Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Faktet pas rezistencës së familjeve te Petro Nini

Fillimi i kësaj jave tërhoqi vemendjen me konfliktin e dy familjeve përballë shkollës së mesme “Petro Nini Luarasi” në Tiranë, me përmbaruesin gjyqësor. Përmbaruesi kërkonte lirimin e shtëpisë nga dy familjet që jetonin aty, duke zbatuar kështu një urdhër të gjykatës. Në mbështjetje të përmbaruesit, sipas ligjit, është rreshtuar edhe policia e shtetit.

Ky proces është kundërshtuar ashpër nga banorët të cilët bënë rezistencë dhe mbrojtën shtëpinë e tyre duke u përplasur edhe fizikisht me policinë dhe përmbaruesit. Për shkak edhe të pranisë së medias në vendngjarje, kjo situatë u bë mjaft publike duke sjellë reagime dhe një tymnajë keqinterpretimesh nga opinioni publik dhe jo vetëm.

Por cila është historia ndër vite e kësaj çështjeje?

Exit.al ka përmbledhur një liste me fakte mbi historikun, pronësinë dhe kalvarin e gjatë të proceseve gjyqësore mes dy familjeve Dervishi dhe Llapaj, trashëgimtares Olimbia Gavoci në të gjitha shkallët e Gjykimit.

  • Trualli prej 1435 metra katrorë në rrugën Sami Frashëri ka qenë në vitet 1930 në pronësi të kolonelit të ushtrisë mbretërore Ali Riza Barutit (Kosovës), me prejardhje nga Shkodra, i cili ishte bërë pronar i këtij trualli gjatë mbretërimit të mbretit Zog.
  • Në vitin 1939, pas pushtimit fashist, toka u sekuestrua për arsye te paqarta.
  • Në vitin 1945, toka e zotit Baruti u shtetëzua nga regjimi komunist si një politikë e regjimit ndaj pasurive të bashkëpunëtorëvë dhe funksionarëvë zogistë.
  • Në vitin 1954, mbi truallin shtetëror tashmë, autoritetet shtetërore ndërtuan një ndërtesë njëkatëshe publike, e cila iu dha me qira për banim dy familjeve, Dervishi dhe Llapaj. Ata jetuan aty gjatë gjithë kohës së regjimit komunist.
  • Pas rënies së regjimit komunist, në vitin 1992, të dyja familjet, Llapaj dhe Dervishi e privatizuan këtë ndërtesë publike duke u bërë pronarë sipas ligjit “Për privatizimin e Banesave Shtetërore”, i cili u dha mundësinë qytetarëve të blejnë nga shteti, banesat që i kishin me qira prej tij. Por kjo nuk i bënte dot ata pronarë të truallit, por vetëm të ndërtesës.
  • Në vitin 1995, Komisioni i Kthimit dhe Kompesimit të Pronave (KKKP) Tiranë, vendosi që trualli t’i kthehej trashëgimtares ligjore të zotit Baruti, vajzës së tij Olimbi Gavoci.
  • Vendimi i KKKP, në mënyrë të pazakontë nuk i dha zgjidhje gjendjes problematike të pronësisë të krijuar nga vendimi, duke qenë se u legjitimuan pronarë të ndryshëm të trualllit nga ata të ndërtesës mbi truall. KKKP u njohu pronarëve të truallit të drejtën për të ndërtuar në katin e dytë të banesës njëkatëshe, duke ia hequr këtë të drejtë pronarëve të ndërtesës.
  • Familjet Dervishi dhe Llapaj, në kundërshtim me vendimin e KKKP-së dhe në shkelje të së drejtës së pronarëve të truallit, ndërtuan një kat shtesë pa leje, menjëherë pasi trualli iu kthye pronarëve.
  • Pas këtij zhvillimi, trashëgimtarja e truallit, Olimbia Gavoci, paditi pronarët e ndërtesës në gjykatë në vitin 1997, duke kërkuar lirimin e truallit dhe shpërblim për përdorimin e tokës nga vitit 1995 e deri në atë kohë.
  • Gjykata e shkallës së parë Tiranë, vendosi në favor të zonjës Gavoci, duke i kërkuar familjeve të largohen nga banesa dhe të paguajnë edhe shpërblim ndaj saj për mbajtjen e truallit. Ky vendim u apelua nga pronarët e ndërtesës, por edhe Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e shkallës së parë në favor të pronarëve të truallit.
  • Familjet Dervishi dhe Llapaj e apeluan ceshtjen në Gjykatën e Lartë, e cila në vitin 2011 e rrëzoi kërkesën tyre si të pambështetur në prova dhe fakte.
  • Mbas përfundimit të gjykimit në të tre shkallët e gjyqësorit, dy familjet iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese me arsyetimin e mospasjes së një procesi të rregullt nga ana e Gjykatës së Lartë, por edhe Gjykata Kushtetuese e rrëzoi kërkesën e tyre, duke i dhënë kështu të drejtë pronarëve të truallit.
  • Ndërsa çeshtja ishte në shqyrtim gjyqësor, familjarët pronarë të ndërtesës aplikuan,rreth periudhës 2007-2008, për legalizimin e katit të dytë të ndërtesës, të ndërtuar pa leje, duke përfituar nga ligji i legalizimit i hartuar dhe miratuar nga qeveria e atëhershme në vitin 2006.
  • Në vitin 2009, shtesa e katit legalizohet dhe familjet bëhen pronare të ligjshme të gjithë ndërtesës, tashmë dykatëshe.
  • Në vitin 2013, familjet Llapaj dhe Dervishi iu drejtuan sërish gjykatës së shkallës së parë në Tiranë për të kërkuar rishikim të vendimit të mëparshëm, me arsyetimin se nuk ishin në dijeni të faktit se me një vendim të Këshillit të Ministrave në vitin 2009 atyre iu ishte legalizuar kati shtesë informal.
  • Gjykata e Tiranës e rrëzoi kërkesën me arsyetimin se kjo VKM nuk është fakt i ri në kuptimin e Kodit të Procedurave Civile, pasi ai është i publikuar në Fletoren Zyrtare dhe familjet duhet ta kishin ditur ekzistencën e saj.
  • Familjet ankimuan në Gjykatën e Apelit Tiranë vendimin e shkallës së parë, por edhe ajo e rrëzoi kërkesën e tyre si të pabazuar në ligj, me të njëjtin arsyetim si Gjykata e Tiranës.
  • Vendimi i Gjykatës së Apelit për shqyrtimin e çështjes së pronësisë në themel është vendim i formës së prerë dhe është i ekzekutueshëm. Për ekzekutimin e tij , përmbaruesit privatë, të mbështetur nga policia e Tiranës, synuan nxjerrjen me forcë të familjeve Llapaj dhe Dervishi.

Vendimi i Gjykatës së Apelit i formës së prerë  

Nga këto të dhëna shikohet qartë se kemi të bëjmë me një truall në të cilin është ndërtuar një banesë, ku trualli ka pronar tjetër dhe banesa pronar tjetër. Precedentët tregojnë se gjykata nuk mund të japë vendim për njohje trualli kur mbi të është ndërtuar një objekt (në këtë rast banesë) e cila është edhe e certifikuar në hipotekë.

“Ligji thotë që aty ku ka ndërtim i cili është certifikuar nuk mund të njohësh pronësi toke, por pronari i vjetër kalon për kompensim dhe i njihet pjesa tjetër e tokës e cila ka mbetur e lirë.”

Lleshaj e quan policinë “jo dinjitoze” 

Prania e policisë së Tiranës për të ekzekutuar vendimin e gjykatës në mbështetje të përmbaruesit ngjalli reagim publik përsa i përket sjelljes së saj jo konfort rregullave etike. Persona të familjeve të përfshira në konflikt kanë kaluar gjendje të fikëti gjatë konfrontimeve me përmbaruesit dhe me punonjësit e policisë. Për këtë situatë madje ka reaguar edhe Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj i cili ka kërkuar mirëkuptim të plotë të pranisë së Policisë së Shtetit në ekzekutimin e një veprimi përmbarimor për vendimin e një gjykate të formës së prerë. Por sipas tij Policia e Shtetit ka detyrimin edhe të jetë dinjitoze dhe efikase, gjë e cila nuk ka ndodhur.

Shënim: Çfarë na tregoi rezistenca?

Konflikti i familjarëve me përmbaruesit dhe policinë u interpretua në mënyra të ndryshme, herë duke fajësuar dhe herë duke u dhënë të drejtë familjarëve. Pamjet e familjarëve duke u shtrirë në rrugën kryesore dhe duke e bllokuar atë, pamjet e gruas shtatzënë e cila mbronte banesën e saj dhe të fëmijëve të cilët ishin vëzhgues dhe pjesëmarrës në këtë skenë aspak të qetë, ishin ato që vazhdojnë të qëndrojnë të freskëta në memorien publike.

Por nëse kjo “revoltë” e familjarëve nuk do të kishte ndodhur, ata sot do të ishin nxjerrë jashtë dhe nuk do të kishin më një shtëpi. Nëse nuk do të kishim ato pamje, nuk do të kishim asnjë qëndrim publik të institucioneve shtetërore të cilat duhet të ndryshojnë qasjen ndaj shërbimit të qytetarëve. Rezistenca pas portës së shtëpisë, thirrjet dëshpëruese me zë të lartë, përfshirja e grave shtatzëna dhe e fëmijëve në përplasje me policinë duke kërkuar liri veprimi për të mbrojtur ndërtesën tregon se si qytetarët duhet të luftojnë ashpër  për të fituar të drejtat.

Nëse ky rast pati afër kamerat, çfarë ndodh me shumë probleme të tjera të qytetarëve të cilët nuk kanë mbështetje institucionale dhe ligjore dhe vuajnë mungesën e një shteti jo social?

*Citizens Channel /E.K/

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *