Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë, ka dhënë dje gjykimin e saj në lidhje me çeshtjen e shoqatës TOKA  kundrejt Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM) dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit (MTM) për ndërtimin e HEC-eve në Luginën e Valbonës.

Gjykata ka vendosur të rrëzojë padinë e ngritur nga shoqata TOKA, me pretekstin se ajo nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme për këtë çeshtje.

Në këtë padi aktivistët prentendojnëse Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) nuk ka zbatuar ligjin, pasi punimet në Luginën e Valbonës duhet të ishin pezulluar gjatë verës së kaluar, kohë kur leja e kompanisë private për të ndërtuar në këtë territor skadoi.

Kjo padi është e para në llojin e saj që teston ligjin e ri për zonat e mbrojtura, i cili ka kaluar në vitin 2017 dhe sipas tij Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) duhet të ndalojë të gjitha hidrocentralet brenda Parqeve Kombëtare.

Në seancat gjyqësore, ashtu sikundër Citizens Channel ka raportuar edhe më herët , të pranishëm në sallë nuk kanë qenë asnjë nga palët e paditura, që janë Ministria e Mjedisit dhe e Turizmit (MTM) dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM), por vetëm përfaqësuesja ligjore e kompanisë private që po ndërton HEC-et, Gener 2, e cila kërkoi të përfshihej në çeshtje në rolin e ndërhyrësit dytësor.

Avokatja e kompanisë Gener 2 gjatë seancave gjyqësore ka shprehur pretendimin se TOKA është thjesht një organizatë dhe nuk ka të drejtë të padisë shtetin.

I pyetur nga Citizens Channel, përfaqësuesi i shoqatës TOKA, Liridon Mustafaj në lidhje me këtë pretendim nga ana e avokates së kompanisë GEner 2, u shpreh se ”Pretendimi se TOKA është thjesht një organizatë dhe nuk ka të drejtë të sulmojë shtetin, është dicka absurde nga ana e saj. Ne jemi organizatë, jemi shoqëri civile dhe normalisht që kemi të drejtë. “

Ky pretendim i kompanisë Gener 2 është hedhur poshtë edhe nga ana e Gjykatës Administrative.

Avokatja e Gener 2 pretendon se Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) ka monitoruar projektin e ndertimit te hidrocentraleve. Por shoqata TOKA në faqen e saj në facebook u shpreh se nuk ka asnjë verifikim të ndonjë monitorimi të tillë. “TOKA ka kërkuar kopje të raporteve monitoruese të kërkuara me ligj nga IKMT shumë herë. Ne na thanë se kompania po dërgon raporte të rregullta “vetë-monitoruese”, por asnjëherë nuk na është lejuar të shohim ndonjë kopje. Kjo është arsyeja pse ne kemi bere një tjetër padi kundër IKMT për mos kryerjen e inspektimeve. Nëse IKMT kishte inspektuar, me siguri do të kishin vërejtur mungesën e lejes së ndërtimit të vlefshme”. 

Sipas aktivistëve, beteja për ndërtimin e hidrocentraleve në Luginën e Valbonës do të vazhdojë sërish.

“Këto janë tashmë jo suprizë për ne, por prapë ne do të vazhdojmë luftën tonë ndaj asaj masakre që po vazhdon të ndërtohet atje. Keto projekte duhet te trajtohen sa me shpejt nga shteti sepse jan jashte çdo lloj standarti”, u shpreh Mustafaj për Citizens Channel.

Çështja e Luginës së Valbonës është trajtuar 3 javë më parë  edhe në konferencën e Brukselit në Parlamentin Evropian, ku aktivistë mjedisorë dhe përfaqësues së shoqatës TOKA ishin të pranishëm.


Për diskutimet në këtë konferencë Mustafaj u shpreh se : “Partia Gjelber e Parlamentit Europian na ka premtuar në Bruksel që do fokusohen seriozisht në këto projekte në Ballkan, sidomos në Shqipëri, pasi është shtrirja më e madhe e HEC- eve dhe kontratat janë jashtë çdo lloj standarti”.

Për të ndaluar ndërtimet e HEC-eve në Luginën e Valbonës,  aktivistët mjedisorë kanë ndërmarrë nismën për të nënshkruar një peticion drejtuar kryeministrit Edi Rama. Në këtë peticion kanë firmosur deri më tani 3,532 qytetarë.


*Citizens Channel /E.K/