Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Dita e Tokës : Thirrje për më shumë respekt ndaj natyrës

Ideja për të pasur një ditë kombëtare të fokusuar te mjedisi erdhi prej Gaylord Nelson, atëherë një Senator nga Wisconsin, pasi ishte dëshmitar i shkatërrimeve të shkaktuara nga derdhja masive e naftës në vitin 1969 në Santa Barbara të Kalifornisë. I frymëzuar nga lëvizja anti-luftë e studentëve, ai e kuptoi se nëse mund ta përdorte atë energji për ndërgjegjësim publik rreth ndotjes së ajrit dhe ujit, ai do të mund të vendoste mbrojtjen e mjedisit në axhendën politike kombëtare.

Senatori Nelson e bëri publike këtë ide për mediat kombëtare; bindi Pete McCloskey, një kongresist republikan me mendje konservatore për të shërbyer si bashkëpunëtor i tij dhe rekrutuan Denis Hayes nga Harvardi si koordinator kombëtar. U zgjodh 22 prilli pasi qëllonte të ishte datë midis pushimeve të pranverës dhe provimeve përfundimtare.

Më 22 prill 1970, 20 milionë amerikanë dolën në rrugë dhe në parqe për të demonstruar për një mjedis të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm. Mijëra kolegje dhe universitete organizuan protesta kundër përkeqësimit të mjedisit. Dita e Tokës në vitin 1970 arriti një shtrirje të rrallë politike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke siguruar mbështetje nga republikanët dhe demokratët, të pasur dhe të varfër, qytetarë dhe fermerë, manjatë dhe liderë.

Në fillim të viteve 1990, një grup udhëheqësish mjedisorë kërkuan nga Denis Hayes të organizonte një fushatë tjetër të madhe. Këtë herë, Dita e Tokës u bë globale, duke mobilizuar 200 milionë njerëz në 141 vende. Dita e Tokës 1990 i dha një shtysë të madhe përpjekjeve të riciklimit në mbarë botën dhe ndihmoi në hapjen e rrugës për Samitin e Tokës të Kombeve të Bashkuara në Rio de Janeiro. Ajo gjithashtu nxiti Presidentin Bill Clinton të nderonte senatorin Nelson me Medaljen Presidenciale të Lirisë (1995) – nderimi më i lartë i dhënë civilëve në Shtetet e Bashkuara – për rolin e tij si themelues i Ditës së Tokës.

Dita e Tokës sot

Ashtu si në vitin 1970, Dita e Tokës 2010 erdhi në një kohë sfidash të mëdha për komunitetin mjedisor. Mohuesit e ndryshimeve klimatike, lobistët e naftës të mire financuar, politikanët e fshehtë, një publik i pa interesuar dhe një komunitet mjedisor i ndarë, kontribuuan gjithsesi kundrejt aktivizmit. Përkundër këtyre sfidave, Dita e Tokës mbizotëronte dhe Rrjeti i Ditës së Tokës rikonfirmoi Ditën e Tokës si një pikë qendrore të rëndësishme dhe të fuqishme. Rrjeti i Ditës së Tokës lançoi projektin më të madh të shërbimit mjedisor në botë, iniciativën globale të mbjelljes së pemëve që ka angazhuar 75,000 partnerë në 192 vende.

Dita e Tokës tashmë është një ngjarje globale dhe çdo vit mbledh më shumë se 1 miliardë njerëz në 192 vende të botës. Viti që vjen, 2020 shënon edhe 50 vjetorin e Ditës së Tokës.

Dita e Tokës në Shqipëri

Edhe Shqipëria është një nga vendet e cila është e ndërgjegjshme për rëndësinë dhe përgjegjësinë e kësaj dite, duke kontribuar me aktivitete me fokus mbrojtjen e mjedisit dhe natyrës. Nxënësit e shkollave në Shqipëri përfshihen në pastrimin e territoreve të shkollave të tyre, mbjelljen e pemëve dhe luleve si dhe në fushatat ndërgjegjësuese të mbrojtjes së faunës dhe florës.

Në Tiranë, organizata Ecovolis, ka ndërmarrë nismën për të pedaluar për Ditën e Tokës. Ajo ju bën thirrje të gjithë qytetarëve të Tiranës, të marrin biçikletën e tyre dhe në shenjë proteste të pedalojnë në orën 17:00 drejt sheshit Skënderbej, për një Tiranë me ajër më të pastër.

Ecovolis ka organizuar aktivitete edhe me të vegjlit e kryeqytetit, duke i mësuar ata ta duan natyrën dhe të përdorin sa më shumë biçikletat.


Në ditën e Tokës, ambjentalistët kërkojnë më shumë vëmendje ndaj natyrës shqiptare, pasi sipas tyre dëmet e kryera ndaj saj janë të shumta.

Sazan Guri është shprehur për Ora News se në Shqipëri vazhdon të jetë problem mos menaxhimi i mbetjeve, flakja e ujërave të ndotura, qofshin ato të zeza apo industriale. Sipas Guri, shteti shqiptar ka ligje shumë të mira për mbrojtjen e mjedisit, por mungon zbatimi i tyre.

Dita e sotme ka krijuar edhe reagimin e qytetarëve të ndryshëm të cilët me veprimet e tyre simbolike kanë ironizuar Ditën e Tokës me ndërtimet e vazhdueshme që po kryhen në Tiranë, duke betonuar edhe më tej qytetin. Kujtojmë se vetëm në vitin 2018, në qytetin e Tiranës janë dhënë 388 leje ndërtimi, duke pakësuar hapësirat e gjelbra gjithnjë e më shumë.

*Citizens Channel /E.K/

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *