Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Studim: “A mund t’i zgjidhë Demokracia Sociale problemet politike në Shqipëri?”

“Demokracia Sociale dhe Pengesat e saj” quhet studimi i prezantuar sot, ku analizohen faktorët ekonomik, politik dhe kulturor që e pengojnë ose e nxisin demokracinë sociale në Shqipëri.

Studimi i realizuar nga Endri Shabani me mbështetjen e Fondacionit Friedrich Ebert, hedh dritë mbi qëndrimet e publikut shqiptar mbi disa nga ideologjitë dhe politikat e sistemit të kaluar, por edhe pikëpamjet e shqiptarëve mbi situatën aktuale politike në Shqipëri dhe të ardhmen politike të vendit.

“Demokracia Sociale ka kundërshtar kryesor autoritarizmin dhe ekstremin e tij që është totalitarizmi; gjithashtu është aftësia e njerëzve për të vendosur mbi jetën e tyre dhe të qenurit të lirë”, u shpreh Endri Shabani gjatë prezantimit të studimit.

Sokol Haxhiu

Sokol Haxhiu përfaqësues i “Westminister Foundation for Democracy” në Shqipëri, u shpreh se “backsliding democracy” (rrëshqitja mbrapsht nga demokracia) nuk është një fenomen i ri, por ka rreth një dekadë që ndodh në edhe në vendet e zhvilluara.

“Procesi i rritjes së liderit autokratik shihet edhe në shumë vende të tjerë” tha ai.

“Njerëzit mendojnë që mjetet aktuale demokratike nuk mjaftojnë për të përmirësuar gjendjen. Pra i pyet nëse e zgjidh rotacioni politik këtë situatë dhe të thonë jo. Kjo është shqetësuese”, tha për Citizens Channel studiuesi Shabani.

 “Nëse pyet se kush e vendos qeverinë, njerëzit thonë se e vendosin ndërkombëtarët. Nuk kanë besimin se po të shkojnë të votojnë, gjërat do të ndryshojnë,. Dhe pastaj kur i pyet se për çfarë ka nevojë Shqipëria, një pjesë e konsiderueshme thonë se ka nevojë për një sistem të ri politik. Duan një rikonfigurim se e kanë parë se politikat që janë ndjekur këto 29 vitet e fundit nuk kanë prodhuar atë që ne prisnim në 1990”, shtoi më tej ai.

Gjetjet e studimit vijnë pas një sondazhi të shpërndarë online të cilit i janë përgjigjur 814 persona. Ato janë kategorizuar në 6 fusha kryesore që përfshijnë:

  • Qëndrime për situatën politike
  • Besimin e publikut tek institucionet
  • Qëndrimet jo-tolerante (paragjykuese)
  • Qëndrimet për diktaturën dhe të shkuarën
  • Qëndrime për zgjedhjet e ardhshme
  • Mbështetjen për konceptet e Demokracisë Sociale

Ndër gjetjet kryesore të studimit është se shqiptarët rezulton të jenë mbështetës për koncepte që lidhen me Demokracinë sociale lidhur me pronën, ekonominë e përbashkët, tregun dhe median:

  • Pjesa më e madhe e të anketuarve (80%) janë kundër procesit të privatizimeve të pasurisë publike që nisi në fillim të viteve ‘90.
  • Më shumë se dy të tretat e të anketuarve (69%) shprehen të gatshëm të mbështesin financiarisht krijimin e një medieje lokale të pavarur.
  • Gati gjysma e të anketuarve (51%) me “kooperativë” nënkuptojnë një sipërmarrje të përbashkët vullnetare ku punëtorët janë edhe bashkëpronarë të saj
  • Ndërkohë, dy në tre prej tyre (65%) do të preferonin të punonin në një kooperativë, krahasuar me vendin e tyre aktual të punës. Dhe, 79% do të preferonin të ishin pjesë e një kooperative që synon ndërtimin e shtëpive me kosto të ulët për anëtarët e saj
  • Pjesa më e madhe e të anketuarve (86%) shprehen se janë dakord të kontribojnë financiarisht për ndërtimin apo riparimin e bibliotekës së qytetit. Ndërkohë, 78% mbështrin ngritjen e një qendre komunitare me kontributet financiare të banorëve
  • Më shumë se tre të katërtat e të anketuarve (78%), shprehen të gatshëm të kontribojnë vullnetarisht në pastrimin e lagjes apo riparimin pallatit të tyre.

Një tjetër fushë e marrë në analizë është besimi tek institucionet. Rezultatet tregojnë se shqiptarët kanë shumë pak besim që politika, institucionet shtetërore dhe media thonë të vërtetën:

  • Besimi tek media tradicionale është tepër i ulët. Tre në katër të intervistuar (74%) shprehen se media i shërben politikës dhe përgjithësisht nuk thotë të vërtetën
  • Ka një zhvendosje të besimit nga media tradicionale tek platformat online. Rrjetet sociale (17%) dhe portalet (8%) besohen më shumë se media tradicionale (6%)
  • Pjesa më e madhe e publikut nuk besojnë tek institucionet shtetërore. Vetëm 27% e të anketuarve besojnë informacionin zyrtar e dhënë prej institucioneve shtetërore
  • Partitë politike nuk shihen si burim i besueshëm informacioni për interpretimin e situatës politike në vend (1%), as nga votuesit e tyre
  • Autoriteti më i besueshëm në vend janë ndërkombëtarët (32%), çka mund të tregojë nevojën e partive, në opozitë apo qeveri, për legjitimitetin e tyre si arbitër.

Studimi ka marrë në analizë disa nga paragjykimet ekzistuese në shoqëri, duke argumentuar se mungesa e tolerancës krijon një terren për politikat populiste.

  • Më shumë se gjysma e të anketuarve (58%) shfaqin frikë nga popujt fqinj, çka mund të shfrytëzohet nga politikanë autoritarë të populizmit të djathtë
  • Gjysma e të anketuarve (51%) mendojnë se komuniteti LGBT nuk duhet lejuar të dalë nëpër parada, apo aktivitete publike
  • Gati gjysma e të anketuarve (44 %) nuk janë dakord që Shqipëria të mirëpresë të huajt që vijnë nga Afrika, Azia apo Lindja e Mesme

Veç sondimit të publikut, studimi mbështetet në analizën e dokumenteve,vëzhgimin dhe intervistat e thelluara, me synimin për të të eksplororuar sfidat e Social Demokracisë, si ideologji, në Shqipëri.

*Citizens Channel  /l.k./ /f.s/

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *