Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Kisha, biznes me monumentet e kulturës në Kepin e Rodonit

Territori i Kepit të Rodonit ku gjenden edhe dy monumente të rëndësishme kulturore, Kisha e Shën Ndout dhe Kalaja e Skënderbeut po administrohet nga Kisha Françeskane, e cila veç rolit fetar po ushtron edhe biznes.

Kisha e Shën Ndout dhe Kalaja e Skënderbeut që ndodhen në Kepin e Rodonit në Durrës, janë dy prej monumenteve më të rëndësishme kulturore në vend që bëjnë pjesë në kategorinë e parë të Trashëgimisë Kulturore. Por prej disa vitesh, këto dy monumente , janë lënë në mëshirë të fatit nën uzurpimin total të Kishës Françeskane, që ushtron aktivitetin e saj në atë zonë. Kisha ka marrë në administrim të gjithë zonën të cilën po e shfrytëzon edhe për qëllime turistike duke ofruar shërbime biznesi, ndërkohë që po mban “peng” monumentet kulturore që nuk i përkasin asaj.

Administrimi dhe kontrolli nga një kishë e ka lënë Kepin e Rodonit rreth 45 km larg qytetit të Durrësit, në një gjendje jo të mirë nga pikëpamja turistike apo mirëmbajtja monumentale. Që në hyrje të Kepit të Rodonit ndodhet trau i vendosur në një distancë rreth 1 km nga zona turistike, ku çdo makinë duhet të paguajë një shumë prej 100 lekësh (të reja) për të vizituar këtë zonë. Një burrë rreth të 50-tave lëshon një kupon tatimor në emër Kishës Françeskane dhe pasi merr lekët të hap rrugën për të hyrë në Kepin e Rodonit.

Në vitin 2013 lindi një konflikt mes Kishës Françeskane dhe Njësisë Administrative të Ishmit për vendosjen e traut kufizues për turistët. Asokohe, Njësia Administrative vendosi heqjen e këtij trau që i përngjan një postblloku, por Kisha Françeskane u shpreh se shteti nuk duhet të ndërhyjë në një pronë private. Pavarësisht kësaj, Kisha ka tejkaluar kompetencat e saj duke vendosur tarifë financiare për qytetarët që janë të detyruar të kalojnë përmes “territorit të saj”, si e vetmja rrugë për të mbërritur në bregdetin e Kepit të Rodonit, ku ndodhet dhe Kalaja e Skënderbeut e cila frekuentohet masivisht nga vizitorë vendas dhe të huaj.

Edhe pse ka pasur disa tentative për heqjen e traut nga Njësia Administrative Ishëm, sot e kësaj dite nuk ka ndryshuar asgjë. Trau vijon të jetë po aty, bashkë me pagesën prej 100 lekësh. Por ky nuk është i vetmi problem. Sapo hyn në zonë sheh që rruga ndërpritet nga asfalti i shtruar dhe fillon të jetë e parregulluar. Tabela hyrëse të tregon se bëhet fjalë për një pronë private, por pa specifikuar pronarin e saj. Mungesa e investimeve qoftë në infrastrukturë apo sinjalistikë, vjen si pasojë e vetëkontrollit të territorit nga Kisha Françeskane, e cila është bërë pengesë për investimet publike.

Nga një vëzhgim i Citizens Channel shihet se në Kepin e Rodonit janë ngritur një seri biznesesh të paregjistruara. Mbetet e paqartë se përse këto biznese janë jashtë kontrollit fiskal, pasi institucionet fetare bazuar në ligjin nr. 9632 të vitit 2006 përjashtohen nga taksat dhe tarifat vendore.

Mbi 100 shezlong, një restorant dhe një bar kafe janë bizneset në pronësi të Kishës Françeskane. Rreth 15 punëtorë të veshur me një jelek me mbishkrimin “Kisha Françeskane” vërdallisen në zonë për të mirëpritur turistët, që për hir të vërtetës është tepër e papastër dhe pothuajse e pamundur për të frekuentuar pjesën e plazhit.

Kisha në përgjithësi konsiderohet si shtëpia e të varfërve, por ajo Françeskania në Kepin e Rodonit e ka rrëzuar këtë perceptim, pasi prej vitesh është fokusuar në fushën e biznesit. Citizens Channel u interesua se kush ishte personi përgjegjës për menaxhimin e  këtyre aktiviteteve të paligjshme. Fatosi, rojtari i Kishës na tregoi se ishte një prift me origjinë nga Polonia i quajtur Padre Leonardo. “Tani nuk ndodhet këtu sepse ka shkuar për të bërë furnizim për restorantin. Ai i menaxhon të gjithë zonën. Më përpara kanë tentuar disa qeveritar të bëjnë ndërtime këtu, por janë penguar nga Vatikani dhe Kisha Françeskane. Prandaj Kisha vendosi të investojë vetë këtu”, tha ai. Në pjesën jugore ndodhet një banesë 1-katëshe si dhe një makinë rulotë. Aty banon Padre Leonardo përgjatë vitit për të administruar jo vetëm bizneset, por edhe territorin.

Banesa e Padre Leonardos

.Citizens Channel u interesua pranë Bashkisë së Durrësit për të kërkuar informacion nëse ishte në dijeni të kësaj paligjshmërie që po ndodhte në territorin e saj. “Nuk kemi të dhëna që Kisha ka organizuar aktivitet turizëm në Kepin e Rodonit. Ky territor nuk është i përfshirë në listën e plazheve private pasi nuk plotëson kushtet”,  shprehet për Citizens Channel, drejtori i kabinetit në Bashkinë e Durrësit, Lavdosh Beqiraj.

Lidhur me kontrollin mbi këtë territor, Bashkia e Durrësit e pranon që në hyrje ka një pengesë nëpërmjet një trau. “Çdo pagesë në hyrje të Kepit të Rodonit konsiderohet e paligjshme dhe mund të jetë veprim i ndonjë individi pa dijeninë tonë dhe si i tillë nuk është i autorizuar me dijeninë tonë”, thekson zyrtari i Bashkisë Durrës. “Në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Tatimeve Durrës po verifikojmë disa kuponë të lëshuar në mënyrë të paligjshme me NIPT me seli në Shkodër për të cilat do të mbahet qëndrim konform ligjit”, vijon më tej, Beqiraj.

Citizens Channel iu drejtua me një kërkesë zyrtare Kishës Françeskane me seli qendrore në qytetin e Shkodrës. Por, Kisha refuzoi të përgjigjej për aktivitetet e paligjshme që po ushtronte në Kepin e Rodonit.

Përsa i përket administrimit të monumenteve të kulturës që përfshin Kishën e Shën Ndout dhe Kalanë e Skënderbeut, Bashkia e Durrësit fajëson indirekt Ministrinë e Kulturës se nuk po ushtron kontrollin institucional në këtë zonë. “Është në kompetencën e Ministrisë së Kulturës të përcaktojë rregullat e funksionimit të këtij territori, si pjesë e promovimit të vlerave të kishës dhe historisë së saj”, thuhet në reagimin e Bashkisë së Durrësit për Citizens Channel.

Përveç kësaj, dhjetra turistë shqiptarë dhe të huaj nuk orientohen në këtë zonë për shkak të mungesës së një ciceroni. Në shumicën e rasteve, kamarierët dhe rojet e shezlongëve janë kthyer në “historianë” duke u shpjeguar turistëve çfarë dinë për të kaluarën e objekteve kulturore.

 Braktisja e monumenteve

Rreth viteve 2000 u hartua një projekt për gërmime arkeologjike në Kishën e Shën Ndout në Kepin e Rodonit. Sipas dokumenteve që disponon Citizens Channel, për gërmime u shpenzuan rreth 6 milion lekë (të vjetra), por sot e kësaj dite nuk ka një raport gërrmimi dhe as listë e objekteve të gjetura. “Duket se fondet për gërmim ose janë shpërdorur ose janë fshehur gjetjet”, hedh dyshimet eksperti Zamir Marika. Ndërtimi i Kishës Shën Ndout mendohet se është krijuar në shekullin XIII, rreth 200 vjet pas ndarjes botërore mes katolikëve dhe ortodoksëve në vitin 1054. Pikërisht sipas arkeologëve, Kisha e Shën Ndout shënon edhe simbolin e ndarjes historike së fesë për shtetin Shqiptar. “Kisha e Shën Ndout ka pasur një histori jo të qartë nëse ishte katolike apo ortodokse. Gërmimet e kryera në vitin 2000 duhet të hidhnin dritë mbi historinë, por sot e kësaj dite nuk dihet asgjë”, thotë Marika.

Sipas arkeologëve dëshmitarë, gjatë gërmimeve është gjetur një varr, por që mendohet se janë zhdukur fosilet. “Nuk lejuan antropologun Aleksandër Dhima, të cilin nuk e morën në hapjen e varrit që mendohet se ishte i Andrea Muzakës. Nuk lejuan të ishte prezent as arkeologia Solinda Kamani. Pra, pra hapjen e varrit e bënë vetëm dhe pa prezencën e specialistëve përkatës, gjë që jo vetëm është shkelje e rëndë në raport me rregullat profesionale, por edhe krijuan te të tjerët bindjen për dyshime për saktësinë dhe gjendjen e artefakteve arkeologjike”, shprehet restauruesi dhe studiuesi Reshat Gega, për Citizens Channel.

Nëse do të vërtetohej se ky ishte varri i Andrea Muzakës, atëherë do të ndryshojë edhe rrjedhja e historisë për Kepin e Rodonit. Muzaka njihet si despot i bizantinëve dhe si i tillë i përkiste fesë ortodokse. Nëse varri i Muzakës do të ishte brenda Kishës së Shën Ndout, atëherë edhe ky objekt fetar do të ishte në pronësi të Kishës Ortodokse dhe jo Françeskane. “Është një veprim që ngjall dyshime të mëdha për fatin e objekteve. Figura e Andrea Muzakës ishte e një përmase të konsiderueshme për historinë tonë. Duhet hedhur dritë se çfarë është gjetur në atë varr”, shton më tej Gega.

Zona ku është ngritur Kisha e Shën Ndout në Kepin e Rodonit ka një kulturë prehistorike ku janë kryqëzuar kultura vendase ilire, sidomos ajo e qeramikës që në shekullin VII para Krishtit, si dhe kultura e importuar nga viset romane e greke. Teknika e ndërtimit i përket stilit bizantin, ndërsa forma atij roman. Objektet e kultit që ndodhen brenda ambienteve të kishës kanë qenë prezentë që në krishterimin e hershëm në këtë vend. Arkeologu Elio Hobdari thekson se në Kishën Shën e Ndout janë kryer gabime në gërrmime. “Te Kisha duhej punuar ndryshe. Por mendoj se ka sërish hapësira për gjetje të rëndësishme arkeologjike”,  shprehet ai.

Kisha e Shën Ndout si dhe Kalaja e Skënderbeut janë monumente kulture të kategorisë së parë. Restaurimi i fundit që i është bërë këtyre dy objekteve është në vitin 2000, ndërsa që prej atij viti nuk ka pasur më ndërhyrje. Në disa vende ka rënë suvaja e afreskut së bashku me pikturën dhe në disa zona ajo është shkëputur nga muri dhe rrezikon të bjerë, duke humbur kështu vlera e rëndësishme që ka nga e kaluara. Muret gjithashtu janë mykur nga zhvillimi i likeneve në sajë të lagështisë shumë të madhe që vjen nga dyshemeja.

Zamir Marika, një specialist për mirëmbajtjen e afreskeve shprehet për Citizens Channel se Kisha ka nevojë për një përkujdesje të vazhdueshme. “Kisha është e rrethuar me dritare që kanë nevojë të mbyllen pasi shkaktojnë dëme për shkak të erozionit që sjell deti. Është e vetmja pikturë lirike që nuk është fetare dhe që ndodhet brenda një kishe. Është një rast unikal jo vetëm për Shqipërinë por edhe për rajonin”, thotë  Marika.

Edhe Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ka reaguar disa herë për ndërhyrje emergjente në një nga kishat më të rëndësishme të Shqipërisë për vjetërsinë dhe historinë e saj. “Do të ishte një nga humbjet më fatale rënia e suvasë ose degradimi i mëtejshëm i saj pasi aty ndodhet gjurma e vetme e shqipes arbërore të kuqe në sfond të verdhë, e gjetur brenda kufijve të Shqipërisë së sotme. Lagështira po e bren përditë me shpejtësi që është rritur pa masë vitet e fundit. Zotërinjtë që kujdesen për monumentet, fatkeqësisht nuk e kuptojnë rëndësinë e këtij monumenti, kështu që duhet ngritur një organizëm qytetar për marrjen nën mbrojtje të monumentit-dëshmitar”, kanë apeluar përfaqësues të këtij forumi.

Bashkë me Kishën edhe Kalaja e Skënderbeut e cila ndodhet në pjesën verilindore të Kepit të Rodonit po vuan nga mungesa e investimeve. Sipas historianëve, ndërtimi i saj mendohet të jetë bërë rreth viteve 1452, nga mjeshtra venecianë. Qëllimi i ndërtimit të kësaj kalaje nga Skënderbeu ishte sigurimi i një daljeje komunikimi në bregdet, i cili kontrollohej nga venecianët. Mendohet se kalaja do të shfrytëzohej ndoshta edhe si stacion i fundit i Skënderbeut për t’u larguar drejt Italisë në rastin e një sulmi fatal turk.

Karakteristikë e kësaj kështjelle janë muret që arrinin deri në një gjatësi prej 400 metrash. Por si rezultat i veprimtarive erozive të ujërave të detit, një pjesë e mureve janë zhytur nën ujërat e detit Adriatik. Sot vizitorët mund të shikojnë muret e jashtme të anës së djathtë, të cilat përfundojnë me një kullë të rrumbullakët. “Ka një problem me sinjalistikën që të çon në rrugë tokësore te Kalaja e Skënderbeut. Po të hysh në Kepin e Rodonit ke vetëm një tabelë të vogël që të drejton te kalaja, por për të shkuar deri atje të duhen 25 minuta në këmbë. Nuk ka as rrugë të posaçme tokësore dhe as tabela që të orientojnë duke e kthyer vizitën në kala një sfidë më vete”, shprehet kuratori Zamir Marika.

Në korrik të vitit 2013 u shkul nga Kalaja e Skënderbeut një basoreliev disa shekullor i cili identifikonte krye-engjëllin Mikael (Mikel/Mëhill). Kjo skulpturë fetare mendohet se shërbente si besëtytni për Kalanë e Skënderbeut  duke i mbrojtur nga otomanët, nga venecianët dhe nga banorët e zonës përreth që të mos i shkulnin gurët për shtëpi. Të tjera pjesë të Kalasë së Skënderbeut janë grabitur ndër vite, ndërsa nuk mungon edhe dhunimi i këtij objekti nëpërmjet shkarravitjes dhe hedhjes së plehrave. “Duhet të vendosen rojtarë për monumentet e kulturës. Është artikuluar disa herë, por deri tani ende nuk ka një projekt konkret siguruar trashëgiminë në gjithë vendin”, shprehet për Citizens Channel specialisti i ASHA, Elio Hobdari.

Me të ardhur në pushtet, qeveria e majtë nëpërmjet Ministrisë së Kulturës lançoi një portal online “Shpëto thesarin” për të denoncuar çdo rast dëmtimi që po u bëhet monumenteve të kulturës. Por që në javët e para, ky portal dështoi dhe sot e kësaj dite Ministria e Kulturës nuk ka asnjë hartë të kontrollit të gjendjes fizike të monumenteve në vend.

*Citizens Channel

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *