • Në “Parkun kombëtar” zbatohet shkalla e mbrojtjes mjedisore të zonës që ka si objektiv të mbajë territorin në gjendje natyrore, ku të ruhen komunitetet biotike, të resurseve gjenetike dhe llojeve për të siguruar stabilitetin ekologjik dhe diversitetin dhe ku:
  • a) përjashtohet njeriu nga shfrytëzimi ose zënia me aktivitete intensive;
  • b) nuk lejohet shfrytëzimi i tokës me teknologji intensive, me mjete dhe mënyra që shkaktojnë ndryshime rrënjësore në biodiversitet, në strukturën dhe funksionet e ekosistemeve ose që dëmtojnë në mënyrë të pandreqshme sipërfaqen e tokës;
  • c) janë të ndaluara ndërtimi i zonave urbane, i autostradave, hekurudhave, linjave të prodhimit të energjisë, si hidrocentrale, linjave të tensionit të lartë dhe sistemeve të naftës e të gazit me shtrirje të gjatë;
  • ç)nuk lejohet ndryshimi i gjendjes natyrore të rezervave ujore, burimeve, liqeneve dhe sistemeve të zonave të lagura;
  • d) çdo aktivitet që bie ndesh me objektivat e mbrojtjes së zonës dhe që përcaktohen në planin e menaxhimit.

Citizens Channel e ndoqi nga afër këtë seancë gjyqësore, gjatë së cilës avokati mbrojtës i palës paditëse, u shpreh se kompania Dragobia Energy është duke punuar pa leje pasi ajo ka skaduar me herët.

“Duke qene se afati i lejes i marrë nga firma ka përfunduar në maj të vitit 2017, shoqëria Dragobia Energy i është drejtuar Këshillit Kombëtar të territorit për të zgjatur afatin përfundimtar të punimeve. Është miratuar kërkesa e Dragobia SHPK për shtyrjen e afateve të lejes së ndërtimit për ndërtimin e hidrocentralit për 5 muaj të tjerë. Edhe ky afat shtesë, edhe pse i akorduar me një vendim të paligjshëm ka skaduar tashmë dhe që prej fundit të majit 2018, zhvillimi dhe ndërtimi i projektit Dragobia është duke u kryer në paligjshmërinë më totale.” 

Ndërkohë nga ana tjetër, përfaqësuesja ligjore e kompanisë Dragobia Energy ngriti argumentin se shoqatës i mungon legjitimiteti aktiv. Që do të thotë se sipas saj, shoqata TOKA nuk ka të drejtë të detyrojë organin publik të kryejë një veprim.

“Vjen një shoqatë që do të detyrojë organin publik të kryejë një veprim. A mundet një shoqatë të detyrojë shtetin të bëjë si do shoqata. Shoqata duhet të vijë në proçes gjyqësor nëse cenohet një interes publik dhe ajo çështje është e parashikuar në një akt normativ ose në një ligj. Çfarë akti normativ dhe administrativ kemi këtu?”

Si kundër argument, shoqata TOKA u shpreh nëpërmjet avokatit të saj se mbrojtja e mjedisit është e drejtë kushtetuese e kujtdo: “Çdo individ mund të ngrejë një padi nëse po ndotet mjedisi”.

Themeluesja e shoqatës TOKA, Catherine Bohne, pas përfundimit të seancës gjyqësore, tha për Citizens Channel se ligji e përcakton qartë që në zona të shpallura Park Kombëtar nuk lejohet ndërtimi i hidrocentraleve.

“Kjo padi që është padia administrative e tretë, është për faktin se në qershor 2017 ka ndryshuar ligji për zonat e mbrojtura dhe është e shkruar shumë qartë që hidrocentralet nuk lejohen brenda një zone të mbrojtur siç është Valbona. Së dyti , nëse është një kompani në proces ndërtimi, megjithëse ata kanë lejen edhe pse në këtë situatë nuk është kështu,  duhet të ndalohet puna dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) ka përgjegjësinë për të informuar dhe për të hequr këtë kompani. AKZM duhet të veprojë brenda 30 ditëve, por nuk e ka bërë kështu që ne e kemi paditur Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit dhe AKZM-në, të cilët duhet të bëjnë punën e tyre.”

Sipas saj edhe në gjyqet e tjera të zhvilluara me kompaninë ndërtuese të hidrocentraleve ne Valbonë, nuk pranohet fakti që këto ndërtime janë të paligjshme.

“Ata kanë përdorur këtë argumentin nga fillimi. Që ne jemi shteti dhe ndërtues dhe ne e dimë më mirë. Padia jonë është rrëzuar për argumentin absurd që shteti gjithmonë punon në interes publik dhe atëherë publiku nuk mund të bëjë një ankesë kundër qeverisë. Kjo është kundër ligjit është kundër kushtetutës. Ne do të fitojmë sepse kjo është jo legale, por problem është që nga ana e tyre koha që humbet është fitim për ata.”

Seanca gjyqësore e zhvilluar sot ishte e para për këtë padi, dhe do të vazhdojë të zhvillohet sërish më datë 11 mars ora 13:30 për të mbledhur provat e mjaftueshme nga të dyja palët deri në dhënien e një vendimi.

Lugina e Valbonës është shpallur zonë e mbrojtur e kategorisë 2, Park Kombëtar, ku po ndërtohet projekti Dragobia, I cili parashikon ndërtimin e dy hidrocentraleve, por edhe të rrugëve dytësore, linjave elektrike, tuneleve dhe është duke u zhvilluar në mes të parkut kombëtar të Valbonës, me një sipërfaqe totale prej 600 hektarësh dhe me një popullsi rreth 1000 banorë.

Kjo nuk është hera e parë që çështja e Valbonës shkon në gjykatë, duke u bërë një çështje shumë e ndjeshme edhe për opinionin publik.

*Citizens Channel  /E.K/

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *