Adivije Hoxha është aktiviste për aftësinë e kufizuar prej vitit 2010 dhe kryetare e shoqatës së Para/Tetra Plegjikëve në qarkun e Durrësit.

Prej 3 vitesh, çdo ditë i duhet të udhëtojë rreth 20 minuta me makinë për të shkuar në punë, institucione, aktivitete apo për të plotësuar detyra të ndryshme të jetës së përditshme.

Si person me aftësi të kufizuar (PAK) që drejton një automjet, ajo ka te drejtën ligjore për te pasur akses në një vend parkimi të rezervuar sipas standardeve të parashikuara në Vendimin e Këshillit të Ministrave të miratuar në vitin 2013.

Në kuadrin e realizimit të dokumentarit “Parkimet e (Pa)Rezervuara”,  Citizens Channel së bashku me zonjën Hoxha udhëtuan nëpër qytetin e Durrësit, duke kërkuar një vend parkimi të llirë për PAK, apo të vënë në përdorim të automjeteve me shenjën e aftësisë së kufizuar.

Për rreth një orë, kaluam pranë Komisariatit të Policisë, qendrës spitalore publike, gjykatës së Durrësit, Teatrit Aleksandër Moisiu dhe Bashkisë. Kjo vetëm për të konstatuar se pesë vendparkimet e identifikuara janë të gjitha jashtë standardeve dhe janë të zëna nga automjete që ligjërisht nuk duhet të parkojnë aty.

“Edhe aty ku janë parkimet ne nuk i gjejmë të lira, pra ka një mosndërgjegjësim të njerëzve ka një neglizhencë mbase edhe të policisë rrugore apo mbase dhe policisë bashkiake që janë përgjegjës për këto parkimet e gabuara,”  tregon zonja Hoxha gjatë vizitës në qytet.

Adivije Hoxha Shoqata e Para /Tetra Plegjikëve në Durrës

Gjatë vëzhgimit u konstatua se asnjë masë administrative nuk ishte marrë ndaj automjeteve që kishin parkuar në vendet e rezervuara për personat me aftësi të kufizuar. Edhe pas kërkimit të gjatë, Znj. Hoxha nuk gjeti një vend parkimi të lirë, duke u detyruar të kthehej.

Shpesh Adivijes i duhet të telefonojë policinë për të ndërhyrë në mënyrë që të gjejë një vend parkimi për automjetin e saj.

“Pak kohë më parë kisha një takim në Prefekturë, ku po diskutohej ligji për aksesueshmërinë, unë e gjeta të zënë vendin dhe unë menjëherë mora policinë në telefon, se u bllokua trafiku, ku do shkoja?” tregon ajo për CC.

Duke sqaruar se kjo është një e drejtë bazike që është kthyer në një pengesë që i shoqëron në përditshmëri, zonja Hoxha  shton se parkimi është një sfidë e përditshme e të gjithë personave me aftësi të kufizuar.

Edhe gjatë ditës së vëzhgimit në terren me Citizens Channel, zonja Hoxha mbante në duar një kontratë, për të cilën ishte në pritje për ta firmosur në Bashkinë Durrës, aty ku vendi i rezervuar i parkimit  ishte i zënë.

“Madje dhe sot, konkretisht sot, unë kam kontratën te Bashkia për të firmosur dhe unë nuk kam ku të parkoj. Është një vend aty te Bashkia dhe ishte i zënë. Ku do shkoj unë? Ku të lëviz në shi?” tha ajo gjatë intervistës me Citizens Channel.

 

Kuadri Ligjor

Vendimi i Këshillit të Ministrave (VKM) numër 1503 i vitit 2013; konkretisht neni 12 dhe 26 i tij, përcaktojnë qartazi numrin dhe hapësirën e cila duhet të shërbejë për parkimin nga personat me aftësi të kufizuara.

“5%  e vendeve përshtaten me numrin total të parkimeve (por jo më pak se 1), gjerësia e përdorur nuk mund të jetë më pak se 320 centimetra si dhe parkimi i automjeteve të personave me aftësi të kufizuara është falas”, thuhet në VKM.

Gjatë konstatimit në terren Citizens Channel zbuloi se asnjë nga udhëzimet e mësipërme nuk zbatohen në qytetin e Durrësit; gjë që e vështirëson lëvizjen dhe parkimin e automjeteve të personave me aftësi të kufizuara në këtë qytet.

*Ky artikull është pjesë e ciklit të dokumentarëve “Mundësi për të Gjithë”, i publikuar në “Citizens Stories”, një platformë e gazetarisë vizuale që rrëfen potencialet e fshehura të qytetarëve nga grupet e margjinalizuara me zërin e vetë protagonistëve.

Kliko mbi foto për të vizituar platformën Citizens Stories

Ndiq dokumentarin e plotë: