Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Shkronjat e artistëve që i përgjigjen heqjes së shkronjave të Teatrit Kombëtar

Mëngjesin e ditës së premte, godina e Teatrit Kombëtar u gdhi pa shkronjat identifikuese. Ato janë hequr gjatë natës dhe në mënyrë të fshehtë.

Ky veprim është kryer në kohën kur protesta e aktivistëve për mbrojtjen e godinës së  Teatrit Kombëtar vazhdon. Ndërkohë, qeveria i qendron vendimit të saj t’a prishur këtë godinë. Veprimi nxiti reagime të shumta nga grupet e artistëve, por asnjë reagim nga institucionet përgjegjëse shtetërore.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e ka dënuar këtë akt duke e konsideruar si të ulët  dhe kërkon nga Ministria e Kulturës të mbajë qendrim për ç’ka ka ndodhur si dhe të rivendosë shkronjat.

Sipas Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, nëse kjo nuk do të ndodhë, vetë Aleanca do të ndërmarrë një aksion privat për rivendosjen e tyre.

I pyetur nga Citizens Channel në lidhje me këtë ngjarje, regjisori dhe anëtari i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit  Robert Budina u shpreh:

“Është  një goditje në simbolikë për të thënë që nuk do të ketë Teatër Kombëtar, nuk do te ketë kulturë, për t’i hequr atyre identitetin. Dhe kjo bëhet natën skuthërisht nga njerëz që nuk e kanë identitetin dhe emrin e tyre. Ndaj Teatri e ka betejën të fituar me anonime që janë shumë të vegjël para tij për ta shembur.”

Ndërsa aktivisti Martin Gjonaj u shpreh se:

“Denoncoj me forcë skandalin e heqjes së gërmave mbi godinën e Teatrit Kombëtar! Strategjia “e faktit te kryer” dhe taktika të tilla të ulta për të na demoralizuar, janë provuar që nuk pinë më ujë, pavarësisht tentativave të njëpasnjëshme nga ana e pushtetit. Neve nuk na intimidon e as demoralizon kjo gjë, përkundrazi, na bashkon më shumë dhe na shton vendosmërinë për ta mbrojtur këtë godinë historike. Si rrjedhoje ne jo vetëm që do ta vazhdojmë qëndresën e përditshme në mbrojtje të Teatrit, por do të jemi edhe më të vendosur, edhe më të shumtë në numër. Njëkohësisht, ne do ndërmarrim shumë shpejt veprime konkrete që emri i Teatrit mbi ballinen e godinës të rivendoset. Identiteti i godinës historike të Teatrit Kombëtar nuk mund të nëpërkëmbet nga talebanë politike si Erjon Veliaj që nuk njohin model tjetër përveç atij të shkatërrimit të vlerave, të trashëgimisë dhe të ndërtimit të kullave prej betoni në funksion të pasurimit vetjak”.

Reagimet për Teatrin

Menjëherë pas konstatimit se ka nisur “çmontimi” i teatrit kanë reaguar artistët dhe aktivistët që kanë kundërshtuar prishjen e tij që në fillim të publikimit të projektit.

Këto gërma kur t’a rikonstruktojmë do i vendosim të arta dhe ka shumë gjasa që ju të jeni në burg atë ditë, por ne, si shumë të mirë që jemi,do ju dërgojmë një kartolinë për nderin që na bëtë duke e kthyer këtë teatër në dinjitetin e ballinës me GERMA TE ARTA….TEATRI KOMBETAR….suksese në gropën tuaj politike”,-shprehet aktrori Neritan Liçaj në faqen e tij në facebook.


Ndërsa Gentian Zenelaj, aktor dhe drejtues i emisionit investigativ “Stop”, i është drejtuar kryetarit të Bashkisë Tiranë, duke i thënë se nuk janë gërmat ato që e bëjnë teatrin.

Aktori i njohur Naun Shundi, në reagimin e tij për teatrin ka thënë se çdo dorë e ngritur mbi teatrin është një dorë gjakatare.


Kastriot Çipi ka akuzuar shtetin shqiptar se po shkatërron me dhunë objekte të trashëgimisë, që i kanë mbijetuar mungesës së mirëmbajtjes për dekada.

Prishja e ndërtesës së Teatrit Kombëtar ka hasur në kundërshtimin e komunitetit të artistëve të cilët prej një viti protestojnë kundër tij duke bërë thirrje për anullim të këtij vendimi, pasi në të kundërt do të ngujohen edhe vetë Brenda ndërtesës.

Sipas projektit, ndërtesa 100 vjeçare do të shembet për t’u zëvendësuar me një teatër të ri, projekt i arkitektit danez, Bjarke Ingels, projekt i cili përpos ndërtesës së teatrit parashikon edhe ndërtimin e disa kullave përreth tij.

Kallëzimi në Prokurori

Anëtarët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit: Edmond Budina, Martin Gjonaj, Robert Budina dhe Kastriot Çipi depozituan një kallzim penal në Prokurorinë e Tiranës  dy ditë më vonë për ngjarjen e ndodhur. Deri tani nuk ka një deklaratë zyrtare në lidhje me ngjarjen nga institucionet përgjegjëse.

Drejtori i Teatrit Kombëtar u kontaktua nga Citizens Chanel për t’u pyetur në lidhje me ngjarjen, por deri në momentin e publikimit të këtij ahkrimi nuk u përgjigj.

*Citizens Channel /f.s/ /e/k./

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *