* Ky artikull është botuar më parë nga Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore

Investigimi zbulon se gjatë vitit 2018 numri i gjobave të marra për shkak të parkimit të gabuar në Bashkinë e Tiranës shkoi në 74,191 nga vetëm 32, 342 që ishte një vit më parë. Vlera e përfituar si pasojë e arkëtimit të gjobave u përllogarit të ishte 1.8 milionë euro.

| Gazetar Geri Emiri | Redaktor Lutfi Dervishi |

Nëse jeton apo ke punë në qendër të Tiranës, një nga problemet me të cilat do të duhet të përballesh është parkimi.

Tarifat e vendosura (100 lekë/ora) për parkimin synuan të shkurajojnë lëvizjen me makinë veçanërisht në qendër të kryeqytetit.

Por, nëse je emigrant, i huaj, vizitor nga Kosova apo nuk ke celular (kredite), atëherë parkimi kthehet në makth, sepse nga muaji shtator 2018 parkimi në rrugët e Tiranës paguhet vetëm duke dërguar një sms me targën e automjetit dhe zonën e parkimit.

Kur Tirana Parking nisi shërbimin në rrugët me parkim me pagesë, mund të paguaje duke marrë biletë tek “inspektorët e parkimit” që i gjeje buzë rrugës ose duke dërguar një sms me targën e automjetit, zonën dhe sa orë do qëndroje.

Tirana Parking u krijua si agjenci në varësi të Bashkisë së Tiranës dhe nisi të operonte në vitin 2016 me objekt administrimin e shërbimit të parkimit publik me pagesë në Bashkinё e Tiranёs, mbi tokё dhe nëntokë.

Qendra për Gazetari Cilësore konstatoi ankesa nga ana e qytetarëve, të cilat njihen edhe nga autoritetet lokale.

Në një shkresë të datës 11 shtator 2018 që Qendra disponon, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, teksa i drejtohet Agjencisë së Prokurimit Publik, konstaton se ka pasur shumë ankesa nga qytetarët mbi metodën e pagesës me sms, pasi një pjesë nuk kanë pasur vlera financiare (kredite), në celular dhe se janë krijuar vështirësi në arkëtimin e tarifave të parkimit, pasi, qytetarët e huaj që nuk disponojnë numër shqiptar, nuk mund të përfitojnë nga ky shërbim.

Bashkia e Tiranës vendosi të diversifikojë mënyrën e pagesës për parkimin në muajin janar.

Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të datës 31 janar u shtua mënyra e pagesës pranë punonjësve të Tirana Parking ose mënyrat alternative si pajisjet vetëshërbyese. Megjithëse më herët në relacion bashkia shkruan se synonte ta shmangte formën e pagesës me inspektor për të shmangur abuzimet.

Një shoqëri që aktualisht operon në tregun vendas në fushën e shërbimit të pagesave (ku aktualisht kryen pagesa për telefoni, OSHEE, UKT etj.) duke përdorur pajisje elektronike, “ka shprehur interesin për ofrimin e këtij shërbimi alternativ pagese”, – shkruhet në shkresën që Veliaj i drejton Agjencisë së Prokurimit Publik.

Pajisjet vetëshërbyese janë shfaqur muaj më parë në rrugën Myslym Shyri dhe Ibrahim Rugova nën tabelat e parkimit me mbishkrimin “Mund të paguash edhe këtu”. Pajisjet e një kompanie private qëndrojnë aty, teksa nuk e ofrojnë ende shërbimin e pagimit të parkimit.

Opozita në Këshillin Bashkiak ka kërkuar që Tirana Parking t’i blejë vetë pajisjet dhe të ofrojë shërbimin e pagesës me pará në dorë duke shmangur “koncesionin”, siç e cilësuan këshilltarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, ku u miratua forma e re e parkimit me votat e shumicës që e cilësuan si shtim të mënyrave të pagesës.

Të ardhurat nga gjobat konkurrojnë parkimet

Të gjitha rrugët, 69 të tilla, që ka në administrim Tirana Parking, janë kthyer në “minierë” për kompaninë.

Të dhënat e marra zyrtarisht nga Policia Bashkiake e Tiranës tregojnë se nga viti 2017 në vitin 2018 ka një dyfishim të gjobave që vendosen lidhur me parkimin. Duke llogaritur numrin e gjobave për vitin 2018, rezulton se janë vendosur 2 gjoba çdo 1 minutë.

Në rast se një qytetar parkon në vendet me pagesë dhe nuk paguan biletën apo e tejkalon afatin e parkimit, ai gjobitet. Policia Bashkiake e Tiranës e ushtron këtë kompetencë bazuar në Kodin Rrugor (neni 155), “Ndalimi, qëndrimi dhe pushimi i mjeteve”.

Gjobat po rriten në mënyrë galopante. Nëse në vitin 2017 kishim 32,342 gjoba, në vitin 2018 gjobat janë dyfishuar duke shkuar në 74,191, bazuar në të dhënat zyrtare që morëm nga Policia Bashkiake. Duke llogaritur numrin e gjobave për vitin 2018 dhe po t’i pjesëtojmë me 264 ditë pune (kur funksionon parkimi me pagesë nga e hëna në të premte), rezulton se janë vendosur 281 gjoba në ditë ose rreth 2 gjoba për çdo 1 minutë.

Të ardhurat që bashkia mbledh nga gjobat janë më të mëdha se të ardhurat që mblidhen nga të gjitha parkimet, në rrugë, në sheshe dhe në ato nëntokësore. Nëse marrim mesatarisht një gjobë në zonën A me vlerë 3000 lekë dhe ku gjenden 39 rrugë, për vitin 2018 llogariten 222 milionë lekë ose 1.8 milionë euro të arkëtuara nga gjobat, ndërsa vlera e mbledhur nga të gjitha parkimet për vitin 2018 është rreth 270 milionë lekë ose 2.1 milionë euro.

Gjobat janë kthyer në shqetësim edhe për bizneset.

“Klientët blejnë një palë këpucë 4000 lekë dhe marrin një gjobë prej 3000 mijë lekësh, kështu që nuk iu shkon më në mendje të vijnë tek unë, prandaj edhe largohen dhe po na bie biznesi”, – thotë e shqetësuar Aurora Shehaj që menaxhon një butik në rrugën Myslym Shyri.

Në rrugët me pagesë në kryeqytetet e Europës apo siç funksionon në aeroportin Nënë Tereza, ka një tolerancë për parkimin pa pagesë nga 4-7 minuta.

“Ka shumë ankesa, ku Policia Bashkiake nuk ka si qëllim monitorimin, por është në pritje edhe të një minute vonesë, që ti të mund të marrësh gjobë. Vendosja e gjobave pra është kthyer në një qëllim për Policinë Bashkiake”, – tregon Edi Fero për shqetësimet që qytetarët adresojnë tek ai si drejtues i Shoqatës së Konsumatorit Shqiptar.

Agjencia Tirana Parking vendosi t`i largojë “inspektorët e parkimit” nga rrugët (në vitin 2018 kishte 115 punonjës), por, numri i policëve bashkiakë që gjobisin edhe për parkim të gabuar, ka ardhur ndjeshëm në rritje, nga 323 efektivë në vitin 2016, në 428 efektivë në vitin 2018.

Parkimi i rezervuar

Duke analizuar burimet e mbledhjes së parave për parkimet në tre vjet, rezulton se të ardhurat më të larta vijnë nga “parkimet me rezervim”. Individët, kompanitë apo shërbimet taksi mund ta rezervojnë vendin përgjatë gjithë vitit ose në pjesë të caktuara të tij duke parkuar vetëm ata.

Kontrata e abonimit për 1 vit (nga e hëna në tё premte), me 12 orë në ditë sipas bashkisë kushton 221,760 lekë në vit. Por, nëse llogarisim të ardhurat që bashkia do mblidhte në ditë nga parkimi me pagesë, ku një orë kushton 100 lekë, në vit do të mblidheshin më shumë pará, pra 316.800 lekë.

“Parkimet me rezervim janë privatizime. Pra, nuk i shërbehet volumit (frekuencës) të përdorimit, por volumit të të ardhurave, pra është e mbrapshtë. Qëllimi i tarifës nuk është vetëm që të gjenerojë të ardhura, por edhe që të përmirësojë parkimin, duke mos i lënë njerëzit të parkojnë gjithë ditën”, – vlerëson Akil Kraja, këshilltar i Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës.

Sipas Edi Feros, një nga ankesat e shumta është që shumë pronarë biznesesh kanë zënë nga shtatë apo tetë vende parkimesh përpara biznesit dhe kështu i vështirësojnë mundësinë edhe rezidentit të gjejë parkim qoftë edhe me pagesë.

Të gjitha rrugët me pagesë

Në janar të vitit 2016 Tirana u bë i pari qytet në Shqipëri që nisi tarifimin e rrugëve me pagesë. Me anë të një vendimi të Këshillit Bashkiak u krijua agjencia Tirana Parking, në varësi të Bashkisë së Tiranës, e cila administron sot 3 zona parkimi, A, B dhe C, duke nisur nga 100 lekë për një orë parkimi, e vijuar me 40 dhe 20 lekë.

Tre vite pasi nisi pagesa për parkim në rrugët e Tiranës, agjencia e parkimit ka në administrim 69 rrugë. Në zonën A të parkimit gjenden 39 rrugë, në zonën B, 9 rrugë dhe në pjesën tjetër sipas agjencisë po punohet për pajisjen me sinjalistikë përkatëse. Sipas vendimit të Këshillit Bashkiak Tiranë, në një rrugë vendet e parkimit ndahen në ato me pagesë, me rezervim, pa pagesë dhe parkimi i dedikuar për personat me aftësi të kufizuara.

Skema funksionon për 5 ditë të javës, nga e hëna në të premte, në orarin 730 me 2000 të mbrëmjes.

Ideja e ligjvënësve lokalë ishte se jo të gjithë hapësirat në rrugë, qofshin këto edhe në qendër, duhet të ishin me pagesë.

Qendra për Gazetari vëzhgoi ndarjen e vendparkimeve me pagesë dhe falas në rrugën Myslym Shyri, ku rezultoi se, sipas Vendimit të Këshillit Bashkiak për “vendet me pagesë dhe rezervim”, kishte një kuotë 60%, ndërsa në terren gjetëm rreth 76%. Teksa nga 40% që ishte përcaktuar në vendim për kategorinë e “parkimit pa pagesë”, gjetëm rreth 24%.

“Në këtë rast kanë humbur qytetarët! Është e gjitha e paligjshme… nuk mund të rritet numri i parkimeve me pagesë pa pyetur Këshillin Bashkiak”, – thotë këshilltari i opozitës, Akil Kraja.

Edhe në rrugën Ibrahim Rugova janë shtuar mbi normën e përcaktuar vendet e parkimit me pagesë, duke përgjysmuar ato falas. Në vendimin e Këshillit Bashkiak, Bulevardi Zogu I përcaktohet të ketë parkim me pagesë vetëm në anën perëndimore, por Bashkia e Tiranës i ka kthyer të dyja anët e rrugës me pagesë.

Krejt situatë tjetër është në Rrugën e Kavajës, ku vendet e parkimit falas janë mbi normën e përcaktuar, ndërsa në rrugën Luigj Gurakuqi dhe Rrugën e Kosovarëve normat ishin sipas Vendimit të Këshillit Bashkiak.

Nga vëzhgimi i imtësishëm i Qendrës për Gazetari në dy prej rrugëve kryesore të kryeqytetit, Myslym Shyri dhe Ibrahim Rugova, rezultoi se vendet e parkimit me pagesë dhe rezervim ishin në kuota më të larta se vendimi i marrë nga Këshilli Bashkiak, duke u shtuar në kurriz të vendeve të parkimit falas dhe gati duke e përgjysmuar numrin e tyre.

“Stafi i Tirana Parking kryen verifikime në terren mbi ndryshimin e numrit të vendeve reale dhe më pas në bashkëpunim me Drejtorinë e Transportit dhe Trafikut Rrugor kryhet përpunimi i plansheteve me ndryshimet përkatëse për të miratuar përqindjen e ndryshuar të vendeve të parkimit”, – u përgjigj zyrtarisht Bashkia e Tiranës për Qendrën.

Teksa bashkia u shpreh se studimin e fizibilitetit për rrugët me pagesë e kanë kryer strukturat e saj, ajo nuk iu përgjigj kërkesës sonë për të dhënë studimin e fizibilitetit për secilën rrugë.

Sipas Edi Feros që përfaqëson problemet e konsumatorëve, ndarja e vendeve të parkimit duhej të kishte përfshirë edhe konsultimet me komunitetin sipas “Ligjit për Konsultimin Publik”, por kjo gjë nuk ka ndodhur.

Rruga Myslym Shyri në Tiranë është një rrugë tregtare, ku në të dy anët e saj ushtrojnë aktivitetin e tyre rreth 360 biznese.

Aurora Shehaj, që menaxhon një butik në këtë rrugë, thotë se shteti duhet të ketë një politikë më lehtësuese lidhur me vendparkimet me pagesë.

“Vetëm kur pamë çunat me jelekë, mësuam për parkimin në rrugë me pagesë, pasi nuk kishim asnjë informacion paraprak nga bashkia”, – tha ajo për Qendrën.

“Këtu vendosen gjoba pa masë si pasojë e mosinformimit të njerëzve. Duhen më shumë tabela, pasi edhe vijat janë fshirë dhe njerëzit ecin me idenë se ka punëtorë parkimi. Policia vjen shumë shpejt dhe e gjobit dhe, kur kthehen, gjejnë fletën në xham”, – thotë Aurora Shehaj.

Të parkosh për një orë aty, ku së bashku me 38 rrugë të tjera klasifikohet si zona A e parkimit, kushton 100 lekë. Me vija blu janë shenjuar vendet e parkimit me pagesë, me të verdhë ato me rezervim dhe me të bardha parkimet falas.

Problemi i parkimit në Tiranë nuk është vetëm për bizneset dhe vizitorët, por edhe për vetë banorët, për të cilët çdo ditë e më shumë po bëhet e pamundur për të gjetur vend të lirë për automjetet e tyre.

*Në foton kryesore në fillim të shkrimit, tabela me njoftimin për pagesën e parkimit. Foto: Bashkia Tiranë.

Linku i artikullit origjinal: http://www.qualityjournalism.com.al/2019/03/01/parkimi-ne-tirane-cdo-minute-dy-gjoba/?fbclid=IwAR0EcnCDxCbbIhoArOQP4dsSlV07LNrrCWn71lBGIgqQqtbLCw5fBtptIKg