Organizata ndërkombëtare për mbrojtjen e kafshëve “Four Paws” ka nisur një fushatë online në mbrojtje të 3 luanëve që “mbahen peng” në Kopshtin Zoologjik të Tiranës. Ajo kërkon reagim nga Ministria e Mjedisit dhe e Turizmit në lidhje me situatën e luanëve të cilët pas transferimit nga “Safari Park Zoo” në Fier, i quajtur ndryshe edhe si “kopshti zoologjik më i keq në Evropë”, tashmë ndodhen në Tiranë, në atë që supozohej të ishte një strehë e përkohshme.

Për tu kujdesur ndaj këtyre luanëve është treguar e gatshme qendra për macet e mëdha, “FELIDA”, e cila ndodhet në Holandë, por qeveria e Shqipërisë nuk ka lejuar që ata të largohen nga Shqipëria.

Për këtë arsye Organizata “Four Paws” ka hapur një peticion online, adresuar Ministrisë Shqiptare të Turizmit dhe Mjedisit, me kërkesën që t’i lërojnë luanët.

Në shkrimin shoqërues të peticionit, kërkohet : “Lenci, Bobi dhe Zhaku u sollën përkohësisht në Kopshtin Zoologjik  të Tiranës dhe do të zhvendoseshin në një ambjent të përshtatshme të FOUR PAWS sapo gjendja e tyre të përmirësohej mjaftueshëm dhe lejet për transferim ishin rregulluar.  Si është e mundur që ju të mos lejoni këto luanë, fotot pikëlluese të të cilëve u përhapën në të gjithë botën, të zhvendosen në shtëpinë e tyre të re? “FOUR PAWS International” ka përfunduar rrethime të përshtatshme për ta në qendrën  “Macet e Mëdha” FELIDA. Një ekip i specializuar është duke pritur atje për t’u kujdesur për ta dhe për të kryer procedurat e nevojshme mjekësore për t’u rimëkëmbur.”

Në këtë peticion deri më tani kanë firmosur 43,539 persona. Qendra “Felida”, gjendet  në Oldebekoop, Holandë. Ajo kujdeset për macet e mëdha nga cirqet dhe kopshtet zoologjike, i trajton ato dhe punon për t’i zëvendësuar disa prej tyre në një strehimore më të madhe në Afrikë të Jugut.

Historia e Lencit dhe dy shokëve të tij 

Luanët Lenci, Bobby dhe Zhaku  janë tre luanë të cilët jetonin në kushte ç ‘njerëzore në kopshtin zoologjik të Fierit. Fotot e luanit me sy të nxirë, i cili u quajt më pas Lenci, bënë xhiron e medias botërore. Media angleze, Daily Mail, raportoi për këtë rast, duke e konsideruar kopshtin zoologjik të Fierit, kopshtin zoologjik më të tmerrshëm në Evropë.

Pas publikimit të gjendjes së luanëve në media, u bë e mundur mbyllja e Safari Park Zoo dhe kafshët u vendosën përkohësisht në kopshtin zoologjik të Tiranës, për të marrë ndihmën e nevojshme deri në momentin e transferimit të tyre në Holandë.

Ministri Klosi, pas kësaj situate u shpreh se : “Ne i mbajmë premtimet, megjithëse jo të gjithë besuan se do ti largonim kafshët nga kopshti zoologjik privat, në Fier, ku u konstatuan të abuzuar! Nga Fieri i sollëm në kopshtin zoologjik të Tiranës. Ish Luani i “Fierit”, tani ka edhe një emër! Ai quhet Lenci dhe është në kushte shumë të mira shëndetësore, edhe pas ndërhyrjes që pati në sy nga veterinerët e huaj dhe stafi profesional i fondacionit austriak “FOUR PAWS”. Në gjendje të mirë shëndetësore janë edhe 2 luanët e tjerë: Zhak dhe Bobi. Por, lajmi tjetër i mirë është se së shpejti luani Zhak, Lenci dhe Bobi do të transferohen në Holandë, në qendrën e specializuar të rehabilitimit të luanëve, tigrave dhe leopardëve, që quhet “FELIDA”, në shtëpinë e tyre të përhershme, ku do të nisin një jetë të re!”

Por pavarësisht premtimit për transferim dhe insistimit të Qendrës së specializuar të rehabilitimit të luanëve ‘FELIDA”, transferimi i luanëve nuk është realizuar.  Daily Mail, në një shkrim tjetër trajton rastin duke thënë se për këtë çështje zyrtarët thonë se duart e tyre janë të lidhura derisa padia të zgjidhet, por nismëtarët e kësaj fushate për shpëtimin e luanëve akuzojnë qeverinë për “arbitraritet burokratik”.

Sipas përfaqësuesve të ministrisë, pronari i Safari Park Zoo është duke kërkuar kompensim në gjykata për humbjen e biznesit. Ai nuk dëshiron që kafshët të kthehen, por derisa çështja gjyqësore të zgjidhet, luanët nuk mund të largohen nga vendi.

Ioana Dungler, drejtoresha e “Four Paws” e cila ka qenë përgjegjëse për transferimin e kafshëve nga Safari Park Zoo, është shprehur për Daily Mail se qeveria shqiptare ka shtyrë në mënyrë të përsëritur largimin e luanëve nga Shqipëria. Sipas Daily Mail, qeveria e cila ka mbikëqyrur çështjen nuk ka komentuar për këtë.

Si është gjendja e luanëve?

Luanët gjenden në Kopshtin Zoologjik të Tiranës, i cili është jashtë standardeve, dhe ka nevojë për përmirësim. Ata jetojnë në kafaze të vogla dhe të pista. Blandi Mustafai, një nga punonjësit e “Four Paws” i cili po kujdeset për luanët u shpreh për Daily Mail se : “Luanët qëndrojnë në kafaze të mbyllura, të ndërtuara në vitet 1970, ecin në dysheme me çimento dhe shqetësohen nëse kanë njerëz afër“.

Aktivistët për kafshët thonë se ambienti në të cilën po qëndrojnë luanët po u krijon atyre stres, për shkak të kafazeve të vogla në të cilat mbahen dhe afërsisë me njerëzit.

Kopshti Zoologjik i Tiranës dhe premtimet 

Jemi këtu për ta parë jo si një problem por si një mundësi e mirë, që pas 21 qershorit do çojmë edhe kopshtin zoologjik në drejtimin e duhur si një hapësirë dhe frymëmarrje për një qytet që ka më shumë nevojë për paqe sesa për beton.”

Kjo ishte deklarata e kreut të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, më 31 maj të vitit 2015-të. Por deri më tani kopshti zoologjik, jo vetëm që nuk ka shkuar “në drejtimin e duhur”, por është degraduar edhe më tej në kushtet që ofron për kafshët.

Në tetor të vitit 2018, premtimi për Kopshtin Zoologjik Tiranë u tha përsëri. Kësaj radhe Veliaj deklaroi se kopshti zoologjik është pjesë e buxhetit të vitit 2019 të Bashkisë Tiranë.

 

*Citizens Channel /E.K/

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu